Viti i mbrapshtë i një konflikti ku të gjithë kanë humbur
2023-02-19 13:16:34

Më 24 shkurt bëhet një vit nga shpërthimi i konfliktit Rusi-Ukrainë, dhe 365 ditë pas, përplasjet në terren nuk tregojnë shenja lehtësimi. Logjika e zgjidhjes ushtarake ende mbizotëron dhe një numër i madh i armëve të rënda vazhdojnë të derdhen në fushat e betejës. Prej një viti themelet e arkitekturës së sigurisë evropiane janë tronditur. Kriza humanitare e krijuar atje ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Tragjedia njerëzore në Ukrainë dhe “dëmet kolaterale” në mbarë Evropën në rrafshin ekonomik kanë gjunjëzuar dhe kanë çuar në dëshpërim miliona njerëz përtej konfliktit.


Situata në fushë betejë po bëhet më e ndërlikuar, duke përfshirë pjesëmarrjen më të madhe të NATO-s dhe mobilizimin më të gjerë në Rusi. Me konfliktin që po hyn në vitin e dytë, nuk ka ende asnjë shenjë se armiqësitë që shpërthyen në Evropë në shkurt 2022 do të pushojnë. Përkundrazi, ngjarjet e përditshme  tregojnë  se luftimet do të jenë më të përgjakshme. Tensionet e rritura gjeopolitike kërcënojnë gjithashtu rimëkëmbjen globale.

Një profesor i njohur amerikan, John Mearsheimer, shprehet se të dy vendet besojnë se po përballen me një kërcënim ekzistencial. Dhe kur mendohet në të tilla linja, atëhere luftohet deri në pikën e fundit. Përveç dy aktorëve të përfshirë direkt, edhe Perëndimi është thellësisht i përkushtuar ndaj këtij konflikti, me kapitale financiare dhe armatime, por jo me kapital njerëzor. Në të tilla kushte, është e vështirë që Perëndimi të largohet. Ukrainasit kanë një interes të thellë për të luftuar deri në vdekje, rusët nuk bëjnë asnjë lëshim, dhe është shumë e vështirë të kuptohet se si mund të vijë fundi. Deri tani asnjëri nga skenarët në projektime nuk çon në përfundimin e luftës, përkundrazi, duket sikur do të ketë një përshkallëzim. Për Mearsheimer ka më shumë gjasa që të përfundohet me një “konflikt të ngrirë” sesa me një traktat paqeje kuptimplotë. Dhe nëse është kështu, marrëdhënia dhe stabiliteti në Evropë, do të jenë në gjendje të mjerueshme.

Ky konflikt është portretizuar shpesh në bazën e klisheve që pikturojnë botën bardhë e zi dhe krijojnë një betejë imagjinare të demokracisë kundër autokracisë në një përpjekje për të mohuar diversitetin e madh në botë, ku situatat janë shumë më të komplikuara se dy ngjyra të vetme. Gjërat janë shumë më  të ndërlikuara, sepse ky nuk është një konflikt midis Rusisë dhe Ukrainës, të gjithë e dinë në të vërtetë një luftë ndërmjetëse, më saktë një konflikt gjeopolitik. Megjithatë, duket se janë bërë shumë kalkulime të gabuara, nga të gjitha palët.

Sepse, për shembull, India (atë që vetë Perëndimi e quan demokracia më e madhe në botë) me afro 1.4  miliardë njerëz, nuk iu bashkua dhe nuk mbajti anë, po ashtu shumë vende në zhvillim ose ndryshe Jugu Global u distancuan. Nga ana tjetër Moska mendonte se për 3 javë do ishte në Kiev, por ja që nuk ndodhi kështu.

Situata tani është në ngërç ushtarak dhe humanitar, vuajtje të zgjatura dhe një konflikt i tejzgjatur. Moska po vazhdon një konflikt afatgjatë me një komb që e quan “vëlla” dhe vazhdon të shkaktojë vdekje dhe shkatërrim në të njëjtin vend që në slogane “po do të shpëtojë”!

