Dronat dhe sistemet antidron të prodhimit kinez spikatin në Abu-Dabi
2023-02-23 17:04:46

Foto nga CMG

Në Ekspozitën dhe Konferencën Ndërkombëtare të Mbrojtjes, që po zhvillohen në Abu-Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, po shfaqen edhe një numër dronash dhe sistemesh antidron të prodhuara nga Kina.

Kompanitë kineze, që zënë një zonë ekspozimi prej më shumë se 2 100 metrash katrorë, po paraqitin pothuajse 500 lloje pajisjesh ushtarake në veprimtarinë e këtij viti, që përfshijnë si fushat tradicionale të luftës ajrore, detare e tokësore, ashtu edhe ato të reja, si siguria e internetit dhe mjetet luftarake pa njerëz.

Prodhuesi kinez i dronave "Aerospace CH UAV" ka shfaqur në këtë ekspozitë serinë e vet kryesore të dronave "Caihong", ose "Ylberi".

Droni "Caihong-5H UAV", i krijuar duke u bazuar në "CH-5 UAV", me një motor me piston me vaj të rëndë, ka një kontroll më të mirë autonom të sistemit, aftësi më të mirë përshtatjeje dhe kapacitet më të madh kundër bllokimit në mjediset e lartësisë së madhe.

Ky dron, me një gjerësi krahësh më shumë se 20 metra, ka shumë epërsi, duke përfshirë orë dhe rreze më të gjata fluturimi, si dhe kapacitet më të mirë ngarkimi e siguri më të madhe.

Ndërkohë, sistemi antidron "Mburoja qiellore" i prodhimit kinez po tërheq gjithashtu vëmendje në Abu-Dabi. 

Ai është një version i modernizuar i sistemeve të mbrojtjes ajrore me lazer "Gjahtari i heshtur" të kompanisë "Poly Technologies". "Mburoja qiellore" është e pajisur me një radar të ndjeshmërisë së lartë të fjalës së fundit, i cili mund të gjurmojë më mirë e të gjejë objektivin, si dhe të hartojë planin më të mirë të goditjes nëpërmjet sistemit të tij të mençur të kontrollimit dhe komandimit.

Sistemi i përmirësuar mund të vëzhgojë shpejt dronat e armikut dhe të përmirësojë kapacitetin e goditjes së helikopterëve dhe avionëve me pilot në lartësi të ulët.

"Së pari, mund të përdoret në operacionet luftarake vetë. Së dyti, është një armë me lazer me intensitet të ulët. Së treti, një ndër karakteristikat kryesore të  tij është se mund të sulmojë ndërsa është në rrugë, çka përbën një risi," tha Zhang Zhengwei nga "Poly Technologies".

Me pajisje të shumta zbulimi të instaluara në një mjet, ky sistem është i përshtatshëm për përdorim në misione të ndryshme, shpjegoi Zhang, duke shtuar se funksioni i tij i lazerit me intensitet të ulët i lejon të përdoret në misione të tilla si mbrojtja e sigurisë vetjake të njerëzve të rëndësishëm. (Artan)