
Foto: VCG
Nxehtësia e oqeane po arrin rekorde të reja, pasi viti 2022 ishte më i ngrohti në historinë e regjistruar njerëzore, sipas një studimi të fundit të kryer nga një ekip prej 24 shkencëtarësh nga 16 institute kryesisht në Kinë, Shtetet e Bashkuara dhe Itali, i botuar në revistën ndërkombëtare “Advances in Atmospheric Sciences”.
Krahasuar me vitin 2021, viti i mëparshëm më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, 2000 metrat e sipërm të oqeaneve të Tokës kanë thithur një sasi më të madhe nxehtësie që është e mjaftueshme për të zier 700 milionë kazanë me secilin që mban 1.5 litra ujë, tha Cheng Lijing, autor i studimit dhe studiues në Institutin e Fizikës Atmosferike pranë Akademisë Kineze të Shkencave, citon “Xinhua”.
Ngrohja e oqeaneve është një tregues kyç për matjen sasiore të ndryshimeve klimaterike pasi më shumë se 90 për qind e nxehtësisë globale përfundon në oqeane. Shkencëtari beson se rritja e nxehtësisë brenda oqeaneve është një provë e mëtejshme e ngrohjes globale.
Rekordet për ngrohjen e oqeanit janë thyer pothuajse çdo vit që nga viti 2017. Për shkak të reagimit të vonuar të oqeanit ndaj ngrohjes globale, tendenca e temperaturave të oqeanit do të vazhdojë për dekada, vuri në dukje Cheng.
Përveç temperaturave, studimi llogariti edhe kripësinë e ujit të oqeanit dhe zbuloi se zonat me kripësi të lartë kishin një rritje të kripësisë, ndërsa e kundërta ishte e vërtetë për zonat me kripësi më të ulët.
Oqeanet më të ngrohtë çojnë në ngritjen e nivelit të detit dhe mot më ekstrem, në formën e stuhive të forta dhe uraganeve. Ato gjithashtu bëhen më pak efikase në thithjen e karbonit, duke bërë që më shumë dyoksid karboni i emetuar nga njeriu të mbetet në atmosferë, duke përkeqësuar ngrohjen globale.
Ndërgjegjësimi dhe kuptimi më i mirë i ndryshimeve në nxehtësinë e oqeanit dhe kripësinë janë një bazë për veprimet për të luftuar ndryshimet klimaterike, shtoi Cheng, duke shpjeguar rëndësinë e studimit.
Shkencëtarët gjithashtu ndanë në studim të dhënat e oqeanit të regjistruara vitin e kaluar nga instituti kinez dhe Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA. (Irma)
