Mbi 5 mijë nëna shqiptare përfituan nga programi i mbështetjes me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore
2023-02-20 15:45:28

Ministrja Manastirliu (Foto Rtsh)

Ministrja Manastirliu (Foto Rtsh)

Në muajin janar, 5210 nëna shqiptare përfituan nga programi i mbështetjes me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për nënat e papuna me tre ose më shumë fëmijë, shkruan “RTSH”.

Gjatë një takimi me gratë përfituese të programit të ri të mbështetjes për nënat me shumë fëmijë në Korçë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se kjo është një politikë universale që buroi nga Këshillimi Kombëtar për mbështetjen e nënave me shumë fëmijë.

Pas nismës së Këshillimit Kombëtar, qeveria shqiptare miratoi programin e mbështetjes për nënat e papuna me tre apo më shumë fëmijë të mitur.

Kjo paketë mbështetëse  garanton mbrojtje sociale të barabartë, mirëqënie sociale, mbrojtje të rolit të gruas dhe fuqizimin e saj brenda familjes.

Në thelb ajo vlerëson punën e papaguar, me qëllim mirërritjen e fëmijëve të mitur që nga lindja e tyre deri në moshë parashkollore, si edhe duke njohur kontributin e punës së papaguar.

Përgjatë muajit janar mbi 8 mijë nëna kanë aplikuar nëpërmjet portalit e-Albania. Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se do të vijojë mbështetja e qeverisë me programet sociale për shtresat në nevojë.

Kjo politikë e re përmirëson cilësinë e jetesës brenda familjeve shqiptare dhe gjithashtu pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e shkallës së lindshmërisë në vend. (Fatosi)