Ermal Meta ne Sanremo 2021- foto Ultime Notizie Flash
Sanremo, festivali më i rëndësishëm në Itali, me një famë ndërkombëtare dhe i dashur shumë për shqiptarët, ka një lidhje të gjatë historie me ne, aq sa është edhe jeta e këtij festivali. Në festivalin më të rëndësishëm të muzikës italiane, që shënon dekada vite ekzistencë, janë ngjitur dhe kanë performuar emra të ndryshëm artistësh, mes tyre edhe shqiptarë. Sigurisht, ata kanë lënë gjurmën e tyre të protagonizmit, duke bërë jehonë në mediat italiane dhe botërore. Disa syresh prej tyre, kanë vijuar karrierat respektive në shtetin fqinj, por duke e kthyer kokën pas dhe duke mos e harruar origjinën shqiptare. Nga Ana Oxa tek Ermal Meta, e së fundmi edhe Alketa Vejsiu, është një listë e gjatë e artistëve që janë ngjitur në skenën magjike, duke i sjellë shkëqimin shqiptar asaj skene, por edhe duke marrë famë e madhështi nga shkëlqimi i saj.
Vetëm para pak ditësh përfundoi edicioni i 75 -të i tij ku krahas artistëve pjesmarrës, u shfaqën edhe dy emra të dy artistëve shqiptarë: Ana Oxa dhe Iljard Shaba. Emri i Ana Oxës është shumë i njohur për publikun italian, ajo përfaqëson një nga zërat më të mirë të muzikës së lehtë italiane. Nuk gabojmë po të themi se është ura e parë lidhëse e një shqiptari me skenën e këtij festivali. Ajo është një nga artistet që ka marrë pjesë më shumë se çdo këngëtar tjetër shqiptar në skenën e madhe të "Sanremo"-s! Plot 14 herë, Anna Oxa ka pushtuar me interpretimin dhe vokalin e saj këtë kompeticion të rëndësishëm muzikor. Për herë të parë ajo u ngjit në skenë në vitin 1978, ndërsa çmimin e parë e ka fituar në vitin 1989 me "Ti lascero"! Në edicionin e sivjetshëm Ana Oxa, u prezantua me një duet, të cilin ajo e realizoi me një tjetër shqiptar, me violinçelistin Iljard Shaba, shumë i njohur në botën e muzikës në Shqipëri, por më pak nga publiku jashtë kufijve. Duke falur emocione si dy shqiptarë në skenën e Festivalit të Sanremo.
Ana Oxa dhe Iljard Shaba ne skenen e Saremos 2023
Këngëtari tjetër që jo vetëm ka debutuar në Sanremo, por edhe është shpallur fitues absolut i tij, është Ermal Meta. Një artist që la Atdheun fëmijë i vogël dhe u brumos si artist në vendin fqinj. Ai tashmë është një artist i konsoliduar, por e nisi si kantautor duke fituar çmimin e tretë dhe do të vlerësohej me çmimin e kritikës “Mia Martini” me këngën e tij ”Vietato morire”. Ndërkohë, një vit më pas, me Fabrizio Moron dhe këngën "Non mi avete fatto niente", Ermal Meta fitoi çmimin e parë në "Sanremo"-n e vitit 2018-të duke përfaqësuar Italinë në "Eurosong"! Në këtë të fundit, ai u rendit në vendin e pestë! Ndërkohë, një tjetër artiste që ka "pushtuar" skenat italiane me vokalin e saj është Elsa Lila. Në vitin 2003, ajo debutoi në "Sanremo" me hitin "Valeria" dhe u rendit në vendin e tetë në kategorinë e Aristëve të Rinj. Shija e suksesit duket se e motivoi dhe e shtyu drejt një tjetër protagonizmi katër vite më pas. Elsa mori pjesë sërish në "Sanremo" me këngën "Il senso della vita" dhe fitoi sërish vendin e tetë në kategorinë e Artistëve të Rinj. Ndërkohë një tjetër shqiptar që ka prekur madhështinë e kësaj skene është Olen Çezari, i cili përpara 20 viteve shoqëroi artistin e madh italian Lucio Dalla-n, me këngën "4 Marzo 1943".
Dua Lipa ne skenen e Sanremos
Në radhën e artistëve shqiptarë që kanë shkelur në skenën madhështore të Sanremos është edhe violinistja Enxhi Nini, e cila është larguar herët nga vendi ynë. Dikur, debutuese si këngëtare në Festivalin e këngës në RTSH, Enxhi Nini u shfaq si violiniste në skenën e Sanremos si pjesë e Orkestrës së Sanremo-s në vitin 2014-të.
Pjesmarrja e shqiptarëve në festivalin italian të këngës tashmë është një realitet. Ky dimension nuk lidhet vetëm me interpretimin muzikor në skenë, por edhe prezantimin. Alketa Vejsiu, prezantuesja e famshme shqiptare, arriti të ngjitej në skenën e këtij festivali, si e ftuar speciale në vitin 2020. Ajo spikati në mesin e 10 grave të famshme në krahë të prezantuesit italian Amadeus.
Dhe së fundmi, është një tjetër yll që ka shkëlqyre në skënën madhështore të Sanremos. Është Dua Lipa, e cila me famën e një ylli ndërkombëtar e ka ndezur si askush tjetër, si e ftuar speciale sallën e spektaklit, duke përformuar dhe marrë vëmendje si askush tjetër më parë.
Si instrumentistë, konkurrentë apo të ftuar, shqiptarët shihet se nuk i kanë munguar asnjeherë skenës së muzikës italiane dhe as që do i mungojnë sepse artistët shqiptarë kanë shumë për të dhënë dhe vlerësimi për ta nuk mungon në një vend artdashës si Italia.
Neritana Kraja