Marge Pëllumbi është vajza e talentuar nga Tirana, e cila ka spikatur për talentin e saj në botën e artit. Talenti që veçon Margen nga të gjithë fëmijet e tjerë sot, jo vetëm nga mosha, por edhe suksesi i arrirë që në moshën 1 vjeçare si imazhi i fabrikes së prodhimit të qumështit ‘Zepa Natyral” në Tiranë, tregon se arritjet dhe fama nuk njeh moshë. Marge Pëllumbi sot është 6 vjeçe e gjysmë, e shkathët, e dashur dhe shumë aspiruese në rrugën që ka zgjedhur. Ajo e do shumë fotomodelingun dhe realizimin e videove/fotove kur nën interpretimin e saj interesant arrin të realizojë super imitime të personazheve publike. Kur mbushi 1 vjeç e gjysmë, Marge u bë pjesë e revistave më të njohura “Living” “Class” “Star people”etj. Në moshën 2-vjeçare fitoi titullin “Miss Little Kuq e zi” në 2018. Pas gjithë këtij rrugëtimi të suksesshëm, ajo u bë pjesë si e ftuar në shumë programe të ndryshme televizive.
Marge Pellumbi ( burimi foto personale)
Aktualisht Marge ka arritur të realizojë kontrata fitimprurëse në Francë, duke bashkëpunuar me kompanitë e mëdha të modelingut. Njeriu që i qëndron më pranë dhe mbështetja e saj më e madhe është nëna e saj Marinela. Ajo nuk lodhet për bijën e saj, për ta ndjekur në çdo hap, ndërsa të dyja sëbashku rrëfejnë jetën e tyre si një portret për dëgjuesit e Radio Ejani.
CMG: Marinela, ju jeni një nënë shumë e përkushtuar, ku e keni gjetur gjithë këtë guxim për të qëndruar pranë në çdo hap të vajzës suaj ?
Marinela Pëllumbi: Unë e quaj veten nënë me fat, me shumë fat! Kam një vajzë të cilën në fakt e kam projektuar që të jetë e tillë dhe të arrijë deri këtu ku është sot. Më duhet ta pranoj që nuk kam qenë vetëm unë njeriu që ka punuar për vajzën time, por edhe bashkëshorti apo edhe gjithë familjet tona. Duke qenë Marge fëmija i parë natyrshëm na ka lindur përgjegjësia për të pasur më shumë përkushtim ndaj saj. Nuk i ka munguar asgjë, në asnjë moment dhe unë jam përpjekur të heq dorë nga ëndërrat e mia për t’i plotësuar asaj ëndrrat.
CMG: Marge, a je ti e lumtur ?
Marge Pëllumbi: Jam shumë e lumtur.
CMG: Të pëlqen të jesh kaq aktive, lodhesh ndonjëherë?
Marge Pëllumbi: Jo, unë e dua këtë gjë .
Marge Pellumbi dhe Marinela Pellumbi ( burimi top news)
CMG: Marinela, duke qenë se rrjedha e bisedës na e solli pikërisht këtë pikë: "Lodhjen e fëmijës", a është Marge si gjithë fëmijët e tjerë, që luajnë dhe ndjekin ëndrrat apo duhet t’i përmbahet funksioneve që ka marrë përsipër ajo dhe ju vetë ?
Marinela Pëllumbi: Mua ma bëjnë shumë shpesh këtë pyetje dhe nuk ngurroj të përgjigjem ashtu si unë e mendoj. Gjithmonë jam përpjekur që përbri ëndrrave të saj të jetë e gjallë dhe bota e fëmijëve. Marge e do jetën, e do sfidën e do këtë gjë që bën dhe përkundrazi ajo nuk ndihet e shqetësuar. A luan me fëmijët ? Absolutisht po, sepse është një fëmijë. Marge ka një bukuri të pastër që e kanë vlerësuar të gjitha kompanitë e modës që e kanë parë dhe ajo tani ja njeh vetes këtë aset. Unë jam përpjekur t'ia tregoj në çdo formë se kush është pasi është tepër e rëndësishme që ajo ta dijë këtë gjë. Sot që ne flasim bashkë në këtë bisedë, nëse unë harroj t’i bëj foto apo ta ndjek në rrugën e saj është ajo që më rikujton dhe nuk e le veten e saj pas dore. Për këtë unë kam punuar fort ndaj e them me bindje që vajza ime do t'ia dalë në rrugëtimin e saj të jetës.
CMG: Marge përveç modës dhe aktiviteve artistike, ty të pëlqen diçka tjetër ?
Marge Pëllumbi: Po, më pëlqen shkolla .
Marge Pellumbi dhe Marinela Pellumbi ( burimi foto personale)
CMG: Marge është ende fëmijë, por arrin ta kuptojë rëndësinë e shkollës?
Marinela Pëllumbi: Marge është rritur me një teze dhe një gjyshe të cilat janë mjekë dhe si të tilla ato janë përpjekur që pak nga pak t'ia kultivojnë asaj dashurinë për mjekësinë dhe në planet afatgjata të miat për mënyrën se si e shoh Margen nga aspekti profesional është se dua të jetë një mjeke e zonja. Dhe kam kuptuar që tiparet tashmë i ka marrë, ajo tregon të njëjtat sjellje që nëna ime i bën apo motra ime dhe dukshëm kërkon t'u ngjasojë atyre me çdo kusht dhe ndoshta do t'ia dalë. Ëndrra ime është që ajo të jetë mjeke .
CMG: Marinela, ju folët për ëndrrat tuaja. por a keni qenë ju një fëmijë si Marge me kaq shumë përkushtim rrethuar ?
Marinela Pëllumbi: Unë kam pasur një fëmijëri shumë të bukur aq sa e kujtoj me dashamirësi çdo gjë që ka kaluar dhe nëse koha do kthehej me kënaqësi do jetoja çdo çast të së kaluarës. Por, nuk mund të them që kam qenë si Marge, pasi kushtet janë shumë të ndryshme, por dashurinë e kam pasur shumë të madhe dhe po aq sa timen ndaj saj kam pasur të nënës sime ndaj meje .
CMG: Ndërsa sot jeni një grua e cila duhet të jetojë me sfida të shumta, si erdhi zhvendosja në Francë?
Marinela Pëllumbi: Në Francë ne erdhëm prej vajzës sepse ajo ka kontrata shumë të mira me kompani mode dhe veshjesh për fëmijë këtu. Nuk mund t’i refuzonim ofertat për të.
Marge Pellumbi ( burimi foto personale)
CMG: Si ndiheni që vajza juaj paguhet që në moshë të vogël?
Marinela Pëllumbi: E lumtur, sepse kam arritur të bëj diçka kaq të madhe që një fëmijë ta nisë karrierën që e vogël, që në moshën 1-vjeç. Marge ka nisur hapat e saj të vegjël, por shumë të sigurtë dhe fatsjellës.
CMG: Po për veten tuaj, për dëshirat tuaja profesionale mendoni?
Marinela Pëllumbi: Në fakt çdo gjë ka kaluar në plan të dytë. Me evidentimin e talentit tek Marge unë kam lënë çdo gjë pas dore dhe jam foksuar tek ajo, por nuk jam penduar. Jam shumë e lumtur që jam dedikuar tek vajza ime e bukur.
CMG: Marge a ke ti një mesazh për dëgjuesit e Radio Ejani?
Marge Pëllumbi: Ju dua shumë të gjithëve.
Intervistoi: Megi Latifi