Njëvjetori i konfliktit Rusi-Ukrainë: Fitimet dhe humbjet e Evropës dhe ShBA-së
2023-02-24 20:04:53

Në përvjetorin e parë të shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, Seymour Hersh, një gazetar i njohur amerikan dhe fitues i çmimit “Pulitzer”, zbuloi se qeveria amerikane ishte fajtore për shkatërrimin e gazsjellësit "Nord Stream". Seymour Hersh tha se qëllimi i vërtetë i hedhjes në erë të gazsjellësit "Nord Stream" nga ShBA-ja nuk ishte të ndihmonte Ukrainën, por të parandalonte Gjermaninë dhe Evropën që ta rihapnin këtë tubacion të gazit natyror kur të vinte dimri, dhe të siguronte kësisoj që Evropa të vazhdonte ta mbështeste NATO-n.

Gjatë një viti që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë, Evropa ka vuajtur shumë prej saj, ndërsa ShBA-ja ka fituar shumë dhe është bërë përfituesja më e madhe.

Nga njëra anë, eksportet amerikane të gazit natyror të lëngshëm në Evropë janë rritur ndjeshëm dhe kanë siguruar fitime të tepërta. Sipas të dhënave nga  uebsajti amerikan "Business Insider", çdo anije me gaz natyror të lëngshëm që lundron në Evropë nga ShBA-ja mund të sigurojë më shumë se 100 milionë dollarë fitime. Presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi publikisht se shitja nga ShBA-ja Evropës gaz natyror me katërfishin e çmimit nuk është "domethënia e vërtetë e miqësisë".

Nga ana tjetër, kompleksi industrial-ushtarak amerikan ka përfituar shumë nga konflikti Rusi-Ukrainë. Sipas një artikulli në uebsajtin e revistës së përjavshme amerikane “The Nation”, përpara përshkallëzimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, drejtuesit e kompanive të mëdha amerikane të armëve kanë filluar të diskutojnë se si tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës do të rrisin fitimet e tyre.

 

Në janar të vitit të kaluar, kryeekzekutivi i kompanisë “Raytheon Technologies”, Greg Hayes, tha se perspektiva e konfliktit në Evropën Lindore dhe në pikat e tjera të nxehta globale do të jetë e favorshme për zhvillimin e biznesit të kompanisë, duke theksuar që "ne shohim mundësi për shitje ndëkombëtare".

Në fushën ekonomike, euroja është bërë viktimë e “thikës së kasapit” të dollarit amerikan. Në gusht 2022, monedha e përbashkët europiane ra ndjeshëm kundrejt dollarit. Sipas analizës së uebsajtit gjerman “Handelsblatt”, kjo lidhet me faktorë të tillë si forcimi i dollarit amerikan, inflacioni i lartë në eurozonë, përhapja e krizës energjetike europiane, si dhe rritja e rrezikut në vendet europiane me nivele borxhi të larta.

 

Në fushat politike e diplomatike, politika e jashtme e Evropës është kufizuar dhe marrë peng nga ShBA-ja dhe është bërë një viktimë e lojës ShBA-Rusi. "Autonomia strategjike" që dëshiron BE-ja, është më e largët.

 

ShBA-ja miratoi "Aktin e uljes së inflacionit", që sjell shtrembërimin e tregut dhe përmban klauzola proteksioniste, duke përshpejtuar më tej prirjen e "çindustrializimit" në Evropë, që është gjithashtu goditje e rëndë për këtë kontinent. Zyrtarët e BE-së nuk mund të mos pyesin: "A është ShBA-ja ende aleatja jonë?"