Lindita Purellku është këngëtare e njohur e muzikës popullore nga Maqedonia e Veriut. Ajo ka gati 35 vite karrierë muzikore, duke interpretuar pastër këngët popullore tradicionale shqiptare. Lindita ka realizuar mjaft këngë dhe kolazhe popullore, duke u pritur mirë nga artdashësi. Ajo ka pasur dhe disa bashkëpunime në duet me këngëtarë të tjerë dhe dëshiron që në të ardhmen të bashkëpunojë edhe me këngëtarë të muzikës popullore nga Shqipëria. Në një intervistë për Radio Ejani Lindita tregon për fillimet e saj në muzikën popullore, aktivitetet muzikore si dhe projektet në të ardhmen.
Kengetarja e muzikes popullore Lindita Purellku (Foto personale)
CMG: Kur keni filluar rrugëtimin tuaj me këngën popullore?
Lindita Purellku: Për të folur për rrugëtimin tim me muzikën popullore është një rrugëtim shumë i gjatë, gati 35 vite. Është një periudhë shumë e gjatë, por mua më duket sikur kam filluar tani të këndoj. Unë prej moshës 10 vjeçare kam filluar të këndoj, të merrem me muzikë dhe pikërisht kënga popullore ka qenë ajo me të cilën kam filluar hapat e para si këngëtare.
CMG: Muzikën e keni të trashëguar nga dikush tjetër në familje?
Lindita Purellku: Unë nuk e kam të trashëguar muzikën sepse në familjen time askush nuk është marrë me muzikë, por thejshtë ka qenë diçka e lindur brenda meje dhe një falenderim shumë i veçantë shkon për babain tim, i i cili më ka zbuluar talentin në atë kohë kur kam qenë shumë e re. Në atë kohë kam marrë pjesë dhe nëpër shoqëri kulturore dhe artistike, ndërsa hapat e para i kam marrë në shoqërinë kulturore artistike “Ibe Palikuqi” në Shkup. Ka qenë një periudhë 10 vjeçare kur kam qenë anëtare e shoqërisë, ku edhe kam filluar hapat e para si një këngëtare në atë shoqëri artistike.
CMG: Si janë pritur produksionet tuaja muzikore nga publiku?
Lindita Purellku: Falë publikut dhe adhuruesve të mi, të cilët çdo herë më kanë përkrahur dhe ato më kanë dhënë vullnet për të qenë këtu ku jam tani si një këngëtare. Jam munduar që çdo herë mos t’i zhgënjej, duke sjellë këngë të bukura shqiptare, këngë të përzgjedhura të disa zhanreve muzikore ku dhe publiku më njeh si këngëtare.
CMG: Cilën trevë lëvroni më tepër në interpretimet tuaja popullore?
Lindita Purellku: Nëse flasim për trevat unë mundohem që të jem e gjithanshme, duke kënduar këngët e vjetra popullore, por meqenëse jam vetë kërçovare, mundohem që dhe anën e Pollogut ta këndoj më tepër. Kjo për shkak se këtu ku jetoj kërkohet kjo lloj muzike.
CMG: Keni pasur bashkëpunime në duet me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?
Lindita Purellku gjate nje aktivitet (Foto personale)
Lindita Purellku: Unë kam realizuar disa duete me këngëtarë të tjerë me të cilët jam përshtatur më shumë vokalisht. Unë kam bërë këngë me Selami Kolonjën, Arshik Miftari që është nga Maqedonia e Veriut, Qerim Hamidi nga Kumanova si dhe të tjerë kolegë me të cilët kam pasur bashkëpunime. Gjithashtu kam bashkëpunuar me kolege me të cilat kemi realizuar potpuri popullore për fundvit apo për ndonjë projekt të organizuar nga produksionet. Kështu që bashkëpunimet e mia janë të shumta dhe çdo bashkëpunim është i mirë se ardhur.
CMG: Do të dëshironit të kishit bashkëpunime edhe me këngëtarë nga Shqipëria?
Lindita Purellku: Me shumë kënaqësi, meqenëse unë i ndjek shumë edhe artistët nga Shqipëria. Mund të them se në atë kohë kur kam filluar hapat e para të këngës kam pasur idhull dy këngëtare nga Shqipëria, Parashqevi Simaku dhe Merita Halili. Në atë periudhë i kam dëgjuar shumë, kështu që mendoj se çdo bashkëpunim si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri është mirë, që të njihemi dhe ta përhapim rrjetin tonë, mos të jemi vetëm në një vend por të kemi bashkëpunime me artistë të tjerë në Shqipëri, edhe kompozitorë pse jo.
CMG: Me cilët keni bashkëpunuar për realizimin e këngëve tuaja?
Lindita Purellku: Unë më përpara kam bashkëpunuar edhe me Naim Gjoshin nga Shqipëria, me të cilin kam realizuar disa këngë. Ndërkohë që tani bashkëpunoj me kompozitorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe falë atyre kam realizuar shumë këngë me vidoklipe. Pra jam munduar që të sjell sa më shumë këngë.
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore ku keni marrë pjesë?
Lindita Purellku: Unë kam pasur shumë aktivitete muzikore dhe kam qenë nëpër shoqëri kulturore artistike, por kam marrë pjesë edhe nëpër festivale ku jam vlerësuar me çmime. Kam marrë pjesë në festivalin “Zambaku i Prizrenit” në vitin 2016, ku jam vlerësuar me vendin e dytë nga juria profesionale. Gjithashtu kam kenë pjesëmarrëse në festivale të ndryshme këtu në Maqedoninë e Veriut. Dua ta them me shumë keqardhje se vitet e fundit nuk po bëhen organizime ku mund të marrim pjesë nëpër aktivitete. E kam fjalën për në Maqedoninë e Veriut, por nëse marr ndonjë ftesë edhe në Shqipëri me shumë dëshirë do e kisha pranuar për të qenë pjesë e ndonjë festivali.
CMG: Janë dasmat pjesë e angazhimeve tuaja muzikore?
Lindita Purellku me veshje popullore (Foto personale)
Lindita Purellku: Normale që dhe dasmat i kemi pjesë të aktiviteteve në sezone të caktuara. Unë jam e pranishme nëpër të gjitha ahengjet familjare në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Fatkeqësisht në Shqipëri akoma nuk kam pasur dhe do të kisha dëshirë të merrja pjesë në gëzimet familjare për të qenë më afër popullit shqiptar dhe për të parë traditat e Shqipërisë. Unë jam mjaft e kërkuar nëpër dasma këtej nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Lindita Purellku: Gjatë gjithë vitit po punoj këngë, projekte me videoklipe, kështu që dhe për momentin jam duke punuar. Unë i përkushtohem shumë këngëve, teksteve dhe melodive. Do të kem projekte të reja muzikore gjatë këtij viti.
CMG: Përshëndetja juaj për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Lindita Purellku: I përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe kënaqësi që isha pjesë e emisionit Bio Folk, ku më njohën nga afër për jetën dhe karrierën time muzikore. Unë ju them të dëgjojnë Radio Ejani dhe emisionin Bio Folk.
Lindita Purellku.(Foto personale)
Intervistoi: Gazmend Agaj