Eduart Sokoli: në Tropojë më fle shpirti
2023-02-16 09:59:42

Muzika është ushqimi për shpirtin që na ndryshon gjendjen tonë të përditshme. Janë të shumtë këngëtarët në Shqipëri, të cilët nëpërmjet publikimit të këngëve por edhe muzikës live të tyre ofrojnë argëtim për njerëzit. Eduard Sokoli është këngëtar i njohur për këngët “Jam shqiptari kuq e zi”, “Albulena” “Sofra tropojane” dhe “Plas moj zemer”.

Eduardi thotë se aktualisht po bën një menaxhim të kohës së tij dhe se jeta e natës ka kaluar në plan të dytë, duke qenë më tepër i fokusuar për familjen dhe fëmijët e tij. Për të momentet më të vështira kanë qenë kur i është dashur të punojë jashtë vendit për muaj me rradhë pa takuar njerëzit e familjes. Ndaj Eduardi ka vendosur të punojë vetëm në Shqipëri dhe jashtë vendit të shkojë për koncerte të shkurtra. Ai e do shumë Tiranën dhe e quan “qyteti i ëndrrave të tij”. Eduard Sokoli tregon  në Radio Ejani arritjet e tij më të rëndësishme dhe si i ka ngjitur shkallët e karrierës, duke besuar në aftësitë e tij artistike.
CMG: Jeta është një rrugëtim i bukur, i cili nis në fëmijëri dhe më pas çdo gjë me kalimin e kohës merr drejtimin e duhur. Si ka nisur rrugëtimi juaj?
Eduard Sokoli: Më duhet ta pranoj që brezi ynë ka qenë një brez komplet  ndryshe nga çfarë shohim tani. Ngjyrat e jetës sonë kanë qenë ndryshe. Unë kam qenë një fëmijë i vogël në familje dhe e ndieja që isha tepër i privilegjuar në jetën time. Fillesat kanë qenë shumë sfiduese, babai im ka qenë muzikat vetë i binte çiftelisë tepër bukur dhe na shoqëronte në çdo festë familjare me muzikën e tij. Ndërsa unë ende pesë vjeç, mezi prisja të kishim ndonjë festë që ta shoqëroja me muzikë. Aty filluan të gjitha gjërat, më pas me vështirësitë që kishim, ishte bukur se çdo gjë ishte e pastër, edhe mësimet që merrnim ishin të sinqerta. Unë fëmijërinë e kam kaluar në Tropojën e bukur.

CMG: Si e kujton Tropojën?

Eduard Sokoli: Arsyeja e shkëputjes nga Tropoja ishte vetëm shkolla, që më bëri të lëviz për të vijuar studimet në Tiranë në Liceun Artistik, por Tropoja ka qenë përherë një nga vendet që dua më shumë dhe më jep qetësinë që kam kërkuar përherë. Ka shumë kujtime për mua ai vend, pasi më rriti.
Nuk di si ta them, më duket sikur në atë vend merr kuptim gjithçka, mërr kuptim ajri dhe marrin kuptim stinët. Unë nuk shkoj shpesh, por aq herë sa shkoj arrij që të kuptoj bukurinë dhe madhështinë e vendit që ka mbetur i pandryshuar edhe sot.

CMG: Kush e ka spikatur talentin tek ju?

Eduard Sokoli: Kanë qenë shumë njerëz, të cilët nuk më thonin me zë të lartë që vleja, por  në heshtjen e tyre madhështore më jepinin angazhime në muzikë, më besonin nëpër aktivitete dhe jo vetëm. Ky besim që ata kishin tek unë tregoi shumë edhe në vijim, pasi muzika ma bëri jetën më të bukur. Ata u përpoqën të më orientonin, duke më lënë të lirë në zgjedhje.

CMG: A është e vështirë të jesh pjesë e tregut të muzikës popullore?

Eduard Sokoli: Talenti ecën ngadalë, por mbërrin. Ti mundesh ta gjesh veten në treg, nëse ke talent. Nuk është e lehtë, por gjithashtu nuk është e pamundur. Nuk ka gjëra të pamundura, ka mungesë besimi dhe gjërat më pas nuk arrihen. Unë jam futur në këtë treg vetëm, ndonëse kisha mbështetje. Ndihesha vetëm dhe e vetmja gjë që më mbajti mua gjatë ishte  talenti im. Ne kemi një problem në Shqipëri nuk merremi me menaxherë, të cilët të na menaxhojnë siç duhet, ndaj dhe kemi mangësi tek promovimi ynë.

CMG: Cili ka qenë momenti juaj më i vështirë profesional?

Eduard Sokoli: Momenti që unë do ta cilësoja si të vështirë dhe që pas atij momenti ndryshuan shumë gjëra, ka qenë kur unë jam kthyer nga një koncert larg  vendit tim. Familja ime qëndroi për dy muaj larg meje dhe unë dhe djali im kishim shumë kohë pa u takuar. U riktheva në Shqipëri dhe në momentin që e kam përqafuar djalin kuptova mungesën aq të madhe të tij dhe kjo më pas më bëri që të betohem për të mos qëndruar kurrë larg tyre, pavarësisht profesionit tim.

CMG: Pse mendon që publiku e do muzikën tënde?

Eduard Sokoli: Sepse unë bëj muzikë të thjeshtë dhe të sinqertë. Jam i vërtetë në skenë dhe kjo më ka bërë të sukseshëm.

CMG: Cilat janë projektet e ardhshme?

Eduard Sokoli: Unë po punoj për projekte të ndryshme, të cilat shumë shpejt do të vijnë për publikun. Jam i fokusuar tek muzika live, duke ofruar për muzikëdashësisht mbrëmje në shoqërinë e tingujve të muzikës 100% shqiptare.

Intervistoi: Megi Latifi