Ndihmuan Turqinë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit, ekipet shqiptare kthehen në atdhe
2023-02-20 16:53:21

Ekipi shqiptar i ndihmes ne Turqi (Foto Rtsh)

Ekipi shqiptar i ndihmes ne Turqi (Foto Rtsh)

Ekipet shqiptare të Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile dhe ekipet shëndetësore që ishin në Turqi për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit katastrofik të 6 shkurtit, janë kthyer në atdhe.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një mesazh në rrjete sociale, ku shkruan: “Krenari dhe mirënjohje pafund për tre ekipet. Të gatshëm dhe solidarë sa herë të jetë nevoja për kontributin tonë”.

Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile, ekipeve shëndetësore janë përcjellë me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre, shkruan “RTSH”.

Përgjatë këtyre ditëve të kërkim-shpëtimit janë nxjerrë nga ekipet shqiptare 26 persona të bllokuar nën rrënoja, mes të cilëve edhe disa të mbijetuar.

Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë dhe brenda 24 orëve në zonat e tërmetit mbërriti ekipi i parë i parë shqiptar i shpëtimit. Gjithashtu, në emër të pupollit shqiptar, kryeministri Edi Rama u bë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, duke dhuruar 1 milion euro në ndihmë të rindërtimit. (Fatosi)