Shqipëria Regbi Ligë përfaqëson Shqipërinë në turnetë e Ligës Ndërkombëtare të Regbisë, si dhe organizon gara kombëtare. Sporti i regbisë është një sport i ri në Shqipëri, por vitet e fundit ka marrë një zhvillim të madh, duke u përfaqësur denjësisht dhe profesionalisht në ndeshjet ndërkombëtae të zhvilluara me ekipet e tjera të regbisë në botë. Presidenti i Shoqatës Shqipëria Regbi Ligë, Arnaldo Telo dhe lojtari i krahut në këtë sport, Dajan Shatraj në një intervistë për Radio Ejani tregojnë rrugëtimin e këtij sporti të veçantë në Shqipëri, si dhe aktivitetet ndërkombëtare të zhvilluara.
Ekipi kombetar Shqiperia Regbi Lige (Foto personale)
CMG: Arnaldo, sporti i regbisë është bërë tashmë i njohur në vendin tonë këto vitet e fundit. Ju e keni promovuar këtë sport në Shqipëri. por dhe në arenën ndërkombëtare. Sa të përfshirë janë të rinjtë në këtë sport?
Arnaldo Telo: Është një realitet i ri dhe një sport i ri, që nuk është kulturë për shoqërinë shqiptare. Interesi vitet e fundit është shtuar shumë, duke parë dhe aktivitetet që kemi zhvilluar, që ekipi jonë kryesor i regbisë në Shqipëri dhe Klubi i Regbisë Tiranë ka pasur. Pjesa më e madhe janë aktivitete ndërkombëtare dhe ka pasur interes. Gjithësesi ne nuk jemi të kënaqur sepse janë hapa shumë të vogla që po hidhen. Mundësinë rinia shqiptare e ka sepse dhe vetë lloji i sportit të regbisë është diçka më ndryshe, jo se nuk ka kritere por është realisht për këdo, çfarëdo moshe, peshe dhe gjatësie, pra nuk ka kritere selektive. Më pas ka të bëjë ana teknike të cilën stafi jonë profesionist e mundëson, që të avancosh dhe të përmirësosh, mjafton të kesh dëshirën dhe vullnetin.
CMG: Nëse flasim nga ana e infrastrukturës, ju si i keni kushtet këtu në Shqipëri për të zhvilluar këtë sport?
Arnaldo Telo: Përsa i përket kushteve është tematikë në vete shumë e gjerë dhe realisht e vështirë. Infrastruktura që shërben për sportin e rëgbisë është e njëjtë me atë të futbollit. Vështirësi kemi sa të duash, sidomos gjatë ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare është mjaft e vështirë sepse duhet të shohim kalendarin e futbollit, të ekipeve të moshave ose superligës në varësi të qytetit ku ne mund të zhvillojmë ndeshjet. Por kemi pasur dashamirës, ku gjej dhe mundësinë që të falenderoj Bashkinë Kamëz, e cila na ka mundësuar të luajmë në stadiumin e Kamzës dhe për ekipet që ne i mirëpresim është një fasilitet shumë i mirë profesional, që jo të gjithë ekipet në Ballkan e kanë atë mundësi. Kështu që është një ndihmë shumë e madhe për ne dhe e vlerësojmë, por në përgjithësi është shumë e vëshirë, sidomos proçesi stërvitor ku duam kushte të mira, duke pasur parasysh dhe personat e rinj që nuk kanë eksperiencë, pasi lojtarët e vjetër nuk e kanë problem. Ne shpresojmë që infrastruktura të përmirësohet dhe me dashamirësinë e njerëzve kemi arritur të bëjmë diçka.
Dajan Shatraj gjate nje aksioni ne ndeshje (Foto personale)
CMG: Cili është niveli i sportit të regbisë në Shqipëri, nëse e krahasojmë me vendet e tjera të Ballkanit?
Arnaldo Telo: Nëse flasim për nivelin e lojës në fushë është të themi mirë në krahasim me eksperiencën që kanë, me ekipet dhe përbërjen që kanë. Për të bërë një krahasim me Greqinë, kombëtarja e së cilës ishte pjesë e kupës së botës në Angli, ku kanë shumë vite, kanë ekipe femrash dhe meshkujsh, por kanë dhe një eksperiencë dhe në fushën e lojës, kemi qenë të barabartë. Përsa i përket fqinjëve të tjerë që kanë vite në këto sport, ku Serbia ka një sistem gjysmë profesional shumë të zhvilluar, numër shumë të lartë lojtarësh, të cilët i zhvillon në vend dhe i nxjerr të luajnë në liga më të mira. Maqedonia e Veriut është diçka më pak se neve si nivel sepse edhe ata janë në hapat e para. Turqia është në shpërthim e sipër këto dy vitet e fundit dhe ka një zgjerim masiv në nivel femrash dhe meshkujsh. Ajo që dua të theksoj është zhvillimi dhe përkrahja që ne kemi pasur në krahasim me shtetet e tjera është minimale. Kjo na ka penguar të përhapemi si sport dhe të zhvillohemi, por në nivel fushe ose nivel loje teknik jemi të barabartë dhe me disa shtete edhe superior, duke pasur vetëm një ekip të mirëfilltë Klubi i Regbisë Tiranë dhe një ekip dytësor, i cili nuk është një ekip i mirëfilltë. Niveli në fushën e lojës dhe teknik është i mirë dhe ne jemi shumë të kënaqur.
