Turizmi dimëror së fundmi është kthyer në një atraksion për shqiptarët dhe të huajt. Ndonëse shqiptarët priren të shijojnë më shumë pushimet verore, ato dimëroret duket se nuk mbeten mbrapa. Shqipëria ka turizëm malor, të njohur si “turizmi i bardhë” që zhvillohet më së shumti në zonat malore të vendit. Turizmi dimëror vitet e fundit nuk është më spontan, por po organizohet në disa stacione turistike, kryesisht në zonat malore në veri,veriperëndim dhe juglindje të vendit.
Ekspertja e turizmit, botuese e revistës turistike “Travel Balkans”, Flora Xhamani Baba komenton për Grupin Mediatik të Kinës turizmin dimëror në Shqipëri.
Ekspertja Flora Xhamani Baba në intervistë për CMG
CMG: Cila është situata e sezonit të sivjetëm të turizmit dimëror në Shqipëri?
Flora Xhamani Baba: Për fat të mire mund të flasim tashmë për turizëm të bardhë në Shqipëri, sepse jemi në stadin që në periudhën e dimrit mund t’i gëzohemi borës dhe aktiviteteve të ndryshme. Ndërsa turizmi dimëror duhet të ketë hallka të tjera sepse në vendin tone mungojnë pistat e skive. Edhe pse vendi ynë gjeografikisht ka 2/3 terren malor dhe 1/3 bregdetar, e gjithë ekonomia e vendit është përqendruar kryesisht tek resortet verore. Ne jemi një vend ballkano-mesdhetar që priret më shumë ndaj klimës diellore se sa asaj malore, ndaj kemi këtë fat nga natyra që mund të shijojmë më shumë verën se sa dimrin. Nëse do të krahasohemi me Kosovën, sa i përket turizmit të bardhë kemi ndryshim të madh, për arsye se në Kosovë ka pista dhe resorte skish.
CMG: Më herët në Shqipëri nuk ka patur një kulturë të turizmit dimëror të zhvilluar, por ka zhvillim në turizmin detar. Ndoshta Kosova duke mos patur det, është fokusuar në zhvillimin e turizmit dimëror. Ndalemi tek infrastruktura e stacioneve turistike dimërore në Shqipëri
Flora Xhamani Baba: Ka një përmirësim të infrastrukturës rrugore, e cila përbën problematikën më akute në të gjithë rrjetin rrugor rural në Shqipëri. Themi rural sepse vetëm Korça është një qytet, që mund të konsiderohet malor dhe ku presupozohet që në dimer të bjerë borë. Qytetet e tjera preken shumë rrallë nga dëbora dhe turizmin e pare duhet ta kërkojmë në zonat rurale veriore, verilindore dhe juglindore. Sa i përket infrastrukturës, në të gjithë segmentin e Malësisë së Madhe, Tamarë, Lëpushë, Vermosh dhe zonat e tjera rretheqark është përmirësuar sepse rruga shkon deri në Mal të Zi, përkatësisht në Vuthaj e Plavë e Guci.
Resorti i skive në Brezovicë të Kosovës (Foto Monitor)
CMG: Mund të udhëtojë çdo lloj mjeti?
Flora Xhamani Baba: Po, mjafton që rruga të mirëmbahet, duke hedhur kripë e pastruar nga bora me borëpastruese. Edhe Puka është një qytet shumë simpatik dimëror, që ka dhe një pistë skish, ashtu siç e ka dhe Dardha. Kemi shumë pak destinacione skish, sepse në të tjerat duhet të marrësh skitë me vete për shembull në pika turistike si Mali i Tomorrit, Voskopoja etj.
CMG: Në këtë turizëm të bardhë nëse nuk ka stacione skish, çfarë mund t’u ofrohet vizitorëve?
