Rama: Shqipëria jep 1 milion euro ndihma për familjet e prekura nga tërmeti në Turqi
2023-02-17 10:25:50

Kryeministri Edi Rama ne lidhje telefonike me emisionin e ndergjegjesimit ne Turqi (Foto Facebook Edi Rama)

Në emër të qytetarëve shqiptarë, Shqipëria do të dhurojë 1 milion euro në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti në Turqi, deklaroi kryeministri Edi Rama, gjatë një lidhjeje telefonike me emisionin e madh sensibilizues, në fushatën televizive “Turqia, një zemër”, në rrjetin e unifikuar të të gjitha televizioneve turke.

Kryeministri Rama deklaroi se ndihet i nderuar që mund të shfaqë zërin e ndjeshmërisë së Shqipërisë.

“Shqipëria të hënën shpalli ditë zie kombëtare, me flamurin në gjysmë shtizë, brenda vendit dhe në përfaqësitë diplomatike kudo në botë, për të shprehur dhembjen për viktimat dhe solidaritet me këtë tragjedi. Ne arritëm të dërgonim sa më shpejt që mundëm forcat e Ushtrisë dhe ekipet e kërkim-shpëtimit”,- deklaroi kryeministri Rama, në videon e postuar në rrjete sociale.

Ai theksoi se Shqipëria nuk do ta harrojë kurrë atë që Turqia dhe presidenti turk Erdogan bënë për vendin pas tërmetit të nëntorit 2019.

“Kemi dëshirë të japim mbështetjen tonë për popullin turk. Shpresojmë se familjet e prekura do ta kalojnë këtë vështirësi falë bujarisë dhe solidaritetit fantastik të njerëzve në Turqi, por edhe të miqve tuaj në të gjithë botën. Në emër të qytetarëve shqiptarë, Shqipëria do të dhurojë 1 milion euro. E dimë që nevojiten shumë më shumë, por ne jemi pranë jush dhe bëjmë aq sa mundemi”,- tha Rama.

Një ndër prezantuesit turq në këtë emision të madh ndërgjegjësimi deklaroi se Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por ka një zemër shumë të madhe, duke falënderuar për miqësinë, respektin dhe mbështetjen e Shqipërisë. (Irma)