Rritja e pagës minimale në Shqipëri
2023-02-21 11:05:54

Rritja e pagës minimale (Foto monitor.al)

Rritja e pagës minimale (Foto monitor.al)

Paga mesatare në rajon po rritet shumë më shpejt, duke arritur në shifrat 800-900 euro, që është  rreth 40% më e lartë se në Shqipëri. Ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha tregon për rritjen e pagës minimale dhe çfarë sjell në ekonominë shqiptare.

“Tre vitet e fundit pagat në vendet e rajonit janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa në Shqipëri, duke thelluar diferencën mes të ardhurave që merr një punonjës në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinë, në krahasim me një shqiptar. Paga mesatare bruto për këto vende luhatet midis 800-900 euro në muaj, nga rreth 520 euro që është mesatarja në Shqipëri, ose mesatarisht rreth 40% më e lartë sesa tek ne”, shprehet ekspertja Hoxha.

Ndër të tjera ajo bën të ditur se janë përpunuar të dhënat zyrtare të instituteve statistikore të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, dhe Bosnjë Hercegovinës për pagat mesatare mujore bruto, të cilat janë të disponueshme deri në shtator të vitit 2022. Kjo pagë është krahasuar në vlerë nominale (e paindeksuar me inflacionin) me tremujorin e tretë 2019, përpara fillimit të pandemisë. Si paraqitet harta e pagës minimale në vendet e Ballkanit Perëndimor ? Lidhur me këtë ekspertja e ekonomisë Hoxha thekson se:

Eriola Hoxha (Foto facebook)

Eriola Hoxha (Foto facebook)

“Mali i Zi ka pagën e dytë mesatare më të lartë në rajon, me 885 euro në muaj në fund të tremujorit të tretë 2022, ndonëse diferenca me vendet e tjera është ngushtuar, për shkak të rritjes më të ngadaltë, sipas Zyrës së Statistikave të Malit të Zi. Serbia është vendi i rajonit që i ka rritur më shumë pagat gjatë kësaj periudhe, me 39%, duke i çuar 880 euro në fund të shtatorit 2022, sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë. Në Maqedoninë e Veriut, një punonjës paguhet mesatarisht gati 780 euro, ose 29% më shumë sesa në shtator 2019, raporton zyra e Statistikave të Maqedonisë së Veriut. Rritje e lartë e pagave është shënuar dhe në Bosnjë Hercegovinë, duke arritur në 893 euro, më e larta në rajon, me zgjerim 24% nga tremujori i tretë 2019, sipas Agjencisë së Statistikave të Bosnjë Hercegovinës. Në Shqipëri, paga mesatare e një punonjësi ishte 522 euro në shtator 2022, nga 440 tre vjet më parë, me një rritje prej rreth 19%, sipas INSTAT. Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka raportuar të dhënat deri në fund të vitit 2021, me pagën mesatare që ishte 484 euro, duke e bërë atë së bashku me Shqipërinë dy vendet që i paguajnë më pak punonjësit e tyre”, thotë ekspertja

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara të Eurostat, në fillim të vitit 2023, paga minimale në Shqipëri ishte 297 euro/muaj. Por sa u rritën pagat në Shqipëri në tre vitet e fundit?

“Shqipëria është e dyta me rritjen më të ulët në përqindje të pagave, pas Malit të Zi për periudhën shtator 2019-shtator 2022. Por, për shkak se Mali i Zi ka paga të larta, në vlerë nominale pagat e punonjësve shqiptarë kanë shënuar zgjerimin më të ulët. Pas tre vitesh, një punonjës shqiptar merr 83 euro më shumë. Punonjësit e Serbisë janë ata që kanë pasur përfitimin më të lartë, teksa marrin 248 euro më shumë. Në Maqedoninë e Veriut paga u është rritur me 178 euro, në Bosnjë me 173 euro dhe në mal të Zi me 100 euro.

Ndonëse Shqipëria është një nga vendet që kaloi më lehtë pandeminë dhe ka rritje relativisht të lartë ekonomike në raport me fqinjët, kjo nuk po përkthehet në mirëqenie të qytetarëve të saj, duke treguar për një zhvillim të paqëndrueshëm dhe me vlerë të shtuar të ulët. Të dhëna të tjera të Eurostat së fundmi kanë treguar se familjet dhe individët shqiptarë kanë të ardhurat më të ulëta të disponueshme në rajon, përfshirë të rinjtë. Edhe për konsumin dhe të ardhurat për frymë, sërish jemi të fundit në Europë. Kjo situatë po nxit një ikje masive, sidomos të të rinjve, duke krijuar problematika të shumta në tregun e punës, ndërsa po dikton dhe rritjen e pagave në vend”, komenton ekspertja Hoxha

Ndonëse po rritet vazhdimisht, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet më e ulëta në vendet e Europës, që e zbatojnë një politikë të tillë. Emigracioni ushtron presion për rritjen e pagave në bujqësi, shërbime e ndërtime.

Paga minimale (Foto monitor.al)

Paga minimale (Foto monitor.al)

“Paga në ekonomi ka shënuar nivel rekord në tremujorin e tretë të këtij viti, teksa të gjithë sektorët paguajnë më shumë sesa një vit më parë, por më i fortë ndryshimi ishte për bujqësinë, shërbimet dhe turizmin, që po vuajnë dhe më shumë nga largimi i fuqisë punëtore, duke detyruar dhënien e pagave më të larta për punonjësit ekzistues”.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2022, është 61,613 lekë, duke u rritur me 9,2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, raportoi INSTAT. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare bruto për aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe prej 15,7%, e ndjekur nga Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 13.7%, ndërtimi me 13%, industria me 11%. Ndërsa rritjen më të vogël e ka grupaktiviteti i Administratës publike dhe mbrojtjës; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 5%. Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kanë pagën më të lartë.

Gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 93,4% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 33,1% më e ulët. Një i punësuar në banka apo sigurime ka një pagë mesatare 119 mijë lekë, ose gati 10% më shumë se në tremujorin e tretë të një viti më parë. Megjithatë, në raport me tremujorin e dytë 2022, kur arriti rekordin prej 130 mijë lekësh, paga mesatare në këtë grup aktivitet ka rënë me 9%. Grup aktiviteti i dytë me pagën më të lartë është “Informacioni dhe komunikacioni”, me pagë mesatare 94 mijë lekë. E treta më e paguara është Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, me 71 mijë lekë në muaj.

Paga-minimale-zyrtare (Foto opendata)

Paga-minimale-zyrtare (Foto opendata)

Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 62,7% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 36% më e ulët. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2022, paga mesatare mujore bruto në Forcat e Armatosura ka rritjen më të madhe prej 18,5%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë 4,5%.

Qeveria shqiptare pritet që shumë shpejt të bëjë fakt rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë aktualisht. Rritja e menjëhershme me 17% është më e larta që është aplikuar ndonjëherë.