Kreu i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait komenton mbi goditjen e anijes ajrore kineze nga ShBA-ja
2023-02-16 16:26:10

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) Zhang Ming theksoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara shkelën frymën e ligjit ndërkombëtar e të praktikës ndërkombëtare kur rrëzuan një anije ajrore kineze pa pilot.

Zhang e bëri këtë koment kur iu përgjigj një pyetjeje lidhur me anijen ajrore civile, të cilën Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së e goditi me raketa.

Ai tha se qeveria kineze e ka shpjeguar disa herë se ishte një anije ajrore civile pa pilot e përdorur për qëllime meteorologjike dhe kërkimesh të tjera. E ndikuar nga faktorët klimatikë, anija ajrore u shmang nga kursi i planifikuar, një situatë e shkaktuar nga forca madhore.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se anija ajrore nuk përbënte kërcënim ushtarak ose personal ndaj personelit në tokë, megjithatë pala amerikane këmbënguli në përdorimin e forcës për rrëzimin e saj, një reagim qartësisht i tepruar që shkel frymën e ligjit ndërkombëtar dhe praktikës ndërkombëtare, tha Zhang.

Sipas tij, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait ka qenë gjithmonë e mendimit që të gjitha vendet duhet të respektojnë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, të mos përdorin forcën ose të mos kërcënojnë se do të përdorin forcën  dhe t'i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërkombëtare me mjete paqësore, si bisedimet dhe konsultimet.