Një numër i kungfusë së "Shaolinit" në programin e Galasë së Festës së Pranverës, të transmetuar nga Grupi Mediatik i Kinës, u la shikuesve një përshtypje të thellë me kulturën tradicionale të arteve marciale kineze.
Gjatë interpretimit, murgjit luftëtarë të tempullit "Shaolin" dhe nxënësit nga Shkolla e Arteve Marciale "Tagou" e Tempullit "Shaolin" të Henan-it, së bashku me yllin e filmave me aksion Zhao Wenzhuo, demonstruan kungfunë kineze për publikun global.
Kjo performancë prej 5 minutash mishëroi shumë mirë skenën nga një pikturë murore e dinastisë Qing (1644-1911), e quajtur "Murgjit luftëtarë në aksion". Në këtë murale 34 murgj luftëtarë stërviten në çifte, me lëvizje të gjalla, që shfaqin një skenë të madhe të praktikimit të arteve marciale.
Si të gjitha stilet e tjera, edhe kungfuja e "Shaolinit", që e ka origjinën nga budizmi Shan, përdor shkelmat, bllokimet dhe grushtet për ta ndaluar kundërshtarët. Këto lëvizje janë bazuar në njohuritë e mjekësisë së lashtë kineze dhe përputhen me rregullat e lëvizjes të trupit të njerëzve. Kjo formë e arteve marciale thekson gërshetimin e lëvizjes dhe teknikës, ekuilibrin mes yin-it e yang-ut, bashkimin e fortësisë e butësisë dhe integrimin e shpirtit dhe formës.
Kungfuja e "Shaolinit" u përfshi si një trashëgimi kulturore jomateriale e nivelit kombëtar në Kinë në vitin 2006 dhe djepi i saj, tempulli "Shaolin" dhe Pylli i Pagodave i tij, u shpallën Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2010. (Xu Guang)