Aurela Gaçe promovon albumin muzikor “Unike … me Taban”
2023-02-19 16:09:32

Javën e kaluar artistja Aurela Gaçe promovoi e albumit të saj muzikor "Unike ... me Taban", ku ishin të ftuar artistë të njohur, personazhe nga bota e televizionit, kolegë e bashkëpunëtor.  Në këto 30 vite karrierë artistike Aurela ka një repertor shumë të pasur me këngë të zhanreve të ndryshme, por ajo vazhdon ende të punojë fort e të publikojë materiale të reja kohë pas kohe. Kjo falë punës dhe dashurisë që ka për muzikën dhe publiku  vazhdon ta dojë si herën e parë kur doli në skenë. Në këtë dopjo album  Aurela Gaçe përshfshin 20 këngë “Unike… “Me Taban”, ku 15 këngë janë të zhanreve të ndryshme dhe 5 këngë me taban si, “Çupa nga Vlora”, “Lento, lento”, “Në të zënça”, etj. Gjatë eventit artistja prezantoi këngët dhe videoklipet e tyre, si dhe falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët e saj,  emra shumë të njohur të muzikës shqiptare si Stine, Eli Fara apo Aleksandër Gjoka, Alban Kondi, Jorgo Papingji, Eriona Rushiti, Adrian Hila, Enis Mullaj, e shumë të tjerë, por gjithashtu ajo ka  dhe bashkëpunim mjaft të veçantë me këngëtarin e ndjerë Dr.Florin, të cilin Aurela e solli  për publikun bashkë me Stinen,në titullin “SFL” , Stine, Flori, Lela.  Në fund të mbrëmjes ajo zgjodhi që të publikonte bashkpunimin  me dy vajzat e saj, ku gjatë promovimint ajo theksoi se  nuk do të jetë i fundit. Tashmë këngët janë në të gjitha aplikacionet online dhe mund ti ndjekin të gjithë në “Spotify”.  Në intervistë për Radio Ejani Aurela tregon gjithçka rreth këtij albumi, por edhe dëshirën për projekte të tjera në të ardhmen.

Aurela Gaçe  (Foto nga Instagram).

CMG: Përshëndetje Aurela! Tashmë ti feston 30 vjetorin e karrierës tënde me plot dy albume, një projekt madhështor me 20 këngë, "Unike … me Taban”, ashtu siç je edhe ti vetë Aurela.

Aurela Gaçe: Ky është një album që përfaqëson më së miri karakterin tim. Unë u them të gjitha vajzave, djemve, vajzave të mia që rriten dhe që do të përballen me të qënurit "jo mjaftueshëm" për njerëzit, për sytë, etj. Shpesh njerëzit të thonë: " Dobësohu, shëndoshu, je plakur, je rrudhur, je shumë e re, s'je e re, të shkojnë të zeza, të shkojnë bjonde, etj. Unë jam  e mendimit, kur jemi plot brenda vetes dhe kemi çfarë të japim si njerëz, këto nuk kanë rëndësi. Prandaj unë i kam qëndruar jo ndryshimit në shumë gjëra sepse besoj shumë në karakterin tim.

CMG: Në fakt ti ke qenë “unike” që në fillimet e tua, që nga paraqitja, mënyra e veshjes, e transmetimit të këngëve, etj.

Aurela Gaçe  (Foto nga Instagram).

Aurela Gaçe: Të gjithë ne jemi “unik”.  Në këngë e them: "Unike u linde, u rrite , se shenjat e gishtit nuk ngjajnë, fytyrën ke tënden, ashtu edhe trupin, më të bukur se ty nuk ka".

CMG: Sot ti feston 30 vjetorin e karrierës artistike. Si do i përkufizoje këto tre dekada?

Aurela Gaçe: Plot punë, shumë punë, punë, shumë dashuri për gjithë këtë që unë bëj. Sukseset i kam harruar në momentin që kam marrë një kupë apo kam fituar diçka sepse përballja me jetën nuk është ajo kupa,  është puna  që bën për ta mbajtur atë sukses që ke arritur, nuk mund ta përkufizoj ndryshe.

