Shqipëri-Mali i Zi, trajnime të përbashkëta të forcave policore
2023-02-22 17:23:15

Bashkepunimi Shqiperi-Mali i Zi (Foto Rtsh)

Bashkepunimi Shqiperi-Mali i Zi (Foto Rtsh)

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, u takua me drejtorin e Akademisë së Policisë të Malit të Zi, Vladimir Stanisic. Gjatë takimit u bë e ditur se Shqipëria dhe Mali i Zi do të bashkëpunojnë në drejtim të hartimit të kurrikulave të përbashkëta mes dy policive, si dhe me trajnime të përbashkëta të forcave policore të të dy vendeve, kryesisht të Policisë Kufitare, shkruan “RTSH”.

Gjatë këtij takimi u evidentuan marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të formimit policor të të dyja vendeve, si edhe u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

“Gjatë takimit, palët u shprehën të hapura për të bashkëpunuar për krijimin e kurrikulave, organizimin e kurseve të përbashkëta të trajnimeve, kryesisht për Policinë Kufitare, shkëmbime të mundshme stafi për të referuar problematika, të cilat janë në fokus të luftës kundër krimit për të dyja vendet etj. Gjithashtu u propozuan vizita të studentëve në mënyrë të ndërsjellë. Bashkëpunimi në këtë drejtim do të fokusohet edhe në aktivitete të përbashkëta shkencore dhe botime në fushën e rendit dhe sigurisë publike.”- thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit. (Elona)