Wang Yi bën thirrje për besim të ndërsjellë për një botë më të sigurt
2023-02-20 14:18:15

Wang Yi, drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, ritheksoi fundjavën e kaluar qëndrimin e Kinës për zhvillimin paqësor, duke bërë thirrje për krijimin e besimit të ndërsjellë për një botë më të sigurt.

Foto: Wang Yi mban fjalim në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, i tha këto në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, një platformë ndërkombëtare për të diskutuar mbi çështjet e sigurisë globale.

“Duke qëndruar në një udhëkryq të historisë, shoqëria njerëzore nuk duhet të ecë përsëri në rrugën e antagonizmit, ndarjes e konfrontimit dhe duhet të mos bjerë në kurthin e ‘lojës ku fituesi i merr të gjitha’, të luftës e të konfliktit,” theksoi ai në fjalimin e vet.

Sipas diplomatit të lartë kinez, një botë më e sigurt është dëshira e fortë e të gjithë popujve, është përgjegjësia e përbashkët e të gjitha vendeve dhe, ç'është më e rëndësishmja, është drejtimi i duhur për përparimin e kohës sonë.

“Për një botë më të sigurt, ne të gjithë duhet të ngulim këmbë në respektimin e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të të gjitha vendeve, në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut e konsultimeve, në rikthimin e qëllimeve e parimeve të Kartës së OKB-së dhe në rolin kyçe të zhvillimit,” tha Wang.

Ai u shpreh se fuqizimi i Kinës do të sjellë më shumë shpresë për paqe në botë, duke shtuar që, nëse të gjitha vendet punojnë së bashku për zhvillimin paqësor, e ardhmja e njerëzimit do të jetë e ndritur.

Foto: Wang Yi mban fjalim në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Foto: Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Duke vënë në pah se Kina e Europa janë dy fuqi, dy tregje dhe dy qytetërime të mëdha në procesin e multipolarizimit, Wang u shpreh se zgjedhjet që bëjnë ato janë shtylla që përcakton drejtimin nga do të shkojë bota.

Ai e nxiti palën europiane të punojë me palën kineze për të ndërtuar bashkë një botë më të sigurt.

Sipas Wang Yi-së, Kina do të shtjellojë në një dokument qëndrimin e vet mbi zgjidhjen e krizës së Ukrainës me mjete politike dhe do të publikojë Konceptin e Nismës së Sigurisë Globale për të propozuar më shumë iniciativa për trajtimin e dilemave të tanishme të sigurisë.

Rreth 150 zyrtarë të lartë, duke përfshirë krerë të 40 vendeve e qeverive dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare, po marrin pjesë në konferencën treditore për të diskutuar mbi sfidat dhe problemet e sigurisë globale, si konflikti Rusi-Ukrainë. Por, për herë të parë në dy dekada, liderët rusë nuk u ftuan në këtë veprimtari.


Kundërshtimi i fortë i “pavarësisë së Tajvanit”

Paqja ndërmjet dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit duhet të ruhet me anën e kundërshtimit të fortë të forcave separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” dhe ndjekjes së parimit të “Një Kine”, gjë që është në përputhje me konsensusin e bashkësisë ndërkombëtare, tha Wang Yi gjatë përgjigjes së pyetjeve mbi këtë provincë të Kinës.

Sipas tij, Tajvani është pjesë e Kinës që nga lashtësia, nuk ka qenë kurrë më parë një vend dhe kurrë nuk mund të bëhet i tillë, dhe kjo është gjendja e vërtetë e çështjes së Tajvanit.

Foto: Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Foto: Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

“Nuk jemi ne, por forcat separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’ që dëshirojnë ta ndryshojnë këtë gjendje,” shtoi ai, duke theksuar se veprimet për “pavarësisë së Tajvanit” janë të papërputhshme me paqen dhe stabilitetin e ngushticës së Tajvanit, si “uji me zjarrin”.

Teksa të gjitha palët kanë theksuar nevojën për të mbrojtur sovranitetin e tërësinë territoriale mbi çështjen e Ukrainës, ky parim duhet të zbatohet edhe për sa i përket problemit të Tajvanit, tha Wang Yi.

Ai vuri në dukje se nuk duhet të ndiqen standarde të dyfishta kur flitet për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës.


Dialogu, i domosdoshëm për krizën e Ukrainës

Kina “as nuk ka ndenjur duarkryq dhe as i ka hedhur benzinë zjarrit” lidhur me krizën në Ukrainë, por ka bërë gjithmonë thirrje për paqe dhe dialog, theksoi diplomati i lartë kinez kur iu përgjigj pyetjes për çështjen e Ukrainës.

“Sugjeroj që çdokush të fillojë të mendojë me gjakftohtësi, sidomos miqtë nga Europa, se çfarë përpjekjesh mund të bëjmë për ta përfunduar këtë luftë”, tha Wang Yi.

Sipas tij, ka “disa forca që duket sikur nuk dëshirojnë që negociatat të kenë sukses, ose që lufta të përfundojë shpejt”.

Foto: Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Foto: Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

ShBA-ja e ka trajtuar në mënyrë “histerike” incidentin e balonës

Diplomati i lartë kinez kritikoi edhe trajtimin e incidentit të balonës nga pala amerikane si “të paimagjinueshëm” dhe “histerik”, në përgjigjen e pyetjes përkatëse.

Tensionet midis dy ekonomive më të mëdha të botës u shtuan pasi Shtëpia e Bardhë urdhëroi të qëllohej me avion luftarak "F-22" një balonë e dyshuar “përgjimi” në bregdetin e Karolinës Jugore.

Wang Yi tha se balona ishte një anije ajrore civile e humbur, duke e quajtur veprimin e ShBA-së si “absurd” dhe që shkeli normat ndërkombëtare.

“Shumë balona po fluturojnë mbi Tokë, a mos do të thotë kjo se ShBA-ja do t'i qëllojë të gjitha?”, pyeti diplomati kinez. Ai e nxiti palën amerikane të shfaqë sinqeritet dhe të ndreqë gabimet e saj, duke e zgjidhur këtë incident që dëmtoi marrëdhëniet dypalëshe.

Wang gjithashtu hodhi poshtë perceptimin “e keqorientuar” për Pekinin nga Uashingtoni si një sfidë dhe kërcënim gjeopolitik, duke thënë se ShBA-ja po përpiqej ta “përbalte” Kinën.

Duke marrë si shembull projektligjin mbi mikroçipat, diplomati kinez e quajti atë “100 % proteksionizëm, 100 % egoizëm dhe 100 % veprim i njëanshëm”. Wang e nxiti ShBA-në të mbajë një qëndrim objektiv dhe të paanshëm ndaj zhvillimit të Kinës, të ndjekë politika pozitive e pragmatike ndaj saj dhe të punojë bashkë me palën kineze për të nxitur kthimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm në rrugën e duhur të marrëdhënieve kino-amerikane. “Kjo është jo vetëm në interes të të dy vendeve e të dy popujve, por edhe përputhet me pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare,” shtoi Wang.

Foto: Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Foto: Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Munihut në Gjermani, 18 shkurt 2023 (Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Në konferencë, Wang Yi bëri të ditur gjithashtu se Kina do të publikojë një dokument mbi Nismën e Sigurisë Globale, ku do të paraqesë një qëndrim më sistematik dhe masa më praktike për trajtimin e konflikteve dhe të sfidave të sigurisë në botën e sotme.(Zhang Yan/Artan)