
foto/VCG
Kina ka bërë thirrje për përpjekje ndërkombëtare për të krijuar kushte për rifillimin e bisedimeve të paqes për të zgjidhur krizën në Ukrainë.
Kina publikoi të premten një letër ku shprehet pozicioni i saj për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë, duke thënë se dialogu dhe negociatat janë zgjidhja e vetme e mundshme për krizën në Ukrainë, përcjell “Xinhua”.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë i përkushtuar ndaj qasjes së duhur të promovimit të bisedimeve për paqe, të ndihmojë palët në konflikt të jenë të hapur për një zgjidhje politike sa më shpejt të jetë e mundur dhe të krijojnë kushte dhe platforma për rifillimin e negociatave. Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim”,- thuhet në dokument.
Po ashtu, kërkohet që të gjitha palët duhet të qëndrojnë racionalë dhe të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin shtimin e mëtejshëm të konfliktit dhe përkeqësimin e tensioneve dhe të parandalojnë që kriza të përkeqësohet më tej apo edhe të dalë jashtë kontrollit.
“Të gjitha palët duhet të mbështesin Rusinë dhe Ukrainën që të punojnë në të njëjtin drejtim dhe të rifillojnë dialogun e drejtpërdrejtë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që situata të qetësohet gradualisht dhe në fund të arrihet një armëpushim gjithëpërfshirës. Të gjitha masat e favorshme për lehtësimin e krizës humanitare duhet të inkurajohen dhe mbështeten, dhe palët në konflikt duhet të shmangin sulmin ndaj civilëve ose objekteve civile, të mbrojnë gratë, fëmijët dhe viktimat e tjera të konfliktit dhe të respektojnë të drejtat themelore të të ndaluarve nga të dyja palët në konflikt”,- bëhet e ditur në dokument.
Kina kundërshton sulmet e armatosura kundër termocentraleve bërthamore ose objekteve të tjera paqësore bërthamore, thuhet në letër, duke shtuar se duhet të shmanget kërcënimi ose përdorimi i armëve bërthamore, të kundërshtohet përhapja bërthamore dhe të parandalohet kriza bërthamore. (Irma)