CMG: Deri tani ekziston vetëm ekipi i meshkujve të sportit të regbisë. Mendoni që në një të ardhme të krijohet dhe një ekip femrash?
Arnaldo Telo: Patjetër që po sepse është sport gjithpërshirës si regbia dhe çdo sport që ka meshkuj dhe femra. Politikat e përfshirjes së femrave në sportin e regbisë janë absolutisht në mbështetje të përfshirjes së femrave. Problemi jonë është paragjykimi. Jemi shqiptarë dhe këtu pak e shumë e dimë të gjithë se çdo gjë paragjykohet, paragjykohemi ne që jemi burra dhe jo femrat sepse konsiderohet si sport i dhunshëm, por nuk është absolutisht i tillë. Është vetëm një paragjykim i kotë. Njerëzit që kanë njohuri për regbinë e dinë se çfarë bukurie ka realisht sporti i femrave dhe është spektakël më vete.
Lojtaret e ekipit Tirana Regbi Club qe perfaqesuan Shqiperine ne Angli (Foto personale)
CMG: Dajan, ju jeni lojtar i krahut të djathtë dhe keni zhvilluar disa ndeshje kohët e fundit në disa vende të botës. Cilat kanë qenë eksperiencat tuaja në këto ndeshje?
Dajan Shatraj: Kanë qenë ndeshje të zhvilluara mirë nga ne si ekip. Kampionati që u zhvillua së fundi në Ballkan ka qenë disiplina në junion, ku ishim pesë ekipe dhe ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira. Së fundi me Greqinë kemi pasur jo një ekip të mirëfilltë sepse ishte një kampionat shumë i vështirë, dhe ekipet e Ballkanit janë të mira fizikisht, por jemi diku të barabartë. Gjithësesi ne i fituam të gjitha ndeshjet dhe dolëm shumë të kënaqur. Eksperincat e mia kanë qenë shumë të mira, sidomos dhe në Maqedoninë e Veriut ku fituam edhe turin dy ditor që u zhvillua në verë “Struga Beach Rugby”, dhe e fituam si ndeshje. Ky ishte një kampionat shumë i mirë dhe ne u paraqitëm mirë, ku e mbyllëm me 10 fitore në total të gjitha turnetë.
CMG: Ju keni zhvilluar ndeshje edhe në ekipet e regbisë në Angli dhe Turqi të cilat e kanë më të zhvilluar këtë lloj sporti. Si ishin rezultatet në këto dy ndeshje?
Dajan Shatraj: Patjetër që po, sidomos në Angli. Ndërsa në Turqi ishte një ndeshje e mirë fizikisht ku pësuam një humbje, por ishte një eksperiencë mjaft e mirë. Zhvilluam një ndeshje nga ana fizike shumë të fortë, dhe ndeshje të tilla do të zhvillojmë sërisht. Në Angli ka qenë një eksperiencë e veçantë sepse ishte hera e parë që ne luanim në Europë dhe sidomos në Angli. Fituam dy ndeshje, mundëm ekipin përfaqësues të Norvegjisë, pastaj mundëm dhe një ekip anglez, pësuam dhe dy humbje të tjera, por ishte përvojë e mirë. Vështirësitë ishin të mëdha sepse kemi shkuar të vetëfinancuar, por gjithësesi kaluam shumë mirë.
CMG: Arnaldo keni pasur vështirësi financiare gjatë ndeshjeve të zhvilluara në vende të tjera?
Arnaldo Telo: Sporti pa një mbështetje financiare, qoftë ajo edhe private nga bizneset nuk mund të zhvillohet. Aktualisht djemtë e Shqipëria Regbi Ligë e ka të drejtën të përfaqësojë Shqipërinë në arenë ndërkombëtare pasi është pjesë e federatës europiane të regbi ligë dhe asaj ndërkombëtare. Është shumë e vështirë sepse edhe turneu i Londrës, i cili është turneu më i madh i regbisë u vetëfinancua nga lojtarët. Pjesa dërmuese e ekipit kombëtar ishin djem nga Shqipëria, dhe një numër paksa më i vogël i shqiptarëve të cilët luajnë regbi në nivele të ndryshme në vende të ndryshme të Europës. Ishte realisht një sfidë ekonomike për çdo lojtar. Ndihma ka munguar, por ka pasur donacione të vogla nga persona dashamirës që nuk mjaftojnë për të financuar një ndeshje ndërkombëtare te ekipit kombëtar shqiptar.
