Vizita e Wang Yi-së në Evropë përcjell besimin e Kinës në zhvillimin paqësor
2023-02-21 20:15:42

Foto nga MPJ

Nga 14 deri më 22 shkurt, Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-sëdhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror të Punëve të Jashtme, vizitoi me ftesë Francën, Italinë, Hungarinë e Rusinë dhe mori pjesë në Konferencën e 59-të të Sigurisë të Munihut. Kjo është vizita e parë në Evropë nga diplomati kinez i rangut më të lartë pas Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës.

Wang Yi u takua me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin belg Alexander De Croo, Përfaqësuesin e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të BE-së Jose Borrell, sekretarin britanik për Punët e Jashtme dhe Zhvillimin James Cleverly , ministrin e Jashtëm hungarez Peter Szijjarto, ministrin e Jashtëm të Ukrainës  Dmytro Kuleba etj. Ai po ashtu zhvilloi kontakte jozyrtare me sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken me kërkesë të palës amerikane. Në një varg takimesh dhe veprimtarish, Wang Yi theksoi pozicionin parimor të Kinës për ndjekjen e rrugës së zhvillimit paqësor, respektimin e multilateralizmit të vërtetë, përkrahjen e zgjidhjes politike të krizës ukrainase dhe kundërshtimin e kundërvënies ndërmjet kampeve e shkëputjes.

Foto nga MPJ

Në fjalimin e tij në Konferencën e 59-të të Sigurisë të Munihut, Wang Yi u shpreh se shoqëria njerëzore s'mund të ecë në rrugën e vjetër të kundërvënies ndërmjet kampeve dhe të bjerë në kurthin e lojës ku fituesi i merr të gjitha dhe të luftërave e konflikteve. Në fakt, gjatë një viti të konfliktit ruso-ukrainas, Kina ka luajtur rol konstruktiv për nxitjen e bisedimeve paqësore. Gazeta angleze "The Guardian" njoftoi se ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock shprehu të shtunën e kaluar kënaqësinë për përpjekjet e Kinës për të përdorur ndikimin e vet për nxitjen e paqes. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se Ukraina i kushton rëndësi të madhe statusit ndërkombëtar dhe ndikimit të rëndësishëm të Kinës, si edhe pozicionit të Kinës për zgjidhjen politike të krizës, dhe pret që Kina të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv.

Foto nga MPJ

Wang Yi përsëriti qëndrimin e Kinës në kontaktet jozyrtare me Blinkenin në lidhje me sulmin e ShBA-së ndaj anijes ajrore kineze pa pilot. Wang vuri në dukje se ajo që kanë bërë Shtetet e Bashkuara, është një abuzim tipik i forcës, që shkel qartë praktikat ndërkombëtare dhe konventat e aviacionit civil. Kina është shumë e pakënaqur dhe proteston solemnisht. Në fakt, qysh nga maji i vitit të kaluar, ShBA-ja ka lëshuar një numër të madh balonash në lartësi që kanë qarkulluar në mbarë botën. Pa miratimin e autoriteteve përkatëse kineze, balonat amerikane kanë fluturuar në mënyrë të paligjshme mbi hapësirën ajrore të Kinës të paktën 10 herë.

Lidhur me problemin e Tajvanit, diplomati i lartë kinez shprehu gjithashtu qëndrimin e Kinës se Tajvani nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një vend, dhe kjo është situata e tanishme e vërtetë e Tajvanit. Për të ruajtur paqen në ngushticën e Tajvanit, duhet të kundërshtohet "pavarësia e Tajvanit" dhe të zbatohet parimi i “Një Kine”, që është konsensusi i bashkësisë ndërkombëtare.

Sivjet është 20-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës e BE-së. Bota e tanishme përballet me ndryshime të mëdha të papara në një shekull dhe rreziku i konflikteve gjeopolitike globale po rritet ndjeshëm. Vizita e Wang Yi-së në Evropë jo vetëm ka nisur shkëmbimet e nivelit të lartë ndërmjet Kinës e BE-së këtë vit, por edhe do të shtojë forcën e një vendi i madh lindor për ruajtjen e paqes botërore.