Tërmeti i 6 shkurtit në Turqinë juglindore është më i rëndi në këtë vend në 100 vitee fundit. Numri i viktimave nga tërmeti në Siri dhe Turqi sa vjen e rritet duke tejkaluar 42 mijë, ndërsa mbi 50 mijë ndërtesa, shumica dërrmuese pallate banimi në 10 qytete të mëdhenj, duhen prishur dhe rindërtuar nga e para. Tërmeti katastrofik në Turqi dhe Siri tregoi se jetojmë në komunitet me fate të përbashkëta. Shqipëria, qeveria dhe populli i saj kanë reaguar menjëherë pas kësaj katastrofe natyrore, në ndihmë të popullit turk.
Ekipi shqiptar i operacionit të kërkim-shpëtimit në Malatya (Foto Klan)
Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilave janë personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe mjete marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie. Shqipëria si pjesë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile po jep ndihmesën e saj për përballimin e vështirësive me të cilat përballet Turqia pas tërmetit tragjik.
Në lidhje telefonike nga Turqia, Kolonel Elton Reso, drejtori i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, komandant i efektivëve të këtyre forcave dhe personelit në ndihmë të popullit turk
CMG: Përshëndetje kolonel Reso! Si jeni? Si ndjeheni? Është një situatë e vështirë për ju dhe ekipin
Kolonel Elton Reso: Efektivat tanë ndjehen mirë nga ana fizike, nga ana shëndetësore po kështu dhe psikologjike
CMG: Në cilën zonë të prekur nga tërmeti ndodheni ju?
Kolonel Elton Reso: Ne që nga ardhja jonë me këtë mision ndodhemi në qytetin e Malatya-s.
Ekipi i shpëtim kërkimit nga Shqipëria (Foto Gazeta Dita)
CMG: Po, është një nga zonat më të prekura nga tërmeti
Kolonel Elton Reso: Është një nga zonat më të prekura nga tërmeti ku ka shumë dëmtime, shumë shkatërrime të strukturave të pallateve, strukturave të tjera. Është një zonë shumë e goditur.
CMG: Sa vetë jeni ju si pjesë e ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit në këtë zonë?
Kolonel Elton Reso: Ekipi ynë përbëhet prej rreth 80 vetash ndër të cilët 72 janë efektivë të Forcave të Armatosura, i cili përbëhet nga efektivë të kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura dhe personel mjekësor ushtarak me mjekë dhe me infermierë. Gjithashtu ekipit tonë i është bashkangjitur dhe një ekip prej 5 vetash i Ministrisë së Energjetikës i kërkim-shpëtimit të minierave si dhe 2 vetë nga Agjencia e Emergjencave Civile.
CMG: Është një ekip i formuar në të gjitha aspektet sa i përket operacioneve të kërkim-shpëtimit. Kolonel Reso si është ecuria e punës suaj deri tani?
Kolonel Reso: Ecuria e punës sonë deri tani është se kemi marrë pjesë në disa operacione kërkimi në disa ndërtesa të dëmtuara nëpërmjet ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit si dhe ekipit mjekësor. Janë nxjerrë nga ekipet shqiptare të kërkim-shpëtimit trupat e 26 viktimave nga rrënojat dhe është shpëtuar jeta e një fëmije rreth 4 vjeç. Kjo ndodhi që ditën e parë të mbërritjes së ekipit tonë në Malatya.
CMG: Kjo është për t’u shënuar. Meqenëse ka kaluar më shumë se një javë nga tërmeti katastrofik, si paraqitet këto ditë ecuria e punës suaj? A ka më shpresa për të gjetur të mbijetuar?
Z.Elton Reso
Kolonel Elton Reso: Nisur dhe nga ditët që po kalojnë si dhe kushtet atmosferike që e bëjnë punën më të vështirë pasi temperaturat janë nën zero shpresat gradualisht po bien për gjetjen e të mbijetuarve. Megjithatë puna po vazhdon edhe në ato spote që kanë mbetur ende të pa ndërhyra.
CMG: A ka ekipe të tjera pranë ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit me të cilat bashkëpunoni në këtë mision?
Kolonel Elton Reso: Ne në këtë mision kemi punuar të vetëm në bashkëpunim me ekipet turke të kërkim-shpëtimit dhe një ekip nga Malta. Këto kanë qenë dy ekipet në Malatia
CMG: Po përsa i përket mjekimit dhe trajtimit të personave të mbijetuar keni informacion lidhur me kontributin që po jep në këtë rast ekipi shqiptar ?
Kolonel Elton Reso: Po në qendrën e emergjencave turke është hapur kampingu shqiptar, çadrat e forcave të armatosura dhe njëra prej tyre është çadër shëndetësore me aparatura dhe pajisje mjekësore për ofrimin e ndihmës së parë dhe deri më sot janë kryer mbi 300 vizita mjekësore, për personat që është gjykuar se janë më rëndë janë dërguar në spitale, janë transportuar në spitalin e Malatias. Është e vetmja qendër shëndetësore aktualisht në këtë qendër pritjeje organizuar nga qendra e emergjencave civile turke
CMG: Kolonel Reso si ju duket ju momentalisht situata humanitare, përsa i përket mbështetjes së personave që tashmë kanë humbur jo vetëm pjesëtarët e familjeve, por dhe banesat e tyre. Ju si e shikoni këtë situatë?
Kolonel Elton Reso: Nga kjo situatë më këtë që shikojmë nga qeveria turke po merren të gjitha masat që popullata e ngelur jashtë banesave të strehohet nëpër çadra apo nëpër ambiente të tjera dhe t’u sigurohen të gjitha kushtet e nevojshme jetësore.
Grupi shqiptar i vullnetarëve në operacionet e kërkim shpëtimit (Foto Shqiptarja.com)
Ekipi shqiptar i kërkim-shpëtimit në Turqi (Foto RTSH)
CMG: Si ndjeheni psikologjikisht në këtë situatë të pazakontë?
Kolonel Elton Reso: Sigurisht deri tani efektivët e Forcave të Armatosura dhe i gjithë personeli që po merr pjesë në këtë operacion të kërkim-shpëtimit ndjehen mirë.
Shqipëria do t’i dhurojë Turqisë 1 milionë euro, si ndihmë për vendin pas tërmetit tragjik të 6 shkurtit që i mori jetën mijëra personave. Në një lidhje telefonike për mediat turke, ku u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës një fushatë masive për mbledhjen e fondeve për të shëruar plagët e të mbijetuarve nga tërmeti, kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, teksa theksoi se Shqipëria nuk do ta harrojë ndihmën e Turqisë pas tërmetit të 2019 që goditi vendin.
Intervistoi Eda Merepeza