Flora Xhamani Baba: Ne bujtinat, ushqimin, peizazhin dhe mikpritjen nuk mund t’i fusim në sektorin përveç, sepse ato janë gjithçka për t’u shijuar në turizmin tone dimëror. Arsyeja kryesore se pse shqiptarët shëtisin nëpër Shqipëri në sezonin dimëror janë pikërisht këto. Aq e vërtetë është kjo, saqë në Korçë për sa kohë nuk kishte rënë borë, qyteti ishte pothuajse bosh sa i përket turistëve. Korça nisi të vizitohej kur ra bore në Dardhë, e cila ishte plor me vizitorë, ndërsa brenda qytetit nuk kishte shumë vizitorë. Njerëzit kanë si arsye kryesore në dimer dëborën dhe për këtë arsye mbushen stacionet dimërore me vizitorë që nga mali i Dajtit e deri destinacione të tjera të paimagjinueshme, siç mund të jenë fshatrat e Gramshit, apo fshatrat e thella malore të Elbasanit, si Gjinari.
CMG: Çfarë mund të na thoni për stacione të tjera dimërore si Voskopoja, Razma apo Thethi ?
Flora Xhamani Baba: Voskopoja, Thethi, Lëpusha, Vermoshi frekuentohen në dimer. Për shkak të angazhimit të strukturave të qeverisjes vendore është mbajtur e hapur rruga e Thethit, për ta patur pjesë të destinacioneve dimërore. Do të ishte një mungesë e madhe e turizmit tone të mos vizitohej Thethi në dimër.
CMG: A ka turistë të huaj që vijnë enkas në Shqipëri për të frekuentuar turizmin dimëror?
Flora Xhamani Baba: Ka një kategori turistësh të aventurës, ose siç njihet “turizmi i egër”, i cili është i organizuar permes grupeve tona që fatmirësisht po shtohen ndjeshëm. Bëhet fjalë për grupet e alpinistëve, të atyrë që bëjnë hiking dhe në çdo fundjavë ka së paku nga një grup profesionistësh ose gjysmëprofesionistësh, por që janë amatorë të ngjitjeve në mal në kohë bore. Në përbërje të këtyre grupeve ka dhe turistë të huaj që vizitojnë majat e Valbonës, Jezercës, ku është e mundur të bëhet ngjitja me pajisje të sporteve dimërore ekstreme. Ky grup ekonomikisht mund të jetë i papërfillshëm, por nga mënyra se si po rritet pritet që të kthehet në një grup të veçantë të turizmit të aventurës. Ka patur përpjekje serioze dhe të lavdërueshme të organizmave të ndryshëm për t’i bërë shtigjet ndërkufitare, që lidhin të gjithë pjesën verilindore, që fillojnë nga Kukësi, janë segmente të parqeve kombëtare Korab-Koritnik nga ku dalin disa shtigje që synojnë të mbajnë gjallë turizmin dimëror. Edhe bujtinat rurale të këtyre zonave të thella jo vetëm gjatë verëspor edhe dimrit përpiqen për t’i pasuruar dhe gjallëruar këto zona. Ka një plan zhvillimi i cili bëhet pikërisht nëpërmjet këtyre grupeve të turizmit të aventurës.
Pamje nga Kolashin (Foto Gazeta Si)
CMG: Revista që ju botoni “Travel Balkans” pasqyron në këtë sezon dhe turizmin dimëror. Ju vetë në rrjetet sociale pasqyroni të gjitha lëvizjet anembanë Shqipërisë dhe jashtë saj. Edhe në numrin e fundit të kësaj reviste ja keni kushtuar turizmit dimëror në Kosovë. Flasim për këtë
Flora Xhamani Baba: Shqiptarët më pare kanë vizituar stacionet turistike dimërore Kolashin dhe Mavrovë dhe më pas në Kosovë. Vizitorët e pare nga Shqipëria të bjeshkëve të Kosovës, Brezovicës dhe Prevallës i kanë zbuluar këto destinacione, ku tashmë shkohet masivisht. Kanë qenë vizitorët nga Kosova që kanë ardhur në numra të konsiderueshëm për të vizituar plazhet në periudhën verore dhe pastaj vizitorë nga Shqipëria nisën të vizitonin fillimisht qytete si Prizreni, Prishtina apo Gjakova dhe më pas iu drejtuan zonave malore Rugovës, Brezovicës, Prevallës, Pejës. Ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme nëpërmjet revistës sonë me artikuj informativë, reportazhe për destinacione konkrete, si bujtina, restorante, por dhe destinacione kulturore. Prishtina është e pasur me parqe arkeologjike, Muze Etnografik, pra një trashëgimi e shumëfishtë kulturore.
