Eurozona mund të shmangë recesionin, por Gjermania dhe Italia janë ende në rrezik
2023-02-16 17:14:28

Foto: VCG

Eurozona mund të anashkalojë rrezikun e një recesioni, pasi të dhënat e publikuara të martën nga Eurostat-i treguan rritje pozitive ekonomike në tremujorin e katërt 2022.  

Por disa vende, duke përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, të cilat përfaqësojnë përkatësisht ekonominë e parë dhe të tretë më të madhe të Eurozonës, janë ende duke u përballur me rreziqe recesioni, shkruan “Xinhua”.  

Eurostat-i, entiteti kryesor i statistikave të Bashkimit Europian (BE), raportoi se 19 ekonomitë e Eurozonës u rritën me një rritje modeste prej 0.1 për qind në tremujorin e katërt 2022 krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Të dhënat nuk përfshinin Kroacinë, e cila u bë anëtarja e 20-të në fillim të këtij viti.  

Duke qenë se një recesion ekonomik përkufizohet si dy tremujorë radhazi të rritjes negative të produktit të brendshëm bruto (PBB) dhe parashikimet ekonomike parashikojnë se ekonomitë europiane do të rritin ritmet e rritjes në tremujorin e dytë të këtij viti, kjo tregon se Eurozona ndoshta mund të shmangë një recesion teknik.  

Por ky nuk është rasti për të gjitha vendet. Gjashtë nga vendet e Eurozonës treguan rritje ekonomike negative në tremujorin e katërt 2022, duke përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, rritja e të cilave ra përkatësisht me 0.2 për qind dhe 0.1 për qind.  

Të dy vendet u goditën më rëndë nga kriza e Ukrainës, pasi të dyja kanë ekonomi të drejtuara nga eksportet dhe varen shumë nga gazi natyror nga Rusia, i cili është ndërprerë pas sanksioneve ndaj Rusisë.  

Në tre muajt e fundit të 2022, 27 vendet anëtare të BE-së raportuan një rritje mesatare zero krahasuar me tremujorin e mëparshëm.  

Vendet në të gjithë Europën vuajtën nga inflacioni i lartë i shkaktuar nga rritja e çmimeve të energjisë vitin e kaluar. Të dhënat e Eurostat-it treguan se norma e inflacionit për Eurozonën u ul përsëri në një shifër në dhjetor, duke arritur në 9.2 për qind. Për BE-në në tërësi, norma në dhjetor ishte 10.4 për qind. (Elona)