Foto nga VCG
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha në një konferencë të rregullt shtypi të premten se të dhënat e investimeve të huaja të Kinës kanë pasur një "fillim të mbarë" këtë vit, gjë që tregon plotësisht se Kina është ende një “pikë e nxehtë” për investimet e huaja .
Sipas raporteve, në muajin e parë të këtij viti, përdorimi real i investimeve të huaja nga Kina arriti në 127.69 miliardë juanë, 14.5 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje të qëndrueshme dhe optimizim të vazhdueshëm të strukturës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Wang Wenbin theksoi:
"Për një kohë të gjatë, epërsitë e kërkesës së tregut të madh të Kinës dhe të ofertës së sistemit të plotë industrial kanë 'tërheqje magnetike' të fortë për investimet e huaja. Ndërsa parandalimi dhe kontrolli i epidemisë ka hyrë në një fazë të re, rimëkëmbja e rendit të prodhimit dhe të jetesës në Kinë është përshpejtuar dhe shumë organizata ndërkombëtare dhe institucione investuese, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, i kanë ngritur parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Kinës. Ne besojmë se ekonomia e Kinës do të përmirësohet si një e tërë, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për kompanitë e huaja që të investojnë dhe të fillojnë biznese”.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze vuri në dukje gjithashtu se rezultatet më të fundit të sondazhit të Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës tregojnë që 98.2 % e ndërmarrjeve me financim të huaj dhe shoqatave të huaja të biznesit të pyetura kanë besim në perspektivat e zhvillimit të ekonomisë kineze këtë vit, duke thënë se ata do të vazhdojnë të investojnë në Kinë dhe të ndajnë përfitimet e zhvillimit të Kinës, gjë që tregon plotësisht forcën tërheqëse të Kinës për investimet e huaja.(Çang Çuo)