Wang Yi: Turneu në Evropë tregon angazhimin e Kinës ndaj zhvillimit paqësor
2023-02-24 19:48:42

Foto nga Xinhua

Drejtori i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Wang Yi tha të mërkurën se udhëtimi i tij në Evropë kishte për qëllim të tregonte angazhimin e Kinës për zhvillimin paqësor.

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, i tha këto gjatë një interviste me mediet kineze pas përfundimit të turneut të tij nëntëditor në Evropë. Ai shkoi në Francë, Itali, Hungari e Rusi, ku u takua e diskutoi me udhëheqës dhe zyrtarë të lartë mbi marrëdhëniet dypalëshe e më gjerë, si edhe në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut.

Me kërkesën e palës amerikane, Wang u takua në Munih me sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken.

Takimi ndërmjet dy zyrtarëve të lartë u zhvillua pothuajse dy javë pasi Shtetet e Bashkuara rrëzuan një anije ajrore civile kineze pa pilot që ishte shmangur nga kursi i planifikuar, duke hyrë në hapësirën ajrore amerikane për shkak të forcave  madhore.

Gjatë intervistës së të mërkurës, diplomati i lartë tha se beson që saga e anijes ajrore do të hyjë në histori si një farsë nga Shtetet e Bashkuara.

Ai i kërkoi palës amerikane të ketë një perceptim objektiv e të drejtë të Kinës dhe të rikthehet te një politikë racionale dhe pragmatike ndaj Kinës.

Pyetjes përse zgjodhi Evropën si destinacionin e vizitës së tij të parë të vitit, Wang iu përgjigj se Pekini i ka parë gjithmonë Kinën dhe Evropën si dy forca kryesore të mbrojtjes së paqes botërore, dy tregje të mëdha të nxitjes së zhvillimit të përbashkët dhe dy qytetërime që u japin shtysë përparimit njerëzor.

Kina dhe Evropa janë partnere e jo kundërshtare, janë mundësi e mirë për njëra-tjetrën e jo kërcënim, theksoi ai.

Duke iu referuar efektit të përhapjes së krizës së Ukrainës, Wang tha se menaxhimi i duhur i dallimeve dhe shtimi i komunikimit dhe i bashkëpunimit ndërmjet Kinës e Evropës do të sjellë qëndrueshmëri për situatën e luhatshme ndërkombëtare dhe do të jetë i rëndësishëm për një zgjidhje politike të çështjes së Ukrainës.

Lidhur me marrëdhëniet Kinë-Rusi, zyrtari i lartë tha se ato kanë vlerën e vet, nuk ka synuar kurrë asnjë palë të tretë dhe as nuk lejojnë ndërhyrjen e palëve të treta.

Ndërsa për krizën e Ukrainës, ai bëri të ditur që Kina do të publikojë një dokument kryesor, i cili inkurajon Rusinë e Ukrainën të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të përpiqen me bashkësinë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje politike për krizën.