Wang Yi: Kina do të luajë rol konstruktiv në nxitjen e paqes dhe zhvillimit botëror bashkë me Rusinë
2023-02-23 13:38:22

Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të ruajtur fokusin strategjik, për të thelluar besimin e ndërsjellë politik, për të forcuar bashkërendimin strategjik e për të zgjeruar bashkëpunimin praktik, duke mbrojtur interesat e ligjshme të të dy vendeve e duke luajtur një rol konstruktiv në nxitjen e paqes dhe zhvillimit botëror. Kështu u shpreh të mërkurën drejtori i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Wang Yi gjatë takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Situata e tanishme ndërkombëtare është e ndërlikuar dhe serioze, por marrëdhëniet kino-ruse u kanë qëndruar sprovave dhe janë të pjekura, të forta e të qëndrueshme, tha Wang, i cili është gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së.

Ai u shpreh se partneriteti i gjithanshëm strategjik i bashkërendimit Kinë-Rusi nuk drejtohet kurrë kundër ndonjë pale të tretë dhe nuk lejon ndërhyrje a detyrim nga ndonjë palë e tretë.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet kino-ruse kanë një themel të fortë politik, ekonomik e kulturor, diplomati i lartë kinez tha se mbështetja e të dy vendeve për multipolarizimin botëror dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare është në përputhje me prirjen e kohës.

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Nga ana e tij, Putini u shpreh që marrëdhëniet ruso-kineze po shkojnë drejt objektivave të paracaktuar.

Sipas tij, të dy palët kanë arritur rezultate të frytshme në bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe bashkërendimin në organizata shumëpalëshe, si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe BRICS-i, duke forcuar solidaritetin e bashkëpunimin mbi çështjet ndërkombëtare. Këto kanë rëndësi të madhe në promovimin e demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, si edhe në ekuilibrin dhe stabilitetin global, shtoi presidenti rus.

Të dyja palët patën gjithashtu një shkëmbim të thellë mendimesh për çështjen e Ukrainës.

Wang shprehu vlerësimin e tij ndaj vullnetit të ripohuar nga pala ruse për zgjidhjen e problemit nëpërmjet dialogut e negociatave.

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Ai tha se Kina, si gjithmonë, do të mbajë një pozicion objektiv e të paanshëm dhe do të luajë një rol konstruktiv në gjetjen e një zgjidhjeje politike të krizës.(Zhang Yan/Artan)