Min 13.27 pa folur pastaj për destinacione si miniera e Trepçës…. Ndërkohë 14.20 (Hiqet)
CMG: Si një eksperte e turizmit, si e shikon në një periudhë afatmesme a mund të bëhet Ballkani Perëndimor një paketë turistike dimërore për turistë të largët, siç janë turistët nga Kina ?
Flora Xhamani Baba: Në fakt Ballkani Perëndimor ka më shumë se një dekadë që është një paketë turistike, për turistë nga kudo, që ofrohet nga agjenci turistike të specializuara shqiptare, pa llogaritur agjenci të tjera. Ndoshta dhe vendet e tjera të Ballkanit si Bullgaria që ka stacione të njohura të turizmit dimëror, por edhe Rumania e Serbia do të ishte interesante sepse ka patur përpjekje për ta bërë këtë paketë. Nuk e di sa do të përfitonte Shqipëria nga kjo paketë sepse nuk është ende gati dhe nuk ka një listë spotesh ku mund të vijnë turistët.
Në Shqipëri nuk ka shumë kapacitete pritëse për këtë lloj turizmi. Mund të realizohet nëse i akomodon turistët në Korçë dhe i dërgon në Dardhë për ski sepse distancat nuk janë të mëdha. Mendoj se nëse do të bëhet resorti i Nikolicës mund të krijohet një trekëndësh i mirë turistik midis Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë dhe kështu mund të vizitohet Dardha, ku pista e skive ka patur një përmirësim cilësor, duke rritur dhe kapacitetet. Madje nëse diku pranë pistës ngrihet një njësi pritëse me 100 dhoma ajo pistë do të jetë e mjaftueshme për vizitorët që bëjnë ski.
Intervistoi Eda Merepeza
Pamje nga Dardha (Foto Korça blog)
CMG: Në plan afatshkurtër a do të bëhet turizmi malor shqiptar konkurrues në rajon?
Voskopoja, e cila ndodhet shumë afër qytetit të Korçës, mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit. Karakteristikë e 1vendit është ajri i pastër dhe uji i freskët dhe kurativ. Gjatë dimrit mund të praktikohet sporti i skive. Natyra e qetë dhe e bardhë është arsyeja kryesore që tërheq qindra shqiptarë për të kaluar pushimet dimërore. Për disa vite rresht rajoni juglindor vazhdon të mbetet preferenca e shumë prej familjeve shqiptare të cilat zgjedhin të ftohtin dhe aventurat në borë për të kaluar festa ndryshe nga ato të zakonshmet, deri tek ato tradicionalet. Në Voskopojë ka disa hotele të cilësisë së lartë. Në skajin juglindor ka aventura nga më të ndryshme, duke filluar nga skitë dhe deri te shëtitjet në malet e mbuluara krejtësisht nga dëbora. Kuzhina tradicionale e me ushqime bio është një tjetër arsye që i nxit turistët të marrin sërish rrugën drejt Voskopojës. Gjatë dimrit në lokale gatimet më të preferuara mbeten ato tradicionalet si, mishi i pjekur, lakrori dhe turshitë. Pyjet, vendi i duhur edhe për të apasionuarit pas gjuetisë, janë një ndër arsyet që tërheqin turistët vendas dhe të huaj.
Razma, është një tjetër destinacion shumë i preferuar. Fshati i Razmës, rreth 40 km në veri të Shkodrës, është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin dhe skitë. Fshati të ofron mundësi akomodimi në hotele dhe bujtina. Ka një klimë tipike malore, ajër shumë të pastër e me vlera kurative. Kullotat alpine, pyjet e ahut dhe të pishave janë karakteristike për zonën. Zona e Razmës ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës.
