Shqipëria, vendi i 50-të anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Verës dhe Vreshtarisë
2023-02-20 16:29:32

Shishe vere (Foto Atsh)

Shishe vere (Foto Atsh)

Shqipëria do të jetë vendi i 50-të, anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Verës dhe Vreshtarisë (OIV).

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, teksa njoftoi se ka depozituar përmes ambasadorit shqiptar në Francë, Dritan Tola, kërkesën zyrtare për të qenë shteti i 50-të anëtar i organizatës më të madhe dhe të rëndësishme të vreshtarisë dhe verës në botë (OIV), shkruan “ATSH”.

Sipas ministres, ky hap i rëndësishëm në integrimin e industrisë shqiptare të verës në tregjet e ndërkombëtare, vjen pas një pune të madhe që ka bërë Ministria e Bujqësisë bashkë me ekspertët e fushës për të plotësuar çdo hallkë të zinxhirit që kërkon ky proces ndërkombëtarizimi i industrisë së verës “Made in Albania”.

Potencialet e industrisë shqiptare të verës, së fundi po gjejnë jehonë edhe në faqet e shtypit ndërkombëtar, ndërsa ky sektor llogaritet një vlerë e shtuar në zhvillimin e agroturizmit dhe ekonomisë rurale.

Ministria e Bujqësisë po mbështet zhvillimin e industrisë së verës, si një nga produktet tradicionale nga më të hershmet në Shqipëri, që e ka bërë atë të njihet për varietetet autoktone të rrushit, prej nga prodhohen një sërë verërash cilësore.

Sipas të dhënave të MBZHR-së, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit prodhimi i verërave është rritur me rreth 11.2%, duke fituar qëndrueshmëri në volumin e prodhimit në rreth 190-195 mijë tonë/vit.

Kjo ecuri pozitive konfirmon potencialin që ka ky sektor për t’u rritur dhe për t’u kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi. (Fatosi)