Sfidat e bizneseve drejt alternativave të energjisë
2023-02-20 10:57:37

Energjia elektrike (Foto Ballkan web)

Energjia elektrike (Foto Ballkan web)

“Sfidat  e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në kalimin drejt burimeve alternative të Energjisë” ishin së fundmi në fokus të Këshillit të Investimeve. Duke ju referuar  temës së diskutimit, ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj u shpreh se tranzicioni i gjelbër dhe investimet në energjitë e rinovueshme, në të gjithë nivelet e bizneseve, është një punë dhe sfidë e përbashkët dhe shprehu gatishmërinë për të ndërmarrë iniciativat e duhura në këtë drejtim, në bashkëpunim me biznesin.

Cili është perceptimi i bizneseve në këtë pikë?

Klodiana Ajazi (Foto Dhoma Ekonomike e Gruas )

Klodiana Ajazi (Foto Dhoma Ekonomike e Gruas )

Në një intervistë për mediat Klodjana Ajazi, sipërmarrëse dhe themeluese e Dhomës Ekonomike të Gruas thotë se janë adresuar disa problem me të cilat ende përballen subjektet, përfshirë dhe ndërprerjet e energjisë elektrike.

“Kjo ishte mbledhja e parë e Këshillit të Investimeve për 2023 dhe nisi me një nga temat që përben interes të veçantë për komunitetin e biznesit, një pjesë të të cilit përfaqësoj edhe unë në atë këshill. Si përfaqësuese e Dhomës Ekonomike të Gruas, biznesin drejtuar nga gratë, tema është relevante kur diskutohen sfidat dhe problemet që po hasin bizneset në raport me eficencën energjetike apo me burimet alternative të energjisë së rinovueshme. Nisur nga kriza që ne po përballemi për mungesën e çmimet e energjisë dhe përveç sfidave u adresuan një sërë rekomandimesh nga komuniteti i biznesit për të gjetur një zgjidhje për këto sfida që po përballemi.”- shprehet Ajazi.

 Ndërprerja e punës së biznesve në momentin e mungesës së energjisë elektrike bëhet pengesë në këtë aktivitet.

“Për komunitetin e biznesit ndërprerja e energjisë elektrike mbetet si një nga sfidat kryesore. Biznesi nuk mund të vazhdojë punën e përditshme nëse ka mungesë të energjisë. Sipas anketimeve të kryera nga sekretariati i Këshillit të Investimeve, rezulton se bizneset në një farë mase adresonin si sfidë ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërkohë një element tjetër që përben sfidë për bizneset është kosto. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, por edhe çmimit të karburanteve impaktojnë direkt në kostot e biznesit, kostot operacionale apo të prodhimit dhe logjistikës. Një element tjetër që shihet si sfidë nga komuniteti i biznesit është dhe informimi apo të kuptuarit mirë të termave teknikë siç janë elementi eficencë, energjetikë apo burime. Po themi prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme, jo vetëm për t’i kuptuar si terma, por ndonjëherë hasim vështirësi dhe në mënyrën sesi mund të implementohen.”- thotë Klodjana Ajazi.

Kufizimet e prodhimit të energjisë, të parashikuara në ligj, janë një tjetër sfidë për ata që kanë zgjedhur prodhimin e energjisë me anë të diellit.

“ Një element tjetër nëse do t’i ndajmë në 2 kategori, pjesën e konsumatorëve të energjisë, do thoja që për vetë prodhuesit që ndërtojnë impiante fotovoltaike apo gjenerojnë burimet e dyta për të plotësuar nevojat e tyre të energjisë, referojnë si një sfidë, limitin e vogël të përcaktuar me ligj për kapacitetin prodhues të energjisë elektrike. E thënë ndryshe, ajo çfarë ata investojnë dhe prodhojnë energji nga këto impiante fotovoltaike, nuk është e njëjtë me sasinë që ata konsumojnë dhe nuk plotëson nevojat e tyre. Ndërkohë nga ana tjetër për bizneset të cilat janë prodhues dhe synojnë të ndërtojnë parqe fotovoltaike, për të shitur në treg të lirë energji elektrike, referoheshin si sfida parimisht dy elementë, njëri është procedurat që kanë nevojë për shkurtime apo lehtësime, procedurat e zgjatura. Elementi i dytë është nevoja për investime në sistemet e transmetimit. “- thotë sipërmarrësja.

