Investimet e huaja në Shqipëri, pritshmëritë për vitin 2023
2023-02-17 16:24:59

Investimet e huaja (Foto monitor.al)

Investimet e huaja (Foto monitor.al)

Investimet e huaja direkte në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 634 milionë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Vlera e investimeve të huaja direkte deri tani paraqitet në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli komenton investimet e huaja direkte në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës

Fatos Çoçoli  (Foto CMG)

Fatos Çoçoli  (Foto CMG)

CMG: Viti 2022 ka shënuar një rritje të investimeve të huaja në Shqipëri. Opinioni juaj

Fatos Çoçoli: Ka qenë një vit i mbarë me shumë investime dhe nivel të lartë, investime në fushën e naftës, energjisë së gjelbër dhe shoh që mund të kemi një vit 2023 rekord përsa i përket investimeve të huaja direkte.

CMG: Cilat janë sipas jush karakteristikat e investimeve të huaja dhe çfarë pritet gjatë këtij viti?

Fatos Çoçoli : Gjykoj se kemi një avantazh të madh në turizëm, duke ofruar mundësi të shumta gërshetuar me mikpritjen shqiptare dhe çmimet jo shumë të larta. Kjo ka sjellë që ne të kemi një prurje të shumë turistëve europianë perëndimorë. Operatorët thonë që nuk ka ndodhur ndonjëherë të kemi rritje me 96% të pronotimeve për vitin 2023. Gazeta “The Sun” e ka cilësuar Shqipërinë si destinacionin numër një të britanikëve, që duan të shpenzojnë më pak. Gjykoj se dhe investimet e huaja do të jenë të shumta në turizëm. Do të kemi impuls të ri dhe për shkak të përfundimit të  tunelit të Llogarasë dhe mundësitë për të shkuar në jug do të jenë më të mëdha dhe një kohë të shkurtër.

CMG: Cilat janë projektet më të mëdha të bëra në vendin tonë?

Fatos Çoçoli : Kemi shumë projekte dhe interesimin nga të huajt për të ardhur në Shqipëri. Sërish niveli i investimeve të huaja do të ketë rritje sikundër ka nisur edhe me Durrësin turistik. Nëse do të ndalemi tek aspektet e tjera si energjia fosile, krahas dhe nxjerrjes së naftës në Shpirag, gjykojmë që ky aktivitet do të rritet dhe do të kemi atë që ne presim, njoftimin nga kompania që ka arritur të zbulojë në sasi për prodhim të gjerë naftën e Shpiragut. Gjykoj se të gjitha këto janë shenja që ekonomia jonë po ecën drejt  thithjes së kapitalit të huaj, që do të sjellë edhe rritje të vendeve të reja të punës.

Investimet në rritje (Foto monitor.al)

Investimet në rritje (Foto monitor.al)

CMG: Si do të ndikojnë këto investime për të kapërcyer krizën?

Fatos Çoçoli : Kriza botërore ka frenuar disa projekte, të cilat përpara se të ndodhte kriza dhe para shpërthimit të konfliktit në Ukrainë u shtynë në kohë dhe gjatë vitit të kaluar shikohet që këto kompani që i frenuan investimet janë rikthyer për t’i çuar në fund. Edhe KESH po investon nga ato të ardhura, ndaj  nëse kompania e huaj kërkon binjakëzimin e ernegjisë nga uji dhe era tashmë mund ta realizojë KESH atë të ujit me të diellit. Ne kemi gjithashtu investues të njohur dhe të shumtë nga Italia prej vitesh, Austria, Greqia, Turqia dhe po ashtu edhe nga Kina. Këto rrisin më shumë të ardhurat, por patjetër edhe vendet e punës rriten.

CMG: Çfarë pritet gjatë vitit 2023?  Ku do të jetë fokusi për të investuar më shumë?

Fatos Çoçoli: Ne kemi nevojë të investohet aty ku kemi avantazhe krahasuese si në turizëm, si për shembull  duam të kemi dhe në panele diellore, duke qenë një vend me shumë diell. Po ashtu duhen edhe disa investime në shërbime, në startup-e, këto forma të reja të të bërit biznes duhen përqafuar nga ne. Tirana është tashmë pikë strategjike, por pse të mos përfshihen edhe qytetet e tjera, ku të mund të punojnë të rinjtë dhe t’i mbajmë ata në vend.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë 2022, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte në Shqipëri ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e hidrokarbureve, në masën 18%, energjetikës, në masën 13%, ndërmjetësimit financiar, në masën 5%, si edhe komunikacionit, në masën 2%.

Rritja e investimeve të huaja direkte është mbështetur njëkohësisht nga shtimi i flukseve të reja dhe nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. Megjithatë, fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë një peshë dominuese në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për gjysmën e parë të vitit 2022, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 337 milionë euro, pothuajse 42% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.