Kina publikon dokumentin nr. 1 për këtë vit, nxitje e gjithanshme lulëzimit rural
2023-02-24 11:02:05

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Dokumenti qendror nr. 1 i Kinës për vitin 2023 u publikua në mes të shkurtit. Në këtë dokument qendror kërkohet që të nxiten në mënyrë të konsoliduar punët lidhur me zonat rurale, si zhvillimi, ndërtimi dhe menaxhimi rural.

 

Sipas këtij dokumenti, në vitin 2023 Kina do të përqendrohet te nxitja e zhvillimit industrial me cilësi të lartë në zonat rurale dhe do të eksplorohen më shumë sektorë të rinj në zonat rurale. Ndërkohë, do të bëhen përpjekje edhe për shtimin e të ardhurave dhe zgjerimin e bizneseve të banorëve të fshatit.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shtimi i të ardhurave është misioni qendror në programin shtetëror “bujqësi – fshat - fermer”. Në vitin 2022, të ardhurat e disponueshme për frymë në zonat rurale për herë të parë i kaluan 20 mijë juanët. Raporti mes të ardhurave urbane dhe rurale është ulur në 2.45, nga 2.88 që ishte më 2012, çka tregon që hendeku i të ardhurave ndërmjet zonave urbane e rurale po zvogëlohet gradualisht.

 

Lidhur me të ardhurat në zonat rurale, zv.drejtori i Zyrës së Grupit Drejtues Qendror  të Punëve Bujqësore dhe anëtar i komitetit të Partisë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Kinës, Wu Hongyao, thotë: “Duhet të shohim që tani shtimi i të ardhurave të fermerëve po ngadalësohet. Për këtë arsye, duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe e të marrim masa praktike afatshkurtra e afatgjata, për të zgjeruar kanalet e pasurimit të fermerëve.”

Lidhur me këtë, në dokumentin qendror nr. 1 janë bërë plane për stabilizimin e punësimit, shtimin e të ardhurave, eksplorimin e të ardhurave nga pronat rurale dhe zgjerimin e të ardhurave nga përkrahja financiare shtetërore. Synimi është që të shtohen fitimet e banorëve të fshatit, për të bërë që ata të kenë një jetë gjithnjë e më të mirë.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Për rritjen e të ardhurave të fermerëve, mbështetja më e fuqishme është lulëzimi i sektorit industrial. Në dokumentin nr. 1 është kërkuar që të bëhen përpjekje për zhvillimin e sektorëve të veçantë ruralë, integrimin sektorial, përmirësimin e strukturës industriale në zonat rurale dhe zhvillimin e përbashkët me zonat rurale, duke i shndërruar epërsitë e zonave rurale në burime, ekologji e pasuri kulturore në epërsi produktesh dhe epërsi industriale. Me formimin e grupeve industriale urbane-rurale, do të shtohet më tej aftësia për konkurrim e zhvillim të vazhdueshëm dhe pjesa e përfitimeve prej banorëve të fshatit do të rritet.

 

“Duhet të ndjekim prirjen e zhvillimit dhe të përqendrohemi te sektorët me epërsi të dukshme, me fuqi të madhe nxitëse e me kapacitet të madh punësimi, me synim që të nxitet punësimi dhe nisja e bizneseve nga banorët në zonat rurale dhe përreth tyre,” thotë Wu Hongyao.

 

Ai theksoi gjithashtu që do të forcohet zbatimi i masave mbështetëse, të rritet niveli i kualifikimit të fermerëve, të shtohet numri i vendeve të punës, të krijohen mundësi më të mëdha punësimi dhe të stabilizohet gjendja e punësimit të punëtorëve nga zonat rurale.

 

Në të ardhmen, Kina do të zhvillojë në mënyrë të thellë projektin e nxitjes së ndërmarrjeve të reja bujqësore dhe do të nxitë bashkëpunimin ndërmjet ndërmarrjeve dhe fermerëve të vegjël, duke realizuar shtimin e përbashkët të të ardhurave. Ndërkohë, do të thellohen reformat në sistemin e tokës në fshatra, do të përcaktohen të drejtat përkatëse të fermerëve, do të shpërndahen të drejtat në mënyrë të qëndrueshme dhe të gjallërohen të drejtat në mënyrë të rregulltë. Kështu, më shumë fermerë mund të përfitojnë nga procesi i reformës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Lidhur me programin e largimit nga varfëria, kryetari i Drejtorisë Shtetërore të Gjallërimit Rural të Kinës, Liu Huanxin, thotë që, me përpjekjet e përbashkëta, arritjet e Kinës në çrrënjosjen e varfërisë janë konsoliduar më tej. Sipas tij, në vitin 2022 nuk ndodhi kthimi masiv në varfëri, krahët e punës që janë nxjerrë nga varfëria janë në gjendje të qëndrueshme punësimi dhe të ardhurat e banorëve të varfër e të zonave të varfra kanë shënuar rritje të shpejtë.

 

Për të ardhmen, Liu bëri të ditur që do të eksplorohet gjallëria e zhvillimit, do të përcaktohet si masë thelbësore shtimi i të ardhurave të atyre që kanë dalë nga varfëria, do të vendoset si detyrë kryesore zhvillimi i shpejtë i zonave që kanë dalë prej varfërisë, do të nxiten fondet mbështetëse rurale me shfrytëzimin e mirë të mbështetjes financiare të qeverisë qendrore dhe do të thellohet bashkërendimi i krahinave lindore e perëndimore për sa u përket krahëve të punës. Krahas kësaj, do të përmirësohen politikat mbështetëse dhe do të integrohen në mënyrë të gjithanshme e efektive arritjet e largimit nga varfëria dhe projektit për lulëzimin rural. (Jiang Lei)