Nga ana tjetër edhe në Bruksel është pranuar se 9 raunde sanksionesh kundër Rusisë deri më tani nuk kanë arritur të prodhojnë rezultatin e synuar, të ndëshkojnë Rusinë duke dobësuar ekonominë e saj, efektet janë më pak se zero. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), regjistroi se ekonomia e Rusisë u tkurr me 2.2% në 2022, ndërkohë që vendet që aplikuan sanksionet prisnin një rënie prej 15%. Dhe kur u panë këto rezultate u tha se “ishte një gjest politik”. Po kush po paguan për këtë gjest politik? Taksapaguesit dhe familjet evropiane (BE dhe jo-BE), vendet e varfra të cilat kishin varësi të madhe nga drithërat e Ukrainës dhe Rusisë, dhe kushdo tjetër që u ndodh në këtë “kryqëzim zjarresh”.

Po mbi të gjitha, ata që kanë paguar më jetë, janë mveshur më tragjedinë më të madhe. Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) regjistroi 18,955 viktima civile në vend: 7,199 të vrarë dhe 11,756 të plagosur, të dhëna të tjera e çojnë këtë numër në më shumë se 30 mijë. Nga ana tjetër mendohet se në radhët ushtarake ka afro 200 mijë viktima, dhe ka 10 milionë ukrainas që janë shpërngulur në një vit. Nuk dihet se sa qënie njerëzore duhet të sakrifikohen ende në altarin e rivalitetit!

Përveç sa më sipër, një vit i plot ka qenë katastrofik për Ukrainën ekonomikisht pasi është parë një rënie prej 30% e PBB-së; më tej, para fillimit ishte një vend relativisht i varfër me afro 5000 dollarë vjetorë për frymë, tani është në 1000. Borxhi i jashtëm ukrainas ka shkuar në shifra stratosferike, me një PBB prej 50 miliardësh, tani ka 300 miliardë borxhe.

Po Kina? Që në fillimet e saj, Kina e ka vendosur veten mbi palët dhe u ka bërë thirrje që të punojnë drejt përfundimit sa më të shpejtë të konfliktit, që të kenë parasysh interesin e popullit, të përpiqen të promovojnë paqen dhe të provojnë çdo mënyrë të mundshme për t'i shtyrë palët në konflikt të rifillojnë bisedimet e paqes duke i dhënë fund luftimeve sa më shpejt. Një vit më vonë, në mes shkurti 2023 Dai Bing, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara u shpreh se “Komuniteti ndërkombëtar shpreh keqardhjen për koston humanitare të konfliktit. Por palëve të interesuara u mungon sinqeriteti për të nxitur bisedimet e paqes dhe vendosmëria për ta zgjidhur çështjen politikisht.”

Së fundmi, në shumë raste, fuqitë e mëdha po i hedhin hapat për arsye strategjike dhe jo për arsye morale, edhe pse ndonjëherë këto të dyja mund duken në narrativë se lidhen me njëra-tjetrën. Lind pyetja, veprimet që po ndërmerren tani për konfliktin në Ukrainë janë strategjike apo morale, me bazë interesash apo vlerash? Që të mos përfshihemi nga idilizmat që shpesh kanë tone të larta naiviteti, çfarë po ndodh është e gjitha nën influencën e aspektit strategjik dhe interesave financiare dhe kombëtare të njërës palë ose tjetrës. Duhet pranuar se situata në Ukrainë, ka autorë, fajtorë dhe bashkëfajtorë, dhe nëse është dikush që ka detyrën për të zhbërë këtë situatë duhet të jenë ata që e krijuan.

Ndërkohë në një vit tragjik, kostot janë njerëzore, përfitimet janë kapitale. Nuk ka dritë në fund të këtij tuneli absurditeti, dhe kushdo që do dalë nga kjo gropë e madhe fatkeqësish dhe bixhozi gjeopolitik nuk do të jetë fitues, pasi ky konflikt ka vetëm të humbur.

Dr. Marsela Musabelliu