Shëtitje në Nankin
2023-02-23 11:22:49

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qyteti Nankin është kryeqendra e provincës Jiangsu në Kinën Juglindore dhe një nga trashëgimtarët e rëndësishëm të qytetërimit kinez. Gjetjet historike tregojnë se që herët, para 1 deri 1.2 milionë vjetëve, këtu kishin jetuar njerëz të lashtë.

Gjatë periudhës “Tre shtetet” të historisë kineze, në vitin 229, perandori i shtetit “Wu Lindor” Sun Quan e përcaktoi Nankinin si kryeqytet të shtetit, duke nisur ndërtimin në përmasa të mëdha të tij. Pas kësaj, dinastia “Jin Lindor”, shtetet “Song”, “Qi”, “Liang”, “Chen” të dinastisë jugore e përcaktuan përkatësisht Nankinin si kryeqytet dhe përmasat e tij u zgjeruan më tej, ndërsa popullsia u shtua shumë. Gjatë asaj periudhe, Nankini ishte qyteti më i madh në botë, duke u bërë i pari me mbi 1 milion banorë në gjithë rruzullin. Në atë kohë, Nankini dhe Roma e Lashtë quheshin “dy qendra të qytetërimeve klasike botërore”. 

Pas rreth 800 vjetëve, në 1368-ën u themelua dinastia Ming me kryeqytet Nankinin, i cili u bë përsëri qendra politike, ekonomike e kulturore e Kinës. Dinastia Ming ishte një periudhë e lulëzimit ekonomik dhe kulturor në historinë kineze. Në vitin 1382, u krijua Akademia “Guozijian”, institucioni më i lartë arsimor në dinastinë Ming. Gjatë periudhës së perandorit Yongle, “Guozijian” u shndërrua në shkollën e lartë me përmasat më të mëdha në botë. Numri i studentëve arriti në mbi 9 mijë, duke përfshirë edhe ata të huaj, të ardhur nga Japonia, Koreja etj.

 Nankini është djepi i arsimit modern të Kinës. Në fund të shekullit të 19-të, kisha amerikane themeloi disa shkolla fillore në Nankin. Në vitin 1888, u themelua Universiteti “Jinling” i Nankinit, i cili u vlerësua si shkolla më e mirë e kishës në Kinë atë kohë. Në vitin 1902, u krijua Shkolla Pedagogjike “Sanjiang” e Nankinit, e cila ishte një nga shkollat e para pedagogjike në Kinë. Në vitin 1913, u krijua në Nankin universiteti femëror “Jinling”, i pari vetëm për këtë gjini në Kinë. Krahas këtyre, në Nankin u themeluan shkollat e para dramatike, mjekësore, muzikore, kinematografike etj. të Kinës.

Nankini është gjithashtu vendlindja e sporteve moderne kineze. Në vitin 1910, në Nankin u zhvilluan Lojërat e para Kombëtare kineze dhe në nëntor të atij viti, u zhvillua maratona e parë në Kinë. Krahas këtyre, në vitin 1924, po në Nankin u krijua Shoqata Pankineze e Sportit, e cila i hapi udhë Komitetit Olimpik të Kinës,  duke shënuar themelimin e sportit olimpik në vend.

Gjatë historisë mijëravjeçare të zhvillimit, Nankini ka trashëguar monumente të panumërta, si lumi Qinhuai, tempulli “Fuzi”, muri i qytetit, mauzoleumet “Ming Xiaolin”, Sun Yat-sen etj. Pas rregullimit të masave parandaluese e kontrolluese të pandemisë, Nankini është rigjallëruar shpejt dhe ky qytet i lashtë e modern ka rihapur sërish dyert për vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit. (Fani)