Remzije Zeka Sherifi (Foto facebook)
Remzije Zeka Sherifi është nga Gjilani dhe ka shkuar në Skoci qysh në vitin 1999 kur u shpërngul nga një kamp refugjatësh në Maqedoni. Deri në vitin 1992 ajo ka punuar si radio-gazetare dhe producente. Sukseset e saj janë të shumta pasi ajo ka një eksperiencë 24 vjeçare, ku gjatë rrugëtimit të saj është vlerësuar me një sërë çmimesh. Ndër sukseset e mëdha të saj ishte në vitin 2013, ku është vlerësuar si “Gruaja Emigrante e Vitit në Britani”. Në morinë e shpërblimeve e dekoratave që ka marrë që nga viti 2007 e deri tani ajo veçon atë të shpalljes së Gruas Emigrante të vitit në Mbretërinë e Bashkuar në 2013, pasuar nga një tjetër, “Life time achievement Award”, që i është akorduar në vitin 2014, në Maryhill Burgh Halls ne Glasgow. Në vitin 2017 Remzija u përzgjodh në mesin e 10 grave më të fuqishme e me ndikim në Skoci, çmim të cilin e kanë marrë dhe Ministrja e parë e Skocisë Nikola Sturgeon si dhe bashkëshortja e ish kryeministrit britanik Tony Blair, zonja Cherie Blair.
Remzije Zeka në banesën e saj në Skoci (Foto Nacionale)
Remizja ka punuar me organizata ku gjithmonë ka dëshiruar të nxjerrë në pah të gjithë thesarin e shqiptarëve apo komuniteteve të tjera, të cilët ishin refugjatë në Skoci. Duke folur për mediat rreth jetës së saj Remzie Zeka thekson se:
“Në maj të vitit 1999 bashkë me 360 kosovarë u evakuuam në saj të programit humanitar të Mbretërisë së Bashkuar në Skoci. Nuk ishte kjo përzgjedhja jonë, por ishim të lumtur që më në fund arritëm në një vend ku liritë dhe të drejtat e njeriut respektohen. Ishte ky vend që më mundësoi të shfrytëzoj të gjitha aftësitë e mia të fituara në Kosovë dhe të merrem me komunietitn kosovar dhe kështu të themeloj Shoqatën shqiptaro-skoceze AlbaScot, në bazë të së cilës ishin dhe grupi i teatrit, , grupi i i grave dhe i valleve tradicionale. Themelova produksionin gjysmë profesional Ecoproduction me korin, grupin e shkrimtareve dhe organizuam aktivitete, festivale dhe ekspozita në çdo cep të Skocisë.”
Së fundmi Mbreti Charls III i Britanisë së Madhe, ka dekoruar me urdhërin e dytë më të lartë të Mbretërisë, me titullin OBE (Order of the British Empire) që nënkupton titullin kalorsiak Remzije Zeka Sherifin, shqiptaren me origjinë nga Kosova.
Remzije Zeka në ceremoninë e ndarjes së çmimeve (Foto Kult Plus)
Remzija ka hyrë në radhën e të dekoruarve, siç janë Noel Malcolm, JK Rowling, David Beckham dhe personalitete tjera të rëndësishme britanike.
Lidhur më akordimin e këtij titulli të rëndësishëm Remzija shprehet:
“Çmimi që mu dha në vigjilje të vitit të ri është kurorë nga ato të mëparshmet, sepse ishte një çmim të cilin e marrin figura të njohura, që japin kontribut në aspekte të rëndësishme të jetës. Ky çmim ka vërtetë vlerë për mua pasi erdhi në kohën e duhur kur në mediat britanike ishte një lobim i paparë ndonjëherë kundrejt shqiptareve që po arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar. Me politikat e reja pritet të kthehen dhe riatdhesohen afro 18 mij shqiptarë, të cilët janë pa leje në këtë vend.”
Sipas Remzijes, shqiptarët kanë çfarë t'i ofrojnë Britanisë, ndërsa theksoi se mjaft prej shqiptarëve janë tashmë dhe sipërmarrës në këtë vend.
“Të gjithë shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe institucionet legjitime u kërkohet një strategji për të nxjerrë në pah ato të mira që ky komb ka dhënë për zhvillimin e vet. Si dhe të nxirren në pah të gjithë ata njerëz që kanë kontribuar dhe kanë bërë emër. Duhen pra të shfrytëzohem të gjitha platformat që në mënyrë të denjë të përfaqësojmë kombin tonë”, thotë Rezmija
Remzije Zeka (Foto facebook)
Kjo është hera e parë që një monark britanik dekoron një shqiptare me urdhrin e perandorisë britanike për ndihmën që ka dhënë për emigrantët. Shpërblimi ose titujt jepen dy herë në vit në Britaninë e Madhe, në nderim të Mbretëreshës së ndjerë dhe në fillim të vitit të ri. Nominimi kryhet prej njerëzve, prej rrethit, prej institucioneve me të cilat ke bashkëpunuar. Një grup qytetarësh nominojnë një person që është shquar me veprimtarinë e tij në dobi të komunitetit. Në këtë rast Remzija ka deklaruar se nuk e di se cilët janë nismëtarët e nominimit të saj për këtë nderim të madh. Remzija është fituese e çmimit të lartë të Scottish Women in Business- “Spotlight Award” në vitin 2019. Ajo ka qenë disa herë e nominuar në mesin e grave më të suksesheme nga e gjithë bota për dekoratën prestigjioze ndërkombetare “Honorary Award 2021” që ndahet nga Global Women.