Ferma “Fshatçe” në Libofshë të Fierit, sfidat dhe suksesi
2023-02-17 15:41:24


Stalla e lopëve 

Fermat janë vendet ku çdo njeri gjen ngrohtësi për të qëndruar së bashku me familjet. Në botë  ka ferma të mëdha, të matura sipas sipërfaqes së tokës, ku listën e kryeson Kina. Fermat kanë ekzistuar vite më parë por me kalimin e kohës dhe globalizimin masiv, ato u kthyen në vende luksi për të pasurit të cilët duan të largohen nga monotonia e përditshmërisë dhe zonat urbane drejt atyre rurale. Në ferma ushqimet janë bio dhe shumica prej tyre të përgatitura në çast, ndërsa arsyeja pse zgjedhin qytetaret të ikin në fermë është ajri i pastër si edhe qetësia që të ofron vetë ambienti.

Në Shqipëri trendi i fermave si biznes erdhi më vonë se vendet e tjera, të cilat e kishin atë më të përhapur.  Me zhvillimin e teknologjisë dhe bërjes së mundur të përhapjes së imazheve në rrjete sociale të fermave të ndryshme, ato filluan të lulëzojnë edhe në Shqipëri. Sot numërohen qindra ferma, të cilat ofrojnë komoditet e larmishmëri zgjedhjesh në zona të ndryshme. Kushdo që ka dëgjuar për fshatin e Libofshës, e di se sa asete të bukura natyrore ka si edhe njerëz që e frekuentojnë për këtë pjesë. Në Libofshë thuhet se  vendasit i falin Zotit jetën e tokës dhe të parajsës.

Pikërisht në këtë zonë , perlë të qarkut të Fierit ndodhet edhe ferma “Fshatçe”. Me një sipërfaqe prej 200 hektarësh dhe shtëpi e 900 lopëve dhe viçave të rracës Holstein, të cilat i ushqehen  në mënyrë të kontrolluar dhe natyrale.  Më pas prodhimi i tyre përpunohet dhe pasterizohet nga teknologji e standardeve të BE-së për të sjellë produktet më të shëndetshme dhe të freskëta në tryezat e familjeve shqiptare. Për Radio Ejani, Marsel Borakaj, drejtor shitjes pranë Fermës “Fshtaçe” ndan gjithë rrugëtimin e këtij biznesi të veçantë.

Përpunimi i qumështit në fermë 

CMG: Kur ka lindur kjo fermë dhe cili ka qenë qëllimi kryesor për nisjen e një biznesi kaq sfidues?

Marsel Borakaj: Ferma ka lindur në vitin 2010 kur ka filluar ndërtimi i kapanonit të parë, me krerë të cilët erdhën fillimisht nga Holanda, më pas vijuam edhe me dyfishimin e tyre. Aktualisht ferma ka në menaxhim edhe 200 ha tokë që shërben si prodhimtari për lëndën e parë për kafshët. Ky biznes qysh në nisje ka qenë absolutisht shumë sfidues dhe ka kërkuar kohë, durim dhe përpjekje. Koha kaloi, tashmë kanë kaluar disa vite për ta cilësuar këtë biznes të konsoliduar për qëllimet që ne kemi vendosur qysh në krye të herës. Ndërsa kemi një prodhimtari të konsiderushme ajo që na ka mbajtur në treg veç kësaj ka qenë edhe cilësia 100% e sigurtë dhe bio.

 Në vitin 2019, përfundoi edhe makineria moderne e mjeljes së lopëve, të cilat bëjnë të mundur që qumështi i cili shkon tek konsumatori të merret në mënyrë të pastër dhe cilësore. Në vitin 2022 u investua në fermë për masterizimin e qumështit edhe të nënprodukteve të tij.Ne jemi përpjekur që të ndjekim teknologjinë sipas standardeve të BE-së dhe kjo gjë na ka ndihmuar në punën tonë në nxitjen për përsosje.

CMG: A keni pasur ndikim nga ferma të tjera, imazhet e së cilave mund t’iu kenë ngacmuar për të sjellë edhe ju të ngjashme?

Marsel Borakaj:  Po patjetër. Ne e kemi matur tregun dhe kemi bërë kërkime të vazhdueshme për të nxjerrë më pas konkluzione dhe ajo që na rezultoi ishte se fermat janë biznese, të cilat sjellin prurje por edhe rritje të këtij biznesi nga viti në vit. Jemi referuar tek modelet ndërkombëtare që më pas kjo të ishte edhe qasje e jona.

Pamje nga ferma

CMG: A ka pasur sfida të evidentuara në kohë?

