Kryediplomatët e Kinës dhe Indonezisë nënvizojnë pavarësinë strategjike të ASEAN-it
2023-02-23 13:25:49

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang dhe homologia e tij indoneziane Retno Marsudi theksuan të mërkurën pavarësinë strategjike të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Foto:VCG

Foto:VCG

Në një konferencë të përbashkët shtypi pas bashkëdrejtimit të mbledhjes së katërt të Komisionit të Përbashkët mbi Bashkëpunimin Dypalësh Kinë-Indonezi të zhvilluar në Xhakartë, Retno shprehu angazhimin e vendit të vet për të mbrojtur paqen, qëndrueshmërinë e lulëzimin rajonal, duke vënë në dukje se ASEAN-i nuk duhet të bëhet përfaqësues i ndonjë force të jashtme e as të përfshihet në konkurrencën e vendeve të mëdha.

Ajo vuri në dukje që Indonezia do të përmbushë detyrat e veta gjatë mandatit si vend kryetar i radhës i ASEAN-it dhe se kjo organizatë do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me Kinën, duke luajtur rolin e vet unik si një qendër e rritjes ekonomike, për të kontribuuar në rigjallërimin botëror pas pandemisë së COVID-19.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm kinez Qin Gang tha se Kina gjithmonë e konsideron ASEAN-in si përparësi në diplomacinë e vet me vendet fqinje, duke premtuar mbështetje të plotë ndaj Indonezisë gjatë mandatit si vend kryetar, për ta bërë ASEAN-in një qendër rritjeje dhe për të nxitur mëkëmbjen rajonale pas pandemisë.

Sipas tij, nuk ka vend për një Luftë të Ftohtë të re e as për konkurrencë ndërmjet vendeve të mëdha në Azi-Paqësor, dhe vendet e rajonit nuk duhen detyruar të mbajnë anë.

“Besoj se vendet e ASEAN-it, duke përfshirë Indonezinë, do të bëjnë gjykime dhe zgjedhje të pavarura në bazë të interesave thelbësore të paqes, të qëndrueshmërisë dhe të zhvillimit rajonal”, theksoi kreu i diplomacisë kineze.

Ai shtoi se Kina mbështet një ASEAN të pavarur nga ana strategjike, të bashkuar e të fuqishëm, si edhe përkrah pozicionin qendror të kësaj organizate dhe arkitekturën e saj rajonale gjithëpërfshirëse, duke kundërshtuar politikën e blloqeve dhe kundërvënien mes kampeve.

Kina e Indonezia kanë rënë në një mendje të thellojnë sinergjinë strategjike dhe të nxisin bashkëpunimin në tregti e investime, tha ministri.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ai deklaroi në konferencën e shtypit se të dy vendet kanë bashkëlidhur strategjitë e veta të zhvillimit, kanë përballuar bashkërisht rreziqet e sfidat dhe kanë vazhduar thellimin e modelit të ri të bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike, njerëzore dhe detare, duke krijuar një shembull për vendet në zhvillim të ndarjes së të ardhmes së përbashkët, të fuqizimit nëpërmjet bashkimit dhe të solidaritetit e të bashkëpunimit.

Sipas tij, të dy vendet do të shtojnë kontaktet e nivelit të lartë, do të konsolidojnë besimin e ndërsjellë strategjik, do të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje e do të shtojnë bashkërendimin në fushat e politikës dhe të sigurisë, duke ofruar mbështetje mbi çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit, për të nxitur në mënyrë më të thellë dhe konkrete ndërtimin e bashkësisë Kinë-Indonezi me të ardhme të përbashkët.

Kryediplomati kinez vuri në dukje gjithashtu se të dy vendet do të thellojnë sinergjinë strategjike e do të përshpejtojnë ndërtimin e autostradës Xhakartë-Bandung dhe projekteve të tjera kryesore të bashkëpunimit brenda kornizës së nismës “Një brez, një rrugë”, për të garantuar përfundimin ose përurimin e tyre sipas planit të paracaktuar.

Kina dhe Indonezia do të vazhdojnë të nxisin edhe ndërtimin e projekteve, si Korridori i Gjithanshëm Ekonomik Rajonal dhe “Dy vende, dy parqe”, për të krijuar një model i ri referimi për ndërtimin me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë”.

Gjithashtu, të dy palët janë të gatshme të ngrenë nivelin e bashkëpunimit dhe të investimeve në një nivel më të lartë. Kina, si partnerja më e madhe tregtare dhe vendi i dytë më i madh i investimeve të huaja në Indonezi, do të zgjerojë importimin e mallrave dhe produkteve cilësore bujqësore e ujore nga Indonezia.

“Kina do të inkurajojë ndërmarrjet kineze të investojnë në Indonezi dhe do të zgjerojë fushat e bashkëpunimit që nga infrastruktura e zhvillimi i gjelbër deri në ekonominë digjitale e shëndetësi, duke krijuar pika të spikatura në bashkëpunimin detar dhe duke rinisur bashkëpunimin në fushën e produkteve detare”, shtoi ministri kinez.

Sipas tij, të dy palët do të forcojnë bashkëpunimin turistik, arsimor, kulturor, rinor e sportiv, duke nxitur shkëmbimet kulturore-njerëzore. “Me shtimin e fluturimeve të drejtpërdrejta, vizitat e turistëve kinezë në Indonezi do të shtohen, e madje do ta tejkalojnë nivelin para pandemisë,” tha Qin Gang.

Foto:VCG

Foto:VCG

Për sa i përket çështjes së Detit të Kinës Jugore, të dy vendet, bashkë me vendet e tjera anëtare të ASEAN-it, do të zbatojnë plotësisht dhe në mënyrë efektive Deklaratën mbi Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore, do të shpejtojnë negociatat mbi Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore dhe do të mbrojnë së bashku paqen e qëndrueshmërinë rajonale.

Kina dhe Indonezia do të forcojnë bashkëpunimin mbi Nismën e Zhvillimit Global e Nismën e Sigurisë Globale dhe do të thellojnë komunikimin e bashkërendimin brenda kornizave shumëpalëshe, si G20 dhe BRICS, duke mbrojtur e praktikuar multilateralizmin e vërtetë.

Gjatë vizitës në Xhakartë, Qin Gang-u u prit edhe nga presidenti indonezian Joko Widodo.