Në Mynih, Kina propozon sigurinë globale
2023-02-20 12:02:46

Kina do publikojë një Koncept Dokument për Iniciativën e Sigurisë Globale për të propozuar iniciativa më të mundshme për të adresuar dilemat e sotme të sigurisë. Këtë e deklaroi diplomati i lartë kinez, Z. Wang Yi, që ndodhet në Mynih për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, MSC (Münchner Sicherheitskonferenz), tubimi më i madh i këtij lloji në botë, një konferencë vjetore mbi politikën ndërkombëtare të sigurisë që mbahet në Mynih, Bavari, Gjermani që nga viti 1963, me moton e saj: “Paqe përmes dialogut”.

Wang vuri në dukje se “Presidenti Xi Jinping ka propozuar Iniciativën e Zhvillimit Global (GDI) dhe Iniciativën e Sigurisë Globale (GSI), për avancimin e paqes dhe zhvillimit, dy çështjet kryesore me të cilat përballet sot njerëzimi. Deri tani, më shumë se 100 vende dhe shumë organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, kanë shprehur mbështetje për dy nismat. Gati 70 vende i janë bashkuar Grupit të Miqve të Iniciativës së Zhvillimit Global”.

Gjatë katër dekadave të fundit, Konferenca e Sigurisë e Mynihut është kthyer në një forum të rëndësishëm ku vendim marrësit e politikave ndërkombëtare të sigurisë shkëmbejnë pikëpamjet e tyre për çështjet e sigurisë. Në edicionin e 40-të të kësaj konference, ku marrin pjesë më shumë se 150 zyrtarë të lartë, duke përfshirë mbi 40 krerë shtetesh dhe qeverish, drejtues të organizatave ndërkombëtare, ministra, deputetë, përfaqësues të rangut të lartë të forcave të armatosura, shkencës, shoqërisë civile, bizneseve, mediave, etj., po trajtohen çështjet kryesore aktuale të sigurisë dhe debatohen e analizohen sfidat kryesore të sigurisë për të tashmen dhe të ardhmen në përputhje me konceptin e sigurisë globale, të përbashkët, përgjatë shekullit 21.

Ministria e Jashtme e Kinës njofton se me kërkesë të palës amerikane, Wang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës si dhe drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, u takua ditën e shtunë, 18 shkurt 2023, me Antony Blinken, Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, takim në të cilin u diskutua i etiketuari “incident” i balonës apo tullumbaces pa pilot, gjendja në Ukrainë dhe çështja e Tajvanit.

Për shkak të forcave madhore, atmosferike, një tullumbace apo balon pa pilot, që kishte devijuar nga kursi i planifikuar, hyri në hapësirat ajrore të SHBA-ve, ku u neutralizua, pasi, ushtria amerikane, sipas përfaqësuesit të Kinës, përdori forcën në një masë të konsiderueshme, duke urdhëruar një avion luftarak F-22 për të rrëzuar një balonë civile të humbur, në brigjet e Karolinës së Jugut, përkundrejt praktikave ndërkombëtare dhe Konventës për Aviacionin Civil Ndërkombëtar, kur paralelisht, mjetet dhe teknologjia amerikane janë në gjendje që të qarkojnë tërë globin disa herë në ditë në lartësi shumë më të mëdha.

Duket që Kina dallon se Uashingtoni ka një perceptim sipas të cilit Pekini përbën një sfidë dhe kërcënim gjeopolitik, kur tashmë është koha më e përshtatshme për më shumë besim dhe objektivitet ndaj zhvillimeve në të tëra aspektet dhe fushat e jetës në Kinë dhe të ndiqet një  politikë pozitive dhe pragmatike ndaj Kinës, me të cilën, SHBA-të duhet të punojnë, për të promovuar qëndrueshmëri në rrugën e marrëdhënieve dypalëshe, që përbën dukshëm edhe një pritshmëri të bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi.

