Krifca: Bujqësia shqiptare, përfaqësim dinjitoz në “Fruit Logistica” në Berlin
2023-02-16 17:18:32

Foto: ATSH

Bujqësia shqiptare është përfaqësuar denjësisht në panairin “Fruit Logistica” në Berlin, Gjermani. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ndau në rrjete sociale pamje nga ky aktivitet ndërkombëtar i rëndësishëm për bujqësinë dhe vuri në dukje se dhjetë përfaqësues të kompanive bujqësore eksportuese, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përgjatë tri ditëve të panairit më të rëndësishëm prezantuan ekselencën shqiptare në prodhimin bujqësor në stendën shqiptare, duke hapur rrugë të reja me bizneset evropiane dhe globale për kontrata dhe tregje të reja për eksport.

Ky event është një nga ngjarjet kryesore në botë për tregtinë globale të produkteve të freskëta bujqësore dhe Shqipëria përfaqësohet për të disatën herë radhazi, me një numër gjithnjë në rritje të subjekteve por edhe gamë të shtuar produktesh që konkurrojnë denjësisht tregjet e huaja.

Panairi “Fruit Logistica” mbledh çdo vit mesatarisht 3200 ekspozues dhe 78.000 vizitorë. Ai u mbajt në datat 5-8 shkurt në Berlin, ku u mblodhën kompani nga e gjithë bota që veprojnë në sektorin e agrobiznesit si dhe eksportit dhe importit të produkteve të freskëta.

Ky panair ishte një platformë ideale, që krijoi mundësi vendtakimi global dhe lehtësoi krijimin e kontakteve të reja, zgjerimin e partneriteteve si dhe identifikimin e blerësve potencialë. (Elona)