Fondi Botëror për Natyrën bën thirrje për një traktat global për mbrojtjen e deteve të hapura
2023-02-17 09:46:17

Traktati i parë mbi biodiversitetin në det të hapur pritet të sigurojë një mekanizëm të njohur globalisht për të përcaktuar zonat e mbrojtura detare dhe të ndihmojë në mbrojtjen e të paktën 30 për qind të oqeaneve të botës. Sipas Fondit Botëror për Natyrën, oqeani përballet me kërcënime të reja që mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme për ekosistemet e brishta të detit të thellë.

foto/VCG

foto/VCG

Fondi Botëror për Natyrën të martën u bëri thirrje qeverive të mbrojnë oqeanet e botës duke finalizuar një traktat të shumëpritur në Kombet e Bashkuara (OKB) në Nju Jork këtë mars.

Traktati i parë për biodiversitetin në det të hapur do të siguronte një mekanizëm të njohur globalisht për përcaktimin e zonave të mbrojtura detare dhe është thelbësor për të arritur qëllimin e mbrojtjes së të paktën 30 për qind të oqeaneve të botës, tha për “Xinhua” Jessica Battle, ekspertja mbi qeverisjen globale të oqeaneve në Fondin Botëror për Natyrën.

Një nga ndikimet kryesore të aktiviteteve njerëzore në oqean është peshkimi, theksoi Battle.

Në Kongresin e Pestë Ndërkombëtar të Zonave të Mbrojtura Detare (IMPAC5) që u zhvillua në Vankuver, Kanada, nga 3-9 shkurt, Fondi Botëror për Natyrën u bëri thirrje politikëbërësve të përshpejtojnë mbrojtjen globale të oqeanit nga 8 për qind në 30 për qind brenda tetë viteve.

Më parë, në COP15 në Montreal në dhjetor, qëllimi për të mbrojtur dhe ruajtur të paktën 30 për qind të zonave detare dhe bregdetare të botës u miratua nga 196 vende nën Kornizën Globale të Biodiversitetit (GBF).

"Kina luajti një rol shumë të fortë në COP15, duke u siguruar që ne të arrijmë një marrëveshje nga 196 palët për të ndaluar dhe rikthyer humbjen e natyrës deri në vitin 2030",- tha Battle.

Në një rezolutë në dhjetor 2017, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi të thërrasë një konferencë ndërqeveritare për të hartuar tekstin e një instrumenti ndërkombëtar ligjërisht të detyrueshëm për ruajtjen dhe përdorimin e biodiversitetit detar.

foto/VCG

foto/VCG

Megjithatë, negociatat e OKB-së për një traktat të detit të hapur ngecën gushtin e kaluar pasi delegatët thanë se duhej më shumë kohë për të arritur një marrëveshje mbi një tekst përfundimtar.

Qeveritë duhet të sigurojnë që oqeani të marrë nivelin e vëmendjes dhe mbrojtjes që i nevojitet për të siguruar të ardhmen, tha Battle.

Ujërat që shtrihen përtej juridiksioneve kombëtare, të njohura si detet e hapura, përbëjnë gati dy të tretat e sipërfaqes së oqeanit. Megjithatë, vetëm rreth 1 për qind e kësaj pjese të madhe të planetit është e mbrojtur.

Battle tha se traktati do të ratifikohej kur 30 vende të nënshkruajnë në të dhe më pas të zbatohet në legjislacionin kombëtar. Sipas saj, është kritike që traktati të hyjë në fuqi shpejt.

Fondi Botëror për Natyrën tha gjithashtu se oqeani përballet me kërcënime të reja të mundshme, si minierat e thella në shtratin të detit, një industri e sapolindur me potencialin për të shkaktuar dëme të pariparueshme për ekosistemet e brishta të detit të thellë.

foto/VCG

foto/VCG

"Ne po shohim një numër në rritje vendesh që bëjnë thirrje për një moratorium global... Kjo do të bihet dakord në Autoritetin Ndërkombëtar të Shtratit të Detit, i cili mblidhet tre herë në vit në Xhamajka",- tha Battle.

"Ne duhet të mbrojmë këtë mjedis shumë të rëndësishëm për të arritur qëllimet e biodiversitetit, dhe gjithashtu për të mbrojtur oqeanin".

Shumë zona oqeanike luajnë një rol kyç për speciet e rëndësishme të peshkaqenëve, tonit, balenës dhe breshkave të detit, dhe ato gjithashtu mbështesin miliarda dollarë aktivitet ekonomik në vit, ka thënë Fondi Botëror për Natyrën.

Në raportin e saj "Ringjallja e ekonomisë së oqeanit", organizata theksoi se mallrat dhe shërbimet që rrjedhin nga oqeani dhe brigjet vlejnë të paktën 2.5 trilionë dollarë amerikanë çdo vit dhe vlera e përgjithshme e oqeanit si aset është 10 herë më shumë.