Industria fason (Foto Dosja.al)

Industria fason (Foto Dosja.al)

Kriza e energjisë ka ngritur më tej nevojën për të orietuar bizneset drejt eficencës së energjisë, por për këtë sipas Ajazit duhet shumë punë për të kuptuar këtë qasje.

“Dua të theksoj që jo vetëm Dhoma Ekonomike e Gruas, apo edhe organizatat e tjera, apo dhoma të tjera të biznesit, kanë bërë një punë parapërgatitore për të mbledhur nevojat që bizneset kanë pasur dhe për t’i adresuar në këshill. Është vënë re nevoja për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës mes dhomave të biznesit, por edhe institucioneve publike, për të bërë kështu informimin dhe ndërgjegjësimin për t’i kuptuar realisht këto terma. Gjithashtu për t’i lehtësuar në mënyrën se si funksionojnë dhe cilat janë procedurat për të aplikuar”, theksoi Ajazi

Një tjetër kërkesë e biznesit është edhe veprimi më i shpejtë në drejtim të financimit.

“Një element i dytë në komunitetin e biznesit është dhe fakti që institucionet të cilat financojnë, përfshirë bankat apo institucionet e tjera, duhet të shkurtojnë procedurat e marrjes së vendimeve dhe procedurat për financimin direkt të formave alternative të prodhimit të energjisë apo dhe eficensës. Mesa duket vendimmarrja e këtyre institucioneve nuk ecën në të njëjtin ritëm si biznesi, kështu që këtu kërkohet një ndërhyrje. Janë propozuar gjithashtu disa alternative, të cilat mund të lehtësojnë apo suportojnë biznese që investojnë direkt në teknologji, kryesisht në prodhim por jo vetëm në teknologji të cilat kursejnë energjinë elektrike. Nga komuniteti i biznesit një element që u propozua ishte dhe shmangia apo heqja e TVSH-së për teknologjitë, të cilat kursejnë energjinë elektrike, por edhe përjashtimin e paneleve apo impianteve të cilat prodhojnë energji fotovoltaike, apo impiantet e importit. Ndërkohë u propozua që për vetë prodhuesit ku ndoshta është interesi më i madh i bizneseve, në kuadrin ligjor të përfshihen edhe disa fasha apo të ndryshohet limiti duke gjetur një formulë që të prodhohen deri në një limit të caktuar, duke llogaritur sesa konsumon secili biznes. Në mënyrë të përmbledhur këto janë pjesë e raportit që po publikohet dhe fokusi kryesor i Këshillit është suporti jo vetëm në nivelin e biznesit të madh, por në fokus kryesor ishte biznesi i mesëm dhe i vogël, duke qenë se përbëjnë numrin më të madh të bizneseve në vendin tonë. Ndoshta janë dhe direkt më të prekurit. “- thotë Ajazi.

Në një kohë që bizneset shqiptare e kanë të bazuar prodhimin e tyre kryesisht në energjinë elektrike, ministrja Ibrahimaj përmendi faktin se qeveria ka subvencionuar dhe do të vijojë të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike për pjesën më të madhe të bizneseve.

“Përfaqësuesit e qeverisë, kryetarja e Këshillit të Investimeve në të gjithë fokusin e mbledhjes kishin një impakt dhe dëshirë shumë të madhe për të marrë rekomandime nga komuniteti i biznesit dhe për t’i adresuar. Kjo është një sfidë si për institucionet publike apo dhe për biznesin dhe është një nga ato elementë që duke koordinuar përpjekjet e të dyja palëve do marrë zgjidhje. Ka qenë e vazhdueshme këmbëngulja që komuniteti i biznesit të çojë pranë institucioneve politikbërëse këshilla konkrete sesi mund të përmirësohet kjo situatë. Duket që premisat dhe dëshirat janë të forta për të bashkëpunuar”, vuri në dukje ajo.

Ministrja Ibrahimaj pohoi se Shqipëria është një vend që energjinë elektrike e prodhon nga burime të rinovueshme dhe theksoi faktin se qeveria, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë marrë masa në funksion të përmbushjes së objektivit për të diversifikuar ofertën e energjisë elektrike.