Tërmeti/ Presidenti Erdogan ka premtuar banesa të reja brenda një viti
2023-02-17 10:34:13

Foto: VCG

Tërmetet që përfshinë Turqinë dhe Sirinë kanë rritur ndjeshëm numrin e viktimave. Mbi 41 mijë të vdekur janë regjistruar në të dy vendet. Tashmë sfidë mbetet strehimi dhe ushqimi për të mbijetuarit që janë me qindra mijëra.

Presidenti turk Recep Tayyp Erdogan premtoi banesa të reja për të gjithë të prekurit nga tërmeti.

“Synimi ynë është që brenda 1 viti të fillojmë dorëzimin e banesave të reja në vend të atyre të shkatërruara, ku do të mund të banohet në siguri dhe qetësi”, deklaroi presidenti Erdogan, përcjell “RTSH”.

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, deklaroi se vendasit që u larguan nga shtëpitë do të kthehet në qytetet e tyre pasi të përgatiten lokacionet me tenda dhe kontejnerë për ata që mbetën pa shtëpi.

“Ndoshta viti i tyre i parë nuk do të jetë i njëjti si më parë, por ne do të përpiqemi të sigurohemi që nevojat e tyre të plotësohen”,- tha ministri.

Ai theksoi se deri më tani ndihma fillestare financiare prej 10 mijë lirash (530 dollarë) u është dhënë afër 336 mijë familjeve. Ai hodhi poshtë pretendimet se ka një shpërthim të sëmundjes akute intestinale në zonat e goditura nga tërmeti, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë është vigjilente ndaj çdo epidemie. Soylu tha se rreth 200 mijë tenda janë dërguar në zonën e tërmetit si strehimore të përkohshme dhe se shumë prej tyre tashmë janë ngritur. Ai po ashtu njoftoi se rreth 100 mijë tenda të tjera do të dërgohen së shpejti.

Ministri turk bëri të ditur se kuzhinat me ushqim falas në zonën e tërmetit duhet të jenë të qëndrueshme për të paktën një vit. (Irma)