Pekin: Nisin një sërë seminaresh në ndihmë të vendeve në zhvillim
2023-02-22 21:33:26

Të mërkurën u zhvillua në Pekin ceremonia e hapjes së seminarit të përvojës kineze për pakësimin e varfërisë në kuadër të Nismës së Zhvillimit Global, të seminarit të këmbimit të përvojës së Reformës e të Hapjes të Kinës me vendet në zhvillim, të seminarit të tregtisë elektronike ndërkufitare për vendet në zhvillim, të seminarit të nxitjes së tregtisë në vendet në zhvillim dhe të seminarit të ndihmës së zhvillimit ndërkombëtar për vendet në zhvillim. Në ceremoninë e hapjes së këtyre seminareve të organizuara nga Ministria e Tregtisë e Kinës, morën pjesë 194 pjesëmarrës nga 28 vende.

Në fjalimin e mbajtur në ceremoni, drejtori i Institutit të Tregtisë Ndërkombëtare të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Sun Zhonghe u shpreh se, nëpërmjet ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë", Kina i ka ndihmuar në mënyra të ndryshme vendet në zhvillim të realizojnë Agjendën e Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së. 

Zv.drejtori i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike e Teknologjike Ndërkombëtare të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhang Yi u shpreh se, si vendi më i madh në zhvillim, Kina u ka dhënë gjithmonë ndihmë vendeve të tjera në zhvillim në bazë të respektit të ndërsjellë, të barazisë, të besimit e të përfitimeve të përbashkëta, duke zhvilluar bashkëpunim konkret me kë to vende. Ky bashkëpunim ka pasur rezultate të dukshme dhe është bërë shembull i bashkëpunimit Jug-Jug.

Drejtori i Qendrës për Studimet Brazil-Kinë pranë Institutit "Getulio Vargas" në Rio-de-Zhanejro, Evandro Menezes de Carvalho, u shpreh se Kina zë vend të përparuar në shumë fusha për sa i përket teknologjisë e risive. Si partnerja kryesore tregtare e shumicës së vendeve të botës, Kina punon për nxitjen e zhvillimit ekonomik global, veçanërisht të vendeve në zhvillim, duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik botëror.

Kjo është hera e parë që organizohen në Kinë seminare në ndihmë të vendeve të tjera pas pandemisë 3-vjeçare. Në këto seminare do të zhvillohen shkëmbime e diskutime për tema të ndihmës ndërkombëtare, të tregtisë elektronike ndërkufitare, të nxitjes së tregtisë, të pakësimit të varfërisë, të reformës e hapjes etj. (Fani)