Më 13 shkurt 2023 në ditën botërore të Radios, fëmijët e kopshteve të Tiranës vizituan disa radio të kryeqytetit, me rastin e Ditës Botërore të Radios. 13 shkurti i vitit 1946 shënon transmetimin e parë të Radios kur Kombet e Bashkuara që themeluan radion zyrtare. Fjalët të cilat bënë historinë ishin: “ Janë Kombet e Bashkuara që i flasin popujve të gjithë botës”. Në kuadër të kësaj dite, tashmë e kthyer në një traditë në programin mësimor në kopshte, për të disatin vit rradhazi, fëmijët vizatojnë, pikturojnë, por edhe vizitojnë radion. Media që ka treguar se i reziston kohës, është radio, duke përballuar me sukses edhe ndryshimet që solli epoka e internetit.
Për 13 shkurtin 2023, UNESCO vendosi të evidentojë radiot e pavarura si shtylla që parandalojnë konfliktet e që ndërtojnë paqen. Në një deklaratë, nënvizon: “Narrativa e një radioje, mund të shtojë tensionet ose të kontribuojë për paqe. Gjatë raportimit dhe informimit të publikut, një radio mund të formësojë opinionin publik e të kornizojë narrative, duke influencuar situatat dhe vendimmarrjen. Kështu që rritja e standardeve gazetareske të radios duhet konsideruar si investim për paqen” përfundon deklarata e UNESCO-s.
Në këtë ditë të shënuar globale fëmijët e kopshteve të Tiranës vizituan disa radio si pjesë e programit mësimor për të mësuar se si bëhen emisionet dhe transmetimet radiofonike. Në intervistë për Radio Ejani edukatore, Afërdita Hoxhaj na tregon më tepër për këtë aktivitet me fëmijët.
CMG: Në kuadër të Ditës Botërore të Radios, fëmijët e kopshteve vizituan disa radio në kryeqytet. Sa kohë ka që realizohet kjo temë në kopshte?
Afërdita Hoxhaj: Në kuadër të Ditës Botërore të Radios, fëmijët e kopshtit tonë vizituan ambjentet e një radioje. Ne kemi disa vite që e zhvillojmë këtë aktivitet dhe qëllimi i tij është njohja nga afër e një ambjenti radiofonik dhe emocionet që përjetohen aty.
CMG: Si e kanë pritur fëmijët vizitën në radio? Cili ka qenë opinioni i tyre?
Afërdita Hoxhaj: Fëmijët e pritën me padurim vizitën ne radio. Kurioziteti për t’i parë dhe prekur gjërat nga afër dhe për të lidhur teorinë me praktikën ju shton më shumë dëshirën. Në duar mbajnë radio të krijuara nga vetë ata dhe tregojnë se sa shumë u pëlqejnë tek dëgjojnë zërin e shokut, shoqes apo dhe zërin e tyre në mikrofon.
CMG: A ka shprehur ndonjë prej fëmijëve dëshirën për t’u angazhuar me radion në të ardhmen? A kishin emocione pranë mikrofonit?
Afërdita Hoxhaj: Disa prej tyre shprehën dëshirën e madhe për t’u angazhuar me radion në të ardhmen. Ata ndajnë me njëri -tjetrin emocionet e bukura që përjetuan pranë mikrofonit në këtë ditë të veçantë.
CMG: Si i trajtoni tema të tilla në kopshitin tuaj?
Afërdita Hoxhaj: Në një orë mësimi për radion ne diskutuam për funksionimin e radios, nevojës që ndihej për të, të cilën e ilustrojmë me figura dhe radio të ndryshme nga më të vjetrat deri ato në kohën e sotme. Unë grupin tim të fëmijëve e kam shëtitur edhe në ambjente ku ruhen këto radio të vjetra, duke jua treguar më konkretisht dhe nga afër. Gjithashtu në grup ne kemi realizuar edhe radio me plastelinë, vizatime të ndryshme, improvizime, etj.
Në ditën Botërore të Radios, dëgjuesit shqiptarë kujtojnë njëherësh dhe 85-vjetorin e stacionit të parë dhe më të vjetër radiofonik shqiptar, Radio Tiranës. Fëmijët, gjithashtu kanë recituar vjersha të ndryshme, kanë kënduar këngë, por edhe kanë provuar emocionet në radio, ndërsa dëgjonin zërin e tyre apo të shokut në mikrofon. Këtë vit, drejtuesit e Radio Tiranës ju dhuruan fëmijëve përralla dhe këngë të ruajtura elektronikisht, të cilat do t’u mbeten gjatë në memorien e tyre. Punonjësit e medias u munduan që t’ua bënin fëmijëve të paharrueshëm këtë ditë kaq të veçantë.
Intervistoi: Sava Lena