Raporti Tremujor i Politikës Monetare në Shqipëri
2023-02-16 11:19:30

Kredi (Foto IDFC FIRST BANK)

Kredi (Foto IDFC FIRST BANK)

Drejtori  i Departamentit të Politikave Monetare pranë Bankës së Shqipërisë  Erald Themeli ka folur gjerësisht për Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Sipas raportit, ekonomia dhe tregjet financiare shqiptare vijojnë të jetë nën ndikimin goditjes së huaj, të shfaqur në formën e inflacionit të lartë në vend dhe në botë, të pasigurisë së shtuar të agjentëve ekonomikë dhe të shtrëngimit të kushteve financiare. Rritja ekonomike e vendit ishte relativisht solide në gjysmën e dytë të vitit 2022,  ndërkohë që inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor. Projeksionet e këtij Raporti sugjerojnë vijimin e këtyre trendeve edhe në të ardhmen.

“Konkluzonet kryesore i grupojmë në 3 kategrori: së pari, është e qartë nga analizat e gjithë informacionit  të disponuar se ekonomia shqiptare vijon të jetë subjekt i goditjës së huaj. Rritja ekonomike në vend ka qënë relativisht e fortë dhe e qëndrueshme. Inflacioni shënoi një pikë kthese të qartë dhe të dukshme në tremujorin e katërt. Kursi i këmbimit ka shënuar tendenca përmirësimi.”- shprehet Themeli.

Financat(Foto Shqiptarja.com)

Financat(Foto Shqiptarja.com)

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik u mbështet nga konsumi dhe investimet private, ndërkohë që sektori publik dhe kërkesa e huaj neto patën efekt frenues. Ky profil i kërkesës agregate nxiti rritjen e aktivitetit në sektorët e ndërtimeve dhe të shërbimeve, ndërkohë që aktiviteti industrial u tkurr dhe prodhimi bujqësor ishte pothuajse i pandryshuar

“Po ashtu në të njëjtën kohë ambjenti i jashtëm vijon të jetë sfidues. Sektori privat shqiptar ka patur një  aktivitet  relativisht dinamik dhe të qëndrueshëm dhe këtë e shohim në ritmin e rritjes së konsumit te familjet, i cili sipas të dhënave të INSTAT luhatet në nivelin 8% dhe vazhdon të ushqehet nga rritja e punësimit dhe e pagave, pra e të ardhurave të disponueshme të familjeve Shqiptare.”- thotë Themeli.

Kushtet financiare janë ende mbështetëse për ekonominë dhe kredia për sektorin privat vijon të rritet. Kjo kredi ka financuar konsumin dhe investimet e familjeve e bizneseve, si dhe ka mbuluar nevojat e tyre për mjete financiare likuide. Qëndrueshmëria financiare e sektorit bankar dhe përqasja pozitive e tij ndaj kreditimit krijojnë premisa për mbështetjen e vazhduar me fonde të ekonomisë.

“Po ashtu edhe rritja e detyruar e kushteve të kostove të financimit dhe rritja e faturës së importeve për ekonominë shqiptare natyrisht që kanë ndikimin e tyre frenues në aktivitetin ekonomik në vend, por theksoj që e përgjithshmja mbetet pozitive për faktin që ritmi i rritjes ekonomike ka mbetur në territor pozitiv dhe kjo është diçka inkurajuese” , theksoi ai

Drejtori i Departamentit të Politikave Monetare të Bankës së  Shqipërisë, Erald Themeli  thotë se “Aktiviteti ekonomik në vend pritet të zgjerohet gjatë viteve në vazhdim. Megjithatë, ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim gjatë vitit 2023 dhe t’i kthehet gradualisht normalitetit gjatë vitit të ardhshëm”. Në afatin e shkurtër, Raporti tremujor i politikës monetare 2023 i  Bankës së Shqipërisë  thekson se ngadalësimi pritet të reflektojë një rritje më të dobët të kërkesës së huaj për mallra e shërbime, pasiguritë ende të larta të agjentëve ekonomikë, si dhe ndikimin negativ që inflacioni i lartë ka në fuqinë blerëse të familjeve.

 Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mos ndryshojë qëndrimin e politikës monetare në mbledhjen e datës 1 shkurt 2023. Në gjykimin e Këshillit, kushtet monetare mbeten të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv, me kosto sa më të pakta mbi aktivitetin ekonomik. Duke komentuar këtë vendim Themeli tha:

Erald Themeli (Foto Banka e Shqipërisë )

Erald Themeli (Foto Banka e Shqipërisë )

“Mendoj që ky është vendim i argumentuar lidhur me parashikimet për të ardhmen. Informacioni ka qënë më pozitiv se pritjet tona. Kemi pikë kthese të inflacionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe vende të tjera. Kemi patur nje politikë fiskale më konsoliduese. Përkundrejt këtyre kemi patur edhe transmetim të mirë të politikës monetare”.

Në raport thuhet se “Këshilli Mbikëqyrës thekson se normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një parakusht i domosdoshëm për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm. Sa më sipër, ai do të vazhdojë të analizojë situatën, për të kalibruar me kujdes ritmin e normalizimit të politikës monetare me të dhënat e reja për ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike”.

Për këtë drejtori Themeli shtoi “Gjithashtu bazuar në informacionin aktual të disponuar një vazhdim i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen është dicka e domosdoshme. Pra me shumë gjasa Banka e Shqipërisë do të aplikojë dhe rritje të tjera të normës bazë të interesit gjatë vitit 2023.”

Sa i përket kushteve të kreditimit, normat e interesit për kreditë dhe depozitat e reja në lekë vijojnë të rriten në mënyrë graduale. Interesi mesatar për kredinë e re në lekë dhënë biznesit rezultoi 7% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, nga 6.2% në tremujorin e tretë të tij dhe 5.7% në gjysmën e parë të vitit. Analiza e interesit të kredisë sipas shumës së lëvruar evidenton se interesat për kreditë e vogla (deri në 35 mln lekë) kanë njohur rritje më të fortë në këtë tremujor. Ndërkohë, rritja e interesave të kredive të mesme dhe të mëdha (mbi 35 mln lekë) është vërejtur vetëm në katër muajt e fundit, duke shfaqur një reagim më të vonuar krahasuar me interesin e kredive të vogla për biznese. Rritja e interesave është më e pranishme tek kreditë me normë fillestare të fiksuar për vitin e parë, i cili është edhe segmenti që përcjell më shpejt lëvizjet e politikës monetare. Interesi i kredisë për individë ka shfaqur përcjellje më të fortë të ciklit normalizues të politikës monetare. Ai rezultoi mesatarisht 8.0% në tremujorin e katërt të vitit, nga 7.6% që ishte në tremujorin e tretë dhe nga 6.7% në gjysmën e parë të tij. Rritja e tremujorit të fundit ka qenë e pranishme kryesisht në kredinë hipotekare, ndërkohë që interesi mesatar i kredisë konsumatore ka mbetur i pandryshuar nga tremujori i mëparshëm.