AIDA: 2.6 milionë euro për transformimin digjital të ndërmarrjeve
2023-02-17 14:39:48

Foto: ATSH

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) bëri të ditur se është hapur thirrja “SURE5.0”, një program akselerues për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Ky program i financuar nga Bashkimi Europian do të shpërndajë fondin prej 2.6 milionë eurosh, për të ndihmuar procesin e transformimit digjital të bazuar në parimet e “Industry 5.0”, përcjell “ATSH”.

Nga kjo thirrje mund të përfitojnë edhe ndërmarrjet shqiptare.

Aplikimet në këtë thirrje do të pranohen nga ndërmarrje, që duke zbatuar parimet e “Industry 5.0”, dëshirojnë të arrijnë një model biznesi më të qëndrueshëm dhe elastik, si dhe që operojnë në industritë: transport dhe automobilistikë; hapësirë ajrore dhe mbrojtje; elektronikë.

Fondi do të shpërndahet në dy faza të ndryshme të cilat do të zhvillohen njëra pas tjetrës.
Në fazën e parë, 50 NVM do të vlerësohen për nevojën e tyre për të digjitalizuar biznesin, si dhe do t’u jepen shërbime këshillimi dhe mentorimi në vlerën 10 mijë euro.

Në fazën e dytë, 27 NVM do të përfitojnë grant në vlerën 50 mijë euro me qëllim zbatimin e planit të tyre për transformimin digjital të ndërmarrjes.

AIDA informoi se përpara se të aplikojnë, ndërmarrjet e interesuara mund të përdorin një mjet vetëvlerësimi të vendosur në dispozicion nga institucioni implementues, për të përcaktuar nevojën për transformim digjital, si dhe për të vlerësuar potencialin e tyre në të ardhmen lidhur me “Industry 5.0”. (Irma)