CMG: Mendoni se ky sport ka ardhur në rritje përsa i përket nivelit profesional të lojtarëve si dhe ndeshjeve të zhvilluara ndërkombëtare?
Arnaldo Telo: Absolutisht që po, si ekipi kombëtar por dhe ai i regbisë Tirana ka një staf shumë të pregatitur. Dua të theksoj që dy trajnerët e ekipit të Tiranës janë shtetas të huaj me një bagazh të madh njohurish, të cilët kanë ndihmuar djemtë që luajnë regbi sot në Tiranë. Ata kanë një nivel dhe një performancë ndryshe, dhe kjo vjen nga përkushtimi që ata kanë dhe vitet që po kalojnë duke ushtruar këtë sport me gjithë vështirësitë që kanë.
Ekipi i dyte i Tiranes fitues ne turneun Struga Beach Rugby (Foto personale)
CMG: Dajan, si jeni ndjerë ju si lojtar I këtij sporti me dy trajnerët e huaj që kanë ardhur në ekip?
Dajan Shatraj: Jam ndjerë shumë mirë sepse u bënë gati 10 vite si ekip dhe në fakt e meritonim një dhuratë të tillë sepse janë dy trajnerë me eksperiencë, që për ekipin tonë kohët e fundit ka marrë shumë zhvillim. Jemi përmirësuar si nga ana teknike, por dhe nga ajo fizike. Ata po na ndihmojnë shumë në çdo aspekt dhe është mirë t’ja kthejmë këtë përkushtim. Normalish edhe ndeshjet por dhe objektivat që ne kemi nisur t’i zhvillojmë për këtë vit do jenë shumë të mira sepse do ja shpërblejmë.
CMG: Cilat kanë qenë sfidat që keni hasur gjatë këtyre viteve në këtë sport?
Arnaldo Telo: Sfida më e madhe është largimi i të rinjve, pasi dhe ajo ka influencuar në ekipin tonë. Vetëm së fundi një pjesë e mirë, bërthama e ekipit të regbisë Tirana janë larguar jashtë Shqipërië. Gjithmonë e më shumë është më e vështirë rekrutimi i djemve të rinj që kanë dëshirë të përfshihen në sport, kjo e lidhur dhe me faktin që rinia shqiptare nuk dëshiron të merret me sport. Sporti aktualisht është kthyer kafeja dhe celulari, pa përmendur faktorin ekonomik që është sfidë e madhe për ne siç është baza materiale, topat apo baza tjetër materiale që janë për sportin e regbisë. Këto materiale kanë kosto sepse nuk mund të gjesh materiale të sportit tonë në Shqipëri dhe çdo gjë duhet të vijë nga jashtë. Këto janë vështirësitë më të mëdha, nuk na mungon aspekti teknik, nuk na mungon vullneti sepse atë e kemi pa limit, por jemi të limitur nga gjëra të cilat fatkeqësisht nuk varen nga ne.
Arnaldo Telo dhe Dajan Shatraj ne interviste per CMG
CMG: Cilat janë objektivat tuaja për këtë vit?
Arnaldo Telo: Në lidhje me regbinë në Shqipëri, objektivi im personal dhe i gjithë kolegëve të mi të cilët kanë marrë përsipër të zhvillojnë këtë sport është krijimi i federatës së regbisë në Shqipëri, e cila është në proçes e sipër por ka nevojë për hapat e duhur ligjor. Në aspketin e sportit synimi jonë është përhapja e këtij sporti jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, krijimi i një lige kombëtare dhe i një kampionati kombëtar të mirëfilltë si çdo sport. Synimi jonë madhor është krijimi i një akademie për moshat, pasi është themeli i sportit. Nëse ne arrijmë të krijojmë një akademi, një ekip fëmijësh të themi, absolutisht nuk na mungon vullneti të punojmë me vite për të vjelur këto fryte.
CMG: Dajan do të shkoje të luaje në Kinë nëse do të merrje një ftesë nga një ekip regbie kinez?
Dajan Shatraj: Do kisha shumë dëshirë të zhvillohesha në Kinë me regbinë dhe pse jo më pas të kontriboja tek ekipi im. Trajneri jonë ka jetuar dhe luajtur regbi në Kinë, po ashtu dhe një lojtar shumë i mirë i joni ka luajtur prej vitesh në Kinë. Mendoj se do ishte një mundësi shumë e mirë si për mua ashtu dhe për ekipin. Ndoshta dhe shkëmbimi i lojtarëve do ishte një gjë mjaft e mirë, por dhe shkëmbime eksperiencash që të luanim këtu dhe në Kinë. Ne jemi shumë të hapur.