CMG: Për ty Aurela duartrokitjet e publikut janë më të rëndësishme se vetë kupat. Ti je një ndër të paktat artiste që janë me këmbë në tokë.

Aurela Gaçe  (Foto nga Instagram).

Aurela Gaçe: Dhe e di pse vjen kjo? Sepse e dua kaq shumë punën që bëj dhe nëse e mërzis publikun që më dëgjon, më duket sikur humbas njeriun e zemrës që i thua "të dua", është sikur humbet partnerin. Muzika është të japësh  dhe të marrësh, është dashuri dhe nëse  publiku nuk të dëgjon më dhe nëse e mërzit, humbet ajo dashuria, humbet partneri që ti ke përballë, prandaj për mua është shumë i rëndësishëm publiku.

CMG: Aurela punë, punë, punë , por a do më shumë publikun apo familjen?

Aurela Gaçe: (Qesh) Unë kam një mbështetje kaq të madhe nga familja dhe Skerdi që nuk del ndonjëherë në skenë është krahu im i djathtë. Është ai që më thotë të vazhdoj deri sa të kem pasion dhe fuqi sepse kjo është trashëgimia që do të lësh pas dhe unë jam e lumtur që e kam në krahë.

CMG: Skerdi nuk del në skenë, por në videoklipin e këngën "Çupa nga Vlora" e more me vete në motorr.

Aurela Gaçe  (Foto nga Instagram).

Aurela Gaçe: Vetëm aty erdhi se i ka qejf motorrat.

CMG: Aurela, këtë herë janë dy albume, një projekt madhështor, të gjitha të shoqëruara me videoklipe, një punë kolosale me ditë, javë, muaj e vite me rradhë dhe më në fund ja ku jemi në këtë promovim.

Aurela Gaçe: Deri tani kam publikuar 12 këngë me videoklipe, sot gjatë promovimit do të shfaqen 4 të tjera, pra nga 20 këngë,plot  19 prej tyre do jenë me videoklipe.

CMG: Në intervistën që realizuam bashkë pak kohë më parë, ti më the se sapo të përfundosh albumin muzikor në 30 vjetorin e karrierës tënde artistike, dëshiroje që të realizoje një koncert recital të cilin doje ta quaje "Koncerti i jetës time". Çfarë do na thoje sot për këtë gjë?

Aurela Gaçe: Po. Vetëm se duhen shumë lekë (qesh).

CMG: Do e mendosh për në vazhdim?

Aurela Gaçe  (Foto nga Instagram).

Aurela Gaçe: Unë  e dua dhe kur e vendos diçka në kokë, mund të zgjasë pak derisa ta çoj deri në fund, por të krijosh diçka madhështore duhen shumë të ardhura. Gjithçka që ju shihni sot në këtë promovim ne e kemi bërë me forcat tona. Por që të ndërtosh një ndriçim madhështor, shina që kalojnë, ashensor që ngrihen nga skena, tym, flakë, orkestër e gjallë me 20 apo 30 persona sigurisht që duhen shumë të ardhura sepse gjithë këta persona punojnë. Kështu që do ta shohim...

CMG: Urimet e mia dhe për këngën me vajzat! Uroj që të kesh shëndet dhe t’i gëzosh në çdo moment të jetës së tyre, por edhe ty të të kemi përherë me të reja që ti realizon për publikun që e do dhe të do fort.

Aurela Gaçe: Faleminderit shumë! E vlerësoj shumë praninë tuaj, praninë e të gjithëve, sepse në fund këto janë copëza lumturie.

CMG: Uroj që jeta jote të jetë e mbushur jo me copëza, por me shumë lumturi!

Aurela Gaçe: Copëzat janë mirë (qesh).

Aurela Gaçe ne interviste per CMG

Intervistoi: Sava Lena