Plani strategjik “Katër të gjithanshmet”
2023-02-19 11:29:54

“Katër të gjithanshmet” bën fjalë për një plan strategjik për “ndërtim të gjithanshëm të një vendi socialist modern, thellim të gjithanshëm të reformave, nxitje të gjithanshme të sundimit të ligjit dhe forcimin e gjithanshëm të menaxhimit të Partisë Komuniste të Kinës”.

Qyteti Guangzhou(Foto:VCG)

Qyteti Guangzhou(Foto:VCG)

Plani u paraqit nga presidenti kinez dhe Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së, Xi Jinping në dhjetorin e vitit 2014-të si bazë e përpilimit të politikave dhe ka rëndësi kyçe për të realizuar një zhvillim dhe qeverisje të koordinuar, sistematike të vendit. Po të analizohen katër pikat e përfshira, mund të zbulohet se ato nuk janë të ndara veç e veç, por kanë logjikë dhe janë të ndërlidhura ngushtë.

Ndërtimi i gjithanshëm i një vendi socialist modern është qëllim. Që nga plani i parë pesëvjeçar deri në atë të 14-të, kjo është një temë e pandryshueshme e punës së qeverisë kineze. Konkretisht, në Kongresin e 19-të Kombëtar të PKK-së, të mbajtur në vitin 2017, u caktua që procesi i realizimit të këtij objektivi të ndahej në dy faza, të cilat janë përkatësisht: realizimi në parim i modernizimit socialist (2020-2035) dhe ndërtimi i vendit të fuqishëm socialist modern (2035-2050).

Porti i qytetit Qingdao(Foto:VCG)

Porti i qytetit Qingdao(Foto:VCG)

Thellimi i gjithanshëm i reformave është mënyrë. “Reforma dhe Hapja” janë ndër politikat bazike të Kinës, me anën e të cilave vendi njohu zhvillim të vrullshëm në katër dekadat e fundit. Thellimi i reformave synon përmirësimin e mëtejshëm të aftësisë qeverisëse dhe mekanizmave të zhvillimit të sektorëve të ndryshëm përmes reformave. 

Foto:VCG

Foto:VCG

Sundimi i ligjit është garantimi i realizimit të objektivit. Nxitja e gjithanshme e sundimit të ligjit pasqyrohet në legjislacion, zbatim të ligjit, qeverisje sipas ligjit dhe mbrojtje të të drejtave të subjekteve të ndryshme ligjore. Për shembull, në dhjetë vitet e fundit qeveria kineze ka hartuar, rishikuar dhe shfuqizuar 466 rregulla administrative, duke plotësuar kërkesat përkatëse të banorëve. Ndërsa forcimi i zbatimit të ligjit ka ulur në mënyrë të ndjeshme numrin e krimeve penale. Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2021, 98.6 për qind e të intervistuarve u shprehën se ndiheshin të parrezikuar, ndërsa Kina cilësohet si një ndër vendet më të sigurta në botë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Menaxhimi i Partisë është veprim kyç. Lidershipi i PKK-së e ka të qartë se si parti në pushtet, menaxhimi i rreptë i të gjithë anëtarëve të saj në bazë të disiplinave partiake dhe ligjit ka të bëjë me një problem jetik për partinë. Në dekadën e kaluar, PKK-ja shpalli një fushatë të ashpër kundër korrupsionit. Që nga fundi i dhjetorit të vitit 2012 deri në qershorin e vitit të kaluar, mbi 4.43 milionë kuadro partiakë që shkelën disiplinën ose ligjin, morën dënime që parashikohen në ligj. 

Gjatë zbatimit të planit strategjik “Katër të gjithanshmet”, rritja e qëndrueshme ekonomiko-shoqërore është garantuar dhe mirëqenia e popullit është në rritje e sipër. Në vitin 2021, edhe 98.99 milionë banorë të varfër, të fundit që kishin mbetur në Kinë, dolën nga skamja. Përqindja e arsimit të detyrueshëm në zonat e prapambetura i kaloi 94.8 për qind dhe mbi 99.9 për qind e banorëve me vështirësi ekonomike u përfshinë në sigurimet mjekësore bazë.