Maturantët që duan mjekësinë, kusht testi i informatizuar
2023-02-23 15:24:13

Ministrja e Arsimit Evis Kushi (Foto RTSH)

Të gjithë maturantët që duan të studiojnë për mjekësi do të zhvillojnë testin e informatizuar, që pilotohet për herë të parë. Ky test, sipas ministres së Arsimit, Evis Kushi, do të shmangë fiktivitetin e notave në gjimnaze, citon “RTSH”.

Gjatë fjalës së saj në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kushi tha se ky test do të ketë 30% të peshës në pranimin në Universitetin e Mjekësisë, ndërsa 70% e pikëve do të merret nga formula aktuale.

“Kemi marrë vendimin për testin e informatizuar për mjekësinë. Ky do jetë shtesë, pos provimeve të maturës vetëm për ata që zgjedhin mjekësinë. Në këtë mënyrë ne rrisim meritokracinë. Është pritur shumë mirë nga maturantët, janë njohur me metodikën e pyetjeve. Pritet të jenë rreth 3 mijë kandidatë. Kemi marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, ne kemi dakordësim që ky provim të jetë kriter për renditjen e maturantëve me 30% të peshës”,- tha ministrja Kushi.

Lidhur me maturën shtetërore, ministrja Kushi tha se provimet duhet të kryen në salla të mëdha, ku të ketë edhe kamera sigurie për të garantuar një proces të drejtë dhe sa më të qetë për të gjithë maturantët. (Elona)