Eksportet në trajektore pozitive, me rritje dhe importet nga Kina
2023-02-23 11:09:31

Eksporte (Foto abc news)

Eksporte (Foto abc news)

Tendenca e rritjes se eksporteve ka vijuar edhe ne muajin e parë të këtij viti, e nxitur dhe nga shtrenjtimi i çmimeve. INSTAT raportoi se në Janar 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u rritur me 20,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 4,6 %, në krahasim me Dhjetor 2022.

Sipas të dhënave të detajuara të Instat këto janë grupet me Kontribut në ndryshimin vjetor të eksporteve.

“Gjatë muajit Janar 2023, në rritjen e eksporteve prej 20,2 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,7 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje. Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje”

Importet e mallrave arritën vlerën 58 mld lekë, duke u rritur me 5,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me -38,5 %, në krahasim me Dhjetor 2022 ku ndikim patën disa grupe.

Eksport-importet (Foto Instat)

Eksport-importet (Foto Instat)

“Gjatë muajit Janar 2023, në rritjen e importeve prej 5,8 %, krahasuar me Janar 2022, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,1 pikë përqindje, “ Produkte kimike dhe plastike” me +1,8 pikë përqindje dhe “Ushqim, pije, duhan” me +1,3 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Prodhime druri dhe letre” me -1,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,0 pikë përqindje. “Tekstile dhe këpucë” me -0,2 pikë përqindje.”

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 16 mld lekë, duke u ulur me -19,4 %, krahasuar me Janar 2022 dhe me -70,3 %, në krahasim me Dhjetor 2022.

Në muajin Janar 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2022 janë: Maqedonia (207,5 %), Kosova (31,4 %) dhe Greqia (81,6 %). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Italia (-4,1 %), Gjermania (-17,7) dhe Kina (-24,2 %). Në muajin Janar 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Kina (27,4 %), Gjermania (16,2 %) dhe SH.B.A. (67,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me Janar 2022 janë: Italia (12,3 %), Turqia (4,4 %) dhe Greqia (7,1 %).

Ndërkohë në një analizë të bërë nga revista “Monitor” rezulton seProdhuesit e vezëve në vend po përjetojnë një situatë pozitive, për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt në Europë. Në janar 2023, eksportet e vezëve janë 3-fishuar në sasi në raport me muajin janar 2022, duke arritur në 217 mijë kg. Në vlerë, eksportet u pesëfishuan, për shkak të çmimit më të lartë, duke arritur në gati 53 milionë lekë. Në 10 vitet e fundit thuhet më tej, sipas të dhënave të doganave, kjo është sasia më e lartë e eksportit të vezëve për periudhën e muajit janar. Rritja e eksporteve ka nisur që muajin dhjetor 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021 eksportet janë 24 herë më të larta.

Shkak i shtimit të eksporteve është mungesa e vezëve në tregun europian dhe SHBA. Shpërthimet e gripit të shpendëve në SHBA dhe Europë kanë vështirësuar furnizimet që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Eksportet  e vezëve  ( Foto Monitor)

Eksportet  e vezëve  ( Foto Monitor)

“Për muajin janar 2023, sipas të dhënave të doganave, eksportet janë kryer nga 4 kompani prodhuese. Një nga kompanitë “Veza e Mëngjesit” tha për “Monitor” se aktualisht po eksporton vezë për industrinë e ushqimit në Kroaci dhe Greqi, si dhe për konsum në Serbi. Përfaqësues të kompanisë thanë se rritja e eksporteve ka ardhur për shkak të mungesës së vezëve në këto tregje.Në muajin janar 2023, eksportet në vlerë u rritën 5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar sipas të dhënave të Doganave. Operatorë të tregut pohuan se krahasuar me vitet e kaluara eksportet janë me çmim më të lartë, çka u mundëson atyre të kompensojnë kostot e larta nga TVSH-ja dhe për herë të parë të rrisin fitimet.”- thuhet ne shkrimin e publikuar nga Monitor.

Rritja e çmimit të vezëve për eksport ka sjellë një rritje të lehtë të çmimit edhe në tregun vendas. Kompanitë thonë se çmimi maksimal i vezëve nga pularitë ka arritur në 19 lekë për kokërr nga 17,5 deri në 18 lekë që shitej më parë. Në tregun e pakicës, veza e hapur po tregtohet me 24 lekë nga 23 lekë që ishte. Para valës së rritjes së drithërave për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë nga fermat blegtorale ishte 13 lekë për kokërr, ndërsa në tregun e pakicës 16 lekë për kokërr. Rritja e çmimit të vezës në muajin mars në Shqipëri u ndikua edhe nga mungesa e produktit për shkak të ngordhjes së shpendëve nga influence aviare. Nga ekspertët u vlerësua se në vend ngordhën 500,000 krerë pula. Prodhimi në ferma përpara virusit ishte 1,350,000 vezë/ditë. Kompanitë pohuan se në atë periudhë nga ngordhja e shpendëve prodhimi u reduktua 50%.  Gripi i shpendëve shton mungesën dhe rrit çmimet e vezëve në Europë dhe SHBA. Që nga 23 janari 2023, shifrat e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë tregojnë se 58,1 milionë pula janë prekur nga gripi i shpendëve në 47 shtete të SHBA.Përveç gripit të shpendëve, industria në mbarë botën është prekur nga rritja e kostove të prodhimit, duke përfshirë ushqimin e pulave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.