Lugina e Valbonës, pranë qytetit të Bajram Currit, është një destinacion shumë i vizituar. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Të bësh një udhëtim në dimër në luginën e Valbonës, është një mrekulli shpirtërore përsa u përket emocioneve që të ofrojnë peisazhet e saja. Në mbrëmjet e bujtinës, mitet e zonës do t’i kesh këmbëkryq pranë të zotit të shtëpisë. Ato janë të bukura dhe mbresëlënëse.
Vlerat shkencore, turistike dhe kurative janë të kombinuara me një bio-diversitet të rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Të pasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës qe të magjeps me pasurinë natyrore. Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt, por edhe nga mjaft shqiptarë, të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore.
Turizmi-malor-Kelmend- (Foto Monitor)
Parku Kombëtar i Thethi gjendet në Alpet Shqiptare, pranë Bjeshkëve të Namuna, 70 km nga Shkodra. Një monument natyror vërtetë interesant është ujëvara e Grunasit. Ujërat e saj zbresin nga një lartësi prej 30 metër, në zemrën e Alpeve Shqiptare. Thethi ka pamjen e një pellgu 800 metra mbi nivelin e detit. Ai është i vendosur midis një kurore majash të thepisura, si, Radohima, Maja e Arapit, Maja e Alisë, që spikatin për bukuritë e rralla në të gjithe Alpet. Thethi shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos ngjyrave. Mjaft tërheqëse janë burimet e ujërave të Okolit. Këtu gjendet edhe “kulla e ngujimit”, element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë periudhës së gjakmarrjes strehohej gjakësi. Sot objekt i trashëgimisë kulturore shumë i vizituar nga turistët. Në Theth janë 10 banesa të përshtatura për turizëm, me dhoma me kushte normale, ku 6 janë tip hanesh, ndërsa katër janë banesa të zakonshme, tipike për zonën dhe janë përshtatur për turizëm. Kuzhina tradicionale e Thethit përbëhet nga “ferliku” (mish i pjekur), gatimi i troftës së përroit të Thethit, si dhe nënproduktet e qumështit (djathrat e ndryshëm, gjiza, kosi i freskët, etj). Në Theth mund të organizohen aktivitete të shumta në natyrë, si: ngjitjet malore, speleologjia, kajaket në përroin e Thethit, peshkimi sportiv malor, sportet dimërore në shpatet natyrore me borë, biçikleta malore, ski etj. Është vërtet një natyrë e bukur malore me mite e bukuri të rralla, por infrastruktura rrugore deri në Theth është tepër e amortizuar. Pushteti qëndror dhe ai lokal duhet të bëjnë më shumë për këtë perlë të natyrës shqiptare,për ta afruar te vizitori.
Dajti është një tjetër destinacion për turizmin e bardhë. Është shumë pranë Tiranës dhe mjaft i vizitueshëm në stinën e dimrit. Ka një alternativë komode për të mbërritur në Dajt, ajo me teleferik. Alternativa rrugore që është dhe më e bukura, ku udhëtimi alternohet edhe me pamjet e bukura që të afron natyra, mbetet e vështirë për shkak të rrugës tepër të amortizuar.
Boga ndodhet mes maleve të Rugovës. Fshati i Bogës është një prej vendeve më të bukura në Kosovë për të shijuar borën. Boga të jep një ndjenjë më miqësore dhe pothuajse të gjitha objektet e kësaj qendre janë të vendosura në një vend të përbashkët. Ajo gjithashtu ofron një shtrirje afër teleferikëve, të cilët gjenden afër shtëpive të bukura prej druri, për të kaluar një fundjavë të këndshme. Në fshat ndodhet një pistë skish me parametra bashkëkohorë, ku mund të argëtohen edhe fillestarët në këtë lloj sporti. Këtu është bërë një punë e mirë për thithjen e turizmit dimëror nëpërmjet rrugëve të komunikimit dhe akomodimit.