Marsel Borakaj: Çdo biznes pa përjashtim ka probleme në menaxhim, sidomos kur ky biznes është i ri, por ajo që vëmë re është se gjatë kalimit të kohës kemi ardhur duke u konsoliduar dhe duket sikur i kemi harruar të gjitha ato problematika të shfaqura kohë më parë. Nisi gjithçka nga zero dhe vetëm nëpërmjet punës dhe besimit për të bërë diçka të bukur e të mirë ne arritëm t’ia dilnim. Një nga sfidat e bizneseve në Shqipëri është menaxhimi i stafit.
Nëse i referohemi të dhënave aktuale më shumë se 60 për qind  e stafit të hoteleri- turizmit është larguar nga puna dhe ka shumë biznese të cilat kanë mbetur pa punonjës. Bizneset ankohen për mungesë stafi të lartë.
CMG: Si ka qenë për ju menaxhimi i stafit së punonjësve?

Marsel Borakaj: Stafi kompanisë sonë ndahet në katër sektorë dhe kjo ndoshta e  ka bërë më të lehtë punën pasi është shumë e nevojshme që të ndahen detyrat në një punë. Fillimisht është stafi i fermës, i cili merret me lopët, stafi i përpunimit të qumështit, stafi i financës dhe shitjes. Secili prej tyre është i ndarë nga njëri- tjetri ndërsa po aq sa të ndarë janë edhe bashkë për mbarëvajtjen kryesore të punës. Ne jemi staf i vogël me 40persona, por komunikimi dhe krijimi i një ambienti që qetë në punë na ka bërë që të jemi më pranë njëri-tjetrit dhe të besojmë tek puna që bëjmë. Është bukur të shkosh në fermë, shkëputja nga realiteti dhe zymtësia e qyteteve kuptohet sapo shkel në fermë dhe takohesh me tokën e bekuar, e cila na jep qetësi dhe rehati. Në çdo lindje dhe perëndim dielli, koha në fermë perceptohet edhe më bukur.

CMG: Ju keni një emër shumë “pikant”,  i cili duket sikur është zgjedhur enkas për ta pasur si diçka origjinale?

Marsel Borakaj: Absolutisht po, ne ndodhemi në fshat dhe nuk mund të humbisnim këtë detaj siç është emir, i cili në një formë apo në një tjetër godet.
“Fshatçe” ndodhet në fshat dhe është një nga pikëtakimet më të bukura që ju mund të lini me miq dhe familjarë së bashku.

Një nga sfidat me të cilat po haset shoqëria sot është ushqimi i mirë dhe i sigurt. Sa të sigurtë jemi ne për gjërat që konsumojmë. Pavarësisht se gjithçka është shtrenjtuar, Shqipëria vijon të renditet ndër vendet që kanë pasur rritjen më të ulët të çmimeve në Europë. INSTAT ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, i cili i bën ndryshimet e çmimeve të krahasuara me vendet e Bashkimit Europian. Vijon të mbetët sfidë konsumimi i ushqimeve të mira dhe të sigurta, sidomos kur bëhet fjalë për nënproduktet e qumështit.

Ferma Fshatce

CMG: Sa për qind e produkteve tuaja janë bio?

Marsel Borakaj: Në fermën tonë ne kujdesemi vetë për vaktet e lopëve në sajë të një procesi të qendrueshëm 100 për qind natyral. Dy herë në vit kryejmë plehërimin e tokave me pleh organic, i cili vjen nga stallat e lopëve në fermë. Ky pleh organik shërben për rritjen e të mbjellave të misrit, grurit dhe barit gjatë muajve të vitit, të cilat i korrim dhe i kthejmë në silazh organik për lopët e fermës sonë. Më pas nutricionistët tanë kujdesen për të shtuar përqindjen e nevojshme të koncentratit në mënyrë që lopa të marrë vlerat e domosdoshme ushqyese si proteina, fibra dhe vitamina gjatë vaktit të saj. Kujdesi ndaj kafshëve të fermës sonë është primar për ne. Duke bashkuar ekspertizën me pasionin për punën që bëjmë, sigurojmë të sjellim tek ju cilësinë më të lartë të bulmetit shqiptar.

CMG: Një arsye pse duhet të vijmë në fermën “Fshatçe”?

Marsel Borakaj: Sepse aty do të takoni natyrë, qiellin dhe diellin së  bashku. Do të kuptoni se sa i rëndësishëm është një ambient në një fshat të bukur, i cili nuk të ofron asnjë gjë tjetër veçse qetësise dhe rehatisë.

Intervistoi Megi Latifi