Heqja e mbeturinave pas tërmetit në Turqi, rreziqe shëndetësore për miliona banorë
2023-02-18 17:36:01

nga VCG

nga VCG

Mbetjet nga ndërtesat e shembura duhet të asgjësohen në mënyrë të sigurt ose në të kundërt ato rrezikojnë përhapjen e sëmundjeve te miliona vendas në 11 qytetet e Turqisë të goditura nga tërmeti, ka paralajmëruar eksperti në Menaxhimin e Fatkeqësive në Universitetin Gazi të Ankarasë, Bulent Ozmen, citon “ATSH”.

“Mbi 60.000 ndërtesa ose janë dëmtuar rëndë ose janë shembur vetëm në Turqi, sipas të dhënave të qeverisë. Shumica e tyre ishin të vjetra dhe përmbanin substanca të rrezikshme si asbesti, që mund të shkaktojë kancer, ndërsa tubat e prishur të ujërave të zeza rrezikojnë të përzihen me ujin e pijshëm ose zonat bujqësore, duke shkaktuar kolerën”, tha ai.

Sipas ekspertit, një menaxhim i mirëplanifikuar i mbetjeve mbetet prioriteti kryesor në javët dhe muajt e ardhshëm.

“Një ndotje e mundshme e digave rajonale do të rrezikojë shëndetin e miliona banorëve në planin afatgjatë”, paralajmëroi Ozmen.

Rajoni i goditur nga fatkeqësia është një qendër kryesore e prodhimit bujqësor dhe blegtorisë për Turqinë, midis objekteve të tjera industriale. (Irma)

nga VCG

nga VCG