Në lidhje me gjendjen në Ukrainë, Kina, që prej fillimit të konfliktit, ka luajtur një rol konstruktiv duke iu përmbajtur parimit se zgjidhja arrihet me bisedime, dhe partneriteti Kinë – Rusi që bazohet në mosaleancë, moskonfrontim dhe mosshënjeshtrim të ndonjë pale të tretë, është një çështje brenda sovranitetit të këtyre dy vendeve të pavarura. “Kina kurrë nuk ka pranuar ndonjë moralizim, shtrëngim apo presion për marrëdhëniet Kinë-Rusi nga Shtetet e Bashkuara”, citohet të ketë thënë Wang, që shtoi se “SHBA, si një vend i madh, duhet të promovojë një zgjidhje politike për krizën e Ukrainës”.

Për çështjen e Tajvanit, koncepti i vetëm një Kine është shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi edhe ruajtja e stabilitetit nëpër ngushticat e Tajvanit kërkon që ishulli me mbi 36.000 km² dhe me një popullsi mbi 23 milionë banorë, në respekt të fakteve historike, të respektohet dhe të trajtohet nga të tëra palët ndërkombëtare me veprime reale si pjesë e një Kine, pasi ky ishull kurrë përgjatë historisë nuk ka qenë më vehte, por gjithmonë pjesë e Kinës.

Gjithashtu, po në datën 18 shkurt, 2023 Wang Yi, u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell Fontelles, takim në të cilin Wang Yi u shpreh se Kina dhe BE janë partnerë dhe jo rivalë, dhe se konsensusi i tejkalon dallimet. Bëhen tashmë 20 vite që Kina dhe BE kanë nënshkruar partneritetin strategjik gjithëpërfshirës. Të dy palët do punojnë për një takim të liderëve të Kinës dhe BE-së, të nxisin dialogun dhe shkëmbimet dypalëshe e shumëpalëshe dhe të ruajnë dhe forcojnë stabilitetin e zinxhirit global të prodhimit, furnizimit dhe shpërndarjes. Marrëdhëniet e shëndosha Kinë – BE janë të dobishme për Evropën, Kinën dhe botën dhe në lidhje me këtë aspekt, Wang Yi në këtë takim theksoi se “duke u përballur me një botë ngjarjesh të ndërthurura, Kina dhe BE-ja duhet të forcojnë bashkëpunimin për të injektuar më shumë stabilitet në botë”.

Në takimin  e Mynihut, Wang Yi, mbajti një fjalim kryesor në të cilin theksoi se në lidhje me luftën Ukrainë – Rusi: “Kina do të publikojë një dokument ku qartëson qëndrimin e saj mbi zgjidhjet politike të krizës në Ukrainë. Kina qëndron gjithmonë në anën e paqes dhe dialogut për çështjen e Ukrainës. Konflikti nuk duhet të vazhdojë më. Presidenti kinez Xi Jinping disa herë publikisht ka theksuar qartë se konfliktet dhe luftërat nuk nxjerrin fitues. Nuk ka zgjidhje të thjeshtë për një çështje komplekse dhe konfrontimi midis vendeve të mëdha duhet të shmanget”.

Në fjalimin e tij Wang theksoi se: “Një botë më e sigurt kërkon zgjedhje të drejta të Kinës dhe Evropës. Si dy fuqi të mëdha dhe tregje të mëdha në procesin e multipolarizimit të botës, zgjedhjet e Kinës dhe Evropës do të jenë të rëndësishme për botën. Ta bësh botën një vend më të sigurt është dëshira e fortë e të gjithë njerëzve, përgjegjësia e përbashkët e të gjitha vendeve dhe më e rëndësishmja, drejtimi i duhur për përparimin e kohës sonë. Për një botë më të sigurt, të gjithë duhet të insistojmë në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve, në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe konsultimit, në kthimin në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe në rolin kyç të zhvillimi”.

“Me çdo rritje të fuqisë së Kinës, do të ketë më shumë shpresë për paqen në botë. Me të gjitha vendet që punojnë së bashku për zhvillim paqësor, e ardhmja e njerëzimit do të mbushet me dritë” – e mbylli fjalën e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih Z. Wang Yi.
Nga: dr. Enriko Ceko