Kina, e gatshme të forcojë shkëmbimet dhe miqësinë me Austrinë
2023-02-21 14:33:33

Kina, pasi ka kapërcyer ndikimet e pandemisë Covid-19, është e gatshme të forcojë shkëmbimet me Austrinë në të gjitha nivelet dhe të thellojë besimin dhe miqësinë reciproke, deklaroi Wang Yi, drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg në kuadër të Konferencës së 59-të të Sigurisë në Mynih, njofton “Xinhua”.

Wang tha se marrëdhëniet Kinë-Austri janë zhvilluar mirë dhe bashkëpunimi dypalësh në fusha të ndryshme ka bërë përparime të reja. Ai shpreson se Austria do t'i përmbahet parimit të “një Kine”.

“Ndryshimet komplekse në botën e sotme kanë treguar se përballë sfidave globale, bota ka nevojë për hapje në vend të ekskluzivitetit, lidhje më shumë sesa izolim dhe multilateralizëm në vend të unilateralizmit”,- tha Wang.

Ai bëri thirrje që Austria të mbështesë hapjen dhe gjithëpërfshirjen dhe të forcojë bashkëpunimin dypalësh ekonomik, tregtar, shkencor dhe teknologjik.

Schallenberg tha se Austria dhe Kina kanë mbështetur njëra-tjetrën dhe kanë përballuar bashkërisht sfidat e pandemisë Covid-19, e cila ka treguar plotësisht rëndësinë e bashkëpunimit në trajtimin e krizave.

Austria mbështet me vendosmëri parimin e “një Kine”, i cili është një nga normat diplomatike të vendit, vuri në dukje Schallenberg.

Ministri i Jashtëm austriak tha se Austria është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën me një qëndrim të hapur dhe se vendi i tij kundërshton shkëputjen dhe mbështet fuqishëm globalizimin.

Wang theksoi se Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të promovuar bisedimet e paqes dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje konstruktive. (Fatosi)