Dardha, është një fshat i thellë në zonën e Korçës, që në një ditë normale nuk ka më shumë se 40 banorë, por në ditë festash dhe pushimesh sezonale fshati mbushet nga vizitorët. Dardha është një fshat malor midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore, në një lartësi 1 344 m. Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Sportet dimërore, sidomos skitë, tërheqin turistë të apasionuar pas tyre. Ka një pistë skish që ka mbetur akoma faza amatore dhe nuk është investuar për ta bërë atraktive për turistin e apasionuar pas skive. Edhe rruga drejt këtij fshati lë për të dëshiruar. Emri Dardhë vjen nga një legjendë, sipas të cilës, thuhet se të ikurit nga djegia e parë e Voskopojës, qëndronin në një fushë rreth një peme dardhë dhe e quanin si fusha poshtë dardhës. Kohët e fundit hotelet të cilat ofrojnë shërbime turistike janë shtuar dhe çmimet kanë qenë të arsyeshme.7
Tomorri është mali më i veçantë në Shqipëri dhe më enigmatiku. Është quajtur froni i perëndive për lartësinë,egërsinë, bukurinë dhe enigmën e tij. Aty mbretëronte Dodona Pellazgjike ose Dodona “Dimër Keqe”. Ka zona të mbuluara me borë të përjetshme si dhe shumë burime ujore disa edhe të çuditshëm si ai i kuçedrës. Gojëdhëna thotë se atë e komandon një kuçedër që e lëshon dhe e pret ujin kur do ajo. Dhe vërtet uji në këtë burim rrjedh me ndërprerje. Mund të jesh duke pirë ujë në të dhe befas ai ndërpritet. Gjeologët e shpjegojnë si një fenomen gjeologjik që ndodh në shtresat tektonike të nëntomorrit, por ka dhe një gojëdhënë që flet se ai mal qëndron sipër diçkaje, pra poshtë tij fshihet diçka. Në stinën e dimrit zbardhet i gjithi dhe vizitorët nuk i mungojnë. Turisti duke udhëtuar drejt tij, mund të shfrytëzojë kanionet e lumit Osum, shpellat e rrjedhës së tij, mund të njihet me monumente kulture të vjetra si ura, kisha e teqe, por mund të ushtrojë dhe sportin e skive apo të gjahut dimëror.
Pamje nga Dardha (Foto Into Albania)
Brezovica është një fshat piktoresk malor që ndodhet në shpatet e famshme të Brezovicës, një vendpushim dhe pistë skish në 2,500 metra mbi nivelin e detit . Fshati turistik është i pozicionuar dhe i ekspozuar ndaj një peisazhi shumë të vecantë. Malet mbreslënëse të Sharrit dhe lumi i cili rrethon të gjithë hapësirën. Brezovica ofron një pistë skish të mirë për një sport profesionist. Pa dyshim se do të bëhet një destinacion madhor në një të ardhme, por edhe sot paraqet një vend të shkëlqyer për të pasur aventura , që janë të lira dhe zbavitëse. Pushuesit do të gjejnë dhjetë teleferikë, që janë të lidhur me 16 kilometra pistë me një gjatësi mesatare prej 3,000 metra. Pistat janë të gjëra dhe të ndryshme në strukturë dhe mund të zbaviteni me një çmim të arsyeshëm Në Brezovicë gjenden locale, restorante dhe hotele për akomodim.
Llogaraja ndodhet në jug-lindje të Vlorës, në kufirin midis Adriatikut dhe detit Jon. Parku shkon nga lartësia 470 m në lartësinë 2018 m. Pranë Qafës së Llogarasë ka shumë pemë dhe forma interesante kurorë si rezultat i baticave dhe erës. Një shembull mahnitës është “Pisha Flamur”, një monument i rrallë i natyrës me vlera shkencore dhe turistike. Ky park ofron një mot dhe peizazh tërheqës dhe fusha karakteristike. Bimësia e saj përbëhet kryesisht nga halorë si pisha e zezë. Parku i Llogarasë ka një rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor. Ai ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksoze.
Sezoni i turizmit dimëror ka nisur, biznesi privat i ka filluar përgatitjet dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qëndror për të qenë në lartësinë e duhur në infrastrukturën rrugore dhe me shërbime të tjera si, drita, ujd të pijshëm, shërbim mjekësor. Pengesa kryesore është infrastruktura rrugore që në shumë zona është e renduar gjatë stinës së dimrit. Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër. Po ashtu, Valbona, Dardha, Tomorri apo edhe vetë Voskopoja.