Manastirliu: Mbi 5200 gra përfituan subvencionim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
2023-02-23 15:57:40

Ministrja e Shendetesise Ogerta Manastirliu (Foto Atsh)

Ministrja e Shendetesise Ogerta Manastirliu (Foto Atsh)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, mori pjesë në një takim me gratë përfituese nga programi i ri i mbështetjes me sigurime shoqërore dhe shëndetësore në qarkun e Shkodrës.

Ministrja Manastirliu deklaroi se ky program do të fuqizojë të gjitha nënat me shumë fëmijë, ku vitet e përkujdesit të fëmijëve do të njihen si vite pune, përcjell “ATSH”.

Sipas saj, janë 5210 nëna të papuna me më shumë se tre fëmijë që kanë përfituar mbështetjen për muajin janar dhe do të përfitojnë mbështetjen në vijim në të gjithë Shqipërinë.

“Janë më shumë se 9 mijë nënat që kanë aplikuar në këtë program dhe programi do të vijojë të jetë i hapur për të aplikuar të gjitha ato të cilat kanë nevojë për të pasur mbështetjen për të rritur dhe për t’u kujdesur për fëmijën e tretë, të katërt apo më shumë”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se, programi nuk është burokratik, ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se kjo politikë e re vjen në vazhdën e politikave sociale të deritanishme dhe se mbështetja me programet sociale për gratë dhe shtresat në nevojë do të vijojë. (Elona)