Aurela Gaçe – “Unike … Me Taban”, tashmë online në Spotify
2023-02-17 10:59:10


Në eventin e organizuar nga artistja Aurela Gaçe për promovimin e albumit  "Unike ... me Taban" ishin të ftuar këngëtarë të njohur, personazhe nga bota e televizionit, etj. Në këto 30 vite karrierë artistike në skenë dhe me një repertor shumë të pasur, këngë të zhanreve të ndryshme, Aurela vazhdon ende  të befasojë publikun  me gjithçka që ajo realizon dhe kjo falë seriozitetit ndaj punës dhe dashurisë që ajo ka për publikun, që vazhdon ta dojë njësoj si ditën e parë.  Ky projekt muzikor nuk vjen me një, por me dy albume, i titulluar “Unike…me taban”. Artistja Aurela Gaçe në këtë album kaq të veçantë ka sjellë zhanre të ndryshme muzikore. Gjatë eventit artistja falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët e saj,  emra shumë të njohur të muzikës shqiptare si , Adrian Hila, Enis Mullaj, Kledi Bahiti, Alban Kondi, Aleksandër Gjoka, Jorgo Papingji, Eriona Rushiti, Rozana Radi, Eli Fara, etj, por  edhe një  bashkëpunim tejet të veçantë me këngëtarin e ndjerë Dr.Florin, të cilin Aurela e solli  për publikun bashkë me Stinen në këngën me titull “SFL”, Stine, Flori, Lela.

Surpriza e mbrëmjes  ishte  kënga me dy vajzat e saj. Kujtojmë se është hera e parë që Aurela vjen me një ‘bashkëpunim’ të tillë, ndërsa theksoi se nuk do të jetë i fundit.

Ndër të tjera Aurela theksoi: “Sot do të shfaqen 16 klipe, prandaj dua të falenderoj të gjithë ata që bën të mundur që unë këto këngë t’i kthej në videoklipe. Klipet janë si mini-filma dhe dua të falenderoj  një bashkëpunëtor të ri me të cilin guxova dhe fitova dhe ai është Eni i Frame Produksion, por një falenderim kam gjithashtu dhe për bashkëpunëtorin tim të vjetër i cili ka peshën më të madhe të videoklipeve të mia ai është Max Production. Ky është dopjo album dhe unë ndjehem mirë sepse arrita të ndaj me ju 20 copëza shpirti. Sigurisht që ka mirë e mirë, por a e keni vënë re se sa trysni ka koha jonë që jetojmë, me modën, me trendet, me klikimet, por a e dini që mua nuk më intereson shumë kjo gjë. Unë ndjek vetëm ndjesitë e mia, sigurisht që jo në çdo projekt është 100 përqindshi im, por ama në gjithsecilën prej tyre është derdhur shumë punë. Në këtë album vij si bashkëautore, por nuk preferoj kurrë të jem as poete e as kompozitore, por di që kam një ndjesi shumë të fortë për muzikën dhe mendime shumë të qarta në atë që dua” .”- theksoi artistja Aurela Gaçe.

Në shumë intervista Aurela është shprehur se; “Në kohën e pandemisë, muzika u bë shpëtimtarja ime”, pra ndërsa pandemia frikësoi shumë njerëz, për disa artistë ishte periudhë krijimtarie, ashtu siç ishte edhe për këngëtaren Aurela Gaçe e cila pas gjithë kësaj pune mbi dy vjeçare solli një album që do të mbetet gjatë në memorien e të gjithëve, një projekt me dy albume muzikore.

Shumë detajiste në gjithçka ajo ka sjellë për publikun si temat sociale të këngëve tejet të goditura, të cilat i janë përshtatur mjaft mire me melodinë, si edhe me videoklipet e tyre. Këto materiale me zhanre të ndryshme muzikore, ashtu siç thotë edhe titulli “Unike … me Taban”, janë gjithçka që artistja Aurela Gaçe ka sjellë në këtë album muzikor, për atë publik të cilin e do fort, e respekton dhe e vlerëson për dashurinë që i ka dhuruar gjithë këto vite, ka sjellë këngët “Unike”, “Si jetoj”, “99 Sfida”, “Babi im”, “Eja dashuri”, “Veten dua gjallë”, “O ma”, etj, të cilat janë në çdo dyqan online #Spotify.

Në mbishkrimin e kopertinës së albumit Aurela shkruan: “Dua të lë veten në të gjitha dimensionet… Koha ecën, moda ndryshon, por ndjesitë ngelen të sinqerta e përballë muzikës, s’mundem kurrë të jem ndryshe, përveçse e sinqertë me shpirtin tim. Muzika, shoqja ime më e ngushtë. Ura që më sjell tek ju Aurela Gaçe 2023.  Ky pasion e dashuri për muzikën dhe artin që bën, respekti për veten dhe publikun që e ndjek gjithmonë, e ka bërë të mbetet kaq e veçantë, e që bën diferencën sot, si një profesioniste, por mbi të gjitha një njeri plot vlera dhe energji pozitive. Kjo e bën Aurelën të shkëlqejë si një yll, me karakterin e saj mahnitës, dhe artin e saj, dje, sot dhe gjithmonë.

Përgatiti: Sava Lena