Një anëtar i Ekipit të Kërkimit dhe Shpëtimit të Kinës kryen operacionin në mbeturinat e tërmetit në Antakya në provincën jugore të Hatay, Turqi, 9 shkurt 2023. /Xinhua
Që nga e enjtja, ekipi kinez i kërkim-shpëtimit ka shpëtuar gjashtë persona të bllokuar, ndërsa ka gjetur edhe trupat e 11 viktimave në Turqi. Grupi i shpëtimit i Hong-Kong-ut ka nxjerrë 4 të mbijetuar, ai i Zhejiangut Ramunion 9 dhe grupi i shpëtimit “Qielli blu”, që punon së bashku me grupet e tjera, ka shpëtuar 8 persona dhe gjetur 137 viktima.
"Momenti më mbresëlënës për mua ishte kur ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme, përfshirë Kinën dhe Turqinë, po qëndronin këtu së bashku për të shpëtuar jetë" – tregon për agjencinë Xinhua Asmu Erdo, një student nga Universiteti Teknik i Stambollit, i cili shërben si shofer shpëtimi vullnetar në provincën Hatay. "Shpëtuesit kinezë pushonin vetëm 15 minuta për drekën.” - thotë ky student.
Anëtarët e Ekipit të Kërkimit dhe Shpëtimit të Kinës kryejnë operacionin në mbeturinat e tërmetit në Antakya në provincën jugore të Hatay, Turqi, 9 shkurt 2023. /Xinhua
Mbi 500 shpëtues kinezë
Mbi 500 persona nga 19 ekipe kineze të reagimit ndaj emergjencave ishin në Turqi për t’iu bashkuar grupeve ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit, sipas ministrisë së Jashtme kineze.
Sfidat në misione të tilla ndërkufitare kërkojnë që ekipet e shpëtimit nga Kina të forcojnë komunikimin me grupet nga vendet e tjera për të formuar një mekanizëm të unifikuar bashkëpunimi. Në Turqi, i ftohti i hidhur ka penguar punën e kërkimit në mijëra ndërtesa të rrafshuara. Temperaturat në qytetin turk të Gaziantepit ranë në minus 5 gradë Celsius duke u gdhirë dita e enjte dhe mijëra familje e kaluan natën në makina dhe tenda të improvizuara, shumë prej të cilëve të frikësuar ose të ndaluar për t’u rikthyer në shtëpi.
Ekipi kinez u thirr në vendngjarje pasi homologët turq zbuluan shenja jete gjatë pastrimit të rrënojave. Gjatë ndërhyrjes, ekipi përdori një kamerë endoskopi fleksibël përmes boshllëqeve të vogla për të verifikuar çdo frymëmarrje dhe punoi me shpëtimtarët lokalë për të pastruar zonën. Ivan Kasler, menaxheri i përgjithshëm i agjencisë turke “Blueberry Travel” tha se "forcat kineze të shpëtimit punuan me vetëmohim dhe ekspertizë, falë përvojës dhe pajisjeve të specializuara."
Hao Nan, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Komitetit të Shpëtimit Emergjent nga Tërmeti i Shoqatës për Parandalimin e Fatkeqësive në Kinë, i tregoi Xinhua-së se puna shpëtuese në Turqi dhe Siri është më sfiduesja dhe më e vështira në përvojën e tij ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit, për shkak të pengesave gjuhësore, pajisjeve të pamjaftueshme, mjedisit të panjohur, turbullirave kufitare dhe rrezikut të infeksionit nga kolera